E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista “Rama” përjashtohen kundërshtarët

01/12/2011  PS mbledh nesër Asamblenë Kombëtare, zgjedh kryesinë dhe sekretariatin

Votimi i ditës së premte për zgjedhjen e kryesisë së re të Partisë Socialiste do të vijojë procesin e spastrimit të kundërshtarëve të lidershipit socialist nga radhët e forumeve drejtuese. Kështu, nesër do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila do të zgjedhë kryesinë e re dhe sekretariatin e kësaj partie. Ikën Islami, Harasani, Haxhiymeri, Allushi, vijnë kryetarët e bashkive ku PS-ja rezultoi e suksesshme.

Kryesia e re

Partia Socialiste do të mbledhë të premten Asamblenë Kombëtare për të finalizuar procesin zgjedhor në strukturat e saj drejtuese. Në këtë takim do të votohet kryeisa e re dhe sekretariati. Mësohet se lidershipi socialist ka përgatitur listën e kandidaturave që do t’i propozojë për votim këtij forumi. Burime pranë kësaj partie bënë me dije se kritikët e Ramës nuk janë pjesë e kësaj liste, me përjashtim të deputetit Arben Malaj, për emrin e të cilit ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do t’i kalohet apo jo Asamblesë për votim. Kështu, emra të tillë si Kastriot Islami, Andis Harasani, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri nuk janë më pjesë e propozimeve. Ndërkohë krerët e bashkive ku PS-ja fitoi përkundrejt kundërshtarit të saj, si Shpëtim Gjika, Qazim Sejdini e Vangjush Dako mësohet se do të jenë pjesë e listës që Rama do t’i propozojë Asamblesë. Megjithatë, nuk përjashtohet dhe përfshirja në këtë forum e emrave që nuk kanë kontribute në këtë parti.

Votimi

Anëtarët e Asamblesë Kombëtare do të japin mendimin e tyre mbi përfaqësuesit e rinj në kryesi përmes votimit të fshehtë. Ndërkohë veç listës së kryetarit të PS-së edhe anëtarët e Asamblesë kanë të drejtë që në bazë të statutit të paraqesin kandidatura alternative për kryesinë e re dhe sekretariatin. Njëkohësisht është atribut i po këtij forumi që të përcaktojë numrin e anëtarëve të kryesisë së re të PS-së.

Turi i Ramës

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi takimet e tij me strukturat drejtuese të kësaj partie në Kukës e Lezhë. Gjatë ditës së djeshme kryetari i socialistëve zhvilloi takime të posaçme me asambletë e zgjeruara të këtyre qyteteve. Në këto takime Rama ka kërkuar nga përfaqësuesit socialistë që në funksion të plotësimit sa më në detaje të programit të ri politik të PS-së të zhvillojnë sa më shumë diskutime, tryeza. Por njëkohësisht në këto diskutime të afrojnë dhe të pakënaqurit, duke u krijuar më shumë hapësira për pjesëmarrje. Gjithashtu, duke qenë se tashmë PS-ja nga qendra në bazë u përfshi në zgjedhjet e reja brenda saj, të gjitha strukturat të përqendrohen në forcimin dhe shtimin e radhëve të anëtarësisë socialiste, me qëllim parapërgatitjen për sfidën e ardhshme elektorale.

Grupi i parlamentar i PS-së mbledhje për energjinë

Rama në “Twitter”: Treguesit me keq se më ’97-n

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi dje mbledhjen e tij të radhës, ku diskutoi mbi kalendarin e punimeve të seancës së sotme parlamentare. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se deputetët socialistë koordinuan mes tyre axhendën e fjalimeve që do të mbahen në Kuvend gjatë diskutimeve në parim për energjinë. Ndërkohë që Rama, i cili nuk mori pjesë në këtë mbledhje, e bëri publik qëndrimin e tij në faqen sociale “Twitter”. “300% është rritur barra e familjeve në faturën e energjisë gjatë pushtetit të Saliut. Është koha që, kush fiton më pak, të paguajë më pak. Është koha e liberalizimit të plotë të tregut të energjisë dhe e shembjes së mureve të klientelave familjare të pushtetit në këtë sektor. Treguesit janë më të këqijtë e të gjitha kohërave pas ’97-s në menaxhimin e energjisë, vjedhjet janë më të mëdha se asnjëherë, po ashtu”, - shkruan Rama. Po në këtë linjë, ai shton se “shqiptarët po paguajnë përditë e më shumë për rrushtë e për kumbullat e Saliut me paratë e tyre, edhe me energjinë i njëjti avaz është”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›