E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalet e fundit te Leka Zogut: “S´mund të vdes në ditën e pavarësisë”

01/12/2011  Zbardhet beteja me vdekjen që Leka Zogu bëri, për të mos u ndarë nga jeta ditën e 99 vjetorit të pavarësisë

Infermierja: Çfarë e mundonte trashëgimtarin e fronit mbretëror para se të binte në koma

TIRANE-Dëshira e madhe për të qenë mes të gjallëve, ndjenja kombëtare dhe zemra e fortë kanë mbajtur në jetë, mbretin Leka Zogu I, gjatë ditëve festive të 99-vjetorit të pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë. Si një atdhetar i zhuritur për tokën mëmë, zemra e mbretit ka rrahur deri në mëngjesin e ditës së djeshme, megjithëse prej tre ditësh trupi qëndronte në gjendje kome në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në Spitalin Nr. 5 në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Në orën 08:45 gjithçka ka pushuar, çka ka sjellë dhe vdekjen zyrtare të trashëgimtarit të fronit mbretëror. Burime pranë stafit mjekësor të spitalit, thanë për gazetën “Metropol” se mbreti ndodhej prej tre ditësh në gjendje kome, dhe se në jetë e mbante vetëm dëshira për të qenë mes njerëzve të gjallë në festimin e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Nuk mund të vdes në ditën, kur tan Shqipëria është bashkue dhe e lirë”,-kjo duket se ishte dhe fjalia e fundit që është përmendur më shpesh nga i ndjeri. Një infermiere brenda stafit mjekësor tregon se si Leka i I, nuk dorëzohej edhe pse frymëmarrjen e kishte artificiale. “Në jetë e mbante vetëm zemra, pasi mushkëritë nuk ishin në gjendje të punonin dhe të thithnin oksigjen. Zemra e fortë dhe dëshira për të mos u dorëzuar në ditën e festës së pavarësisë, bënë që mbreti të mbyllë sytë ditën e sotme”,-tregon një nga infermieret e reanimacionit të Neurokirurgjisë, e cila ka asistuar në kurimin e Laka Zogut të I. Më tej infermieria shton se nga stafi mjekësor u bënë përpjekjet maksimale për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të mbretit, por një gjë e tillë nuk u arrit për shkak të fibrilacion arterial, në formën e aritmisë që pësoi disa herë. Ajo shton se gjatë tre ditëve që mbreti qëndroi në reanimacion në gjendje kome, ai pati vizita nga shumë njerëz të njohur, por dhe përfaqësues të ambasadave të huaja. Sipas saj, nuk munguan as dhe persona të ardhur nga Franca, Belgjika dhe Amerika, persona që duket se i kanë qëndruar për krah familjes mbretërore shqiptare, kur kjo e fundit ndodhej në mërgim. Ndërkohë që çdo ditë mbreti 72-vjeçar vizitohej nga doktori Mentor Petrela si dhe drejtori i qendrës spitalore “Nënë Tereza” Sajmir Ivziu. Vëmendje maksimale ndaj shëndetit të Lekës së I ka treguar dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke u interesuar vetë disa herë në sallën e reanimacionit ku ndodhej i shtruar 72-vjeçari Leka Zogu i I.

Vizita nga Franca e Belgjika

Gjatë periudhës dyjavore që qëndroi i shtruar në spitalin nr. 5 në QSUT, Leka Zogu pati vizita të shumta nga shqiptarë që kanë qëndruar së bashku me të në periudhën kur ai dhe familja e tij ndodhej në emigracion. Vizitorë nga Franca, Belgjika madje dhe Amerika kanë udhëtuar për të parë për herën e fundit mbretin e tyre. Stafi mjekësor tregon se vizitorët qëndronin çdo ditë nga 1 deri në 2 orë, ku interesoheshin për të rejat e fundit që dilnin nga analizat mjekësore dhe grupi i mjekëve që ishte ngarkuar për kurimin shëndetësor të 72-vjeçarit Leka Zogu i parë.

Dy orë pas vdekjes

Rreth 2 orë pas vdekjes, zëdhënësi i Familjes Mbretërore konfirmoi se Leka Zogu ndërroi jetë të mërkurën, 30 nëntor ora 08:45 minuta në repartin e Neurologjisë. Përfaqësuesi i Oborrit Mbretëror, Sulejman Gjana, deklaroi se Leka Zogu mjekohej nga vuajtje multisistemike, ku mbizotëronte vuajtja e zemrës dhe aparati i mushkërive.

16 nëntor 2011

Pikërisht në këtë datë 72-vjeçari Leka Zogu është shtruar në repartin e Neurologjisë, ku pas dy javë ai ka ndërruar jetë. Gjatë kësaj periudhe ai është mbajtur nën kurimin sistematik të mjekëve të cilët, falë frymëmarrjes artificiale dhe metodave të tjera mjekësore kishin shpresa për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të trashëgimtarit të fronit mbretëror.

Çrregullime multisistemike

Kjo ishte diagnoza që mjekët e QSUT-së i kishin vendosur trashëgimtarit të parë të fronit mbretëror. Nga analizat e bëra, u konstatua se sistemi trupor i Leka Zogut kishte humbur ekuilibrin e tij. Aparati i frymëmarrjes së mushkërive, por dhe zemra shfaqnin çrregullime të njëpasnjëshme, çka vështirësonin dhe transportimin e Leka Zogut jashtë shtetit.

Ministria e Shëndetësisë kishte plotësuar dokumentet e nevojshme

Përkeqësimi i shëndetit anuloi kurimin në SHBA

Pritet të vijë Reno, deputeti i partisë së Sargozisë

TIRANE- Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të trashëgimtarit të parë të mbretërisë Shqiptare Leka Zogu solli reagimin e menjëhershëm të instancave shtetërore. Në pamundësi për ta kuruar me mjete më profesionale, Ministria e Shëndetësisë urdhëroi përpilimin e dokumentacionit me qëllim transportimin në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Leka I do të merrte kurimin e nevojshëm. Nga sa mësohet, i gjithë dokumentacioni ishte përpiluar, por ajo që pengoi instancat shtetërore për dërgimin e Zogut në Amerikë ishte gjendja shëndetësore tepër e rënduar e tij. Udhëtimi i gjatë në atë gjendje nuk garantonte jetëgjatësinë e mbretit Leka I. nisur nga kjo situatë, instancat shtetërore kanë vendosur të lënë për një periudhë të më vonshme, në rast se shëndeti i Lekës do të përmirësohej. Por një gjë e tillë nuk është arritur, për shkak se në mëngjesin e djeshëm zemra e Leka Zogut I ka pushuar së rrahuri. Ndërkohë familja mbretërore është në pritje të të afërmve të saj nga Amerika, Franca, Italia, Turqia. Sipas 78-vjeçarit Skënder Zogu, do të vijnë disa kushërinj të afërt. “Nga Turqia do të vijë Ergun Zogu, nipi i Zija pashë Zogollit, vëllai i Xhemal pashë Zogollit, babai i Ahmetit dhe imi, Xhelal beut. Nga Franca ka ardhur zonja Silvian Myzelje, e njohur si “tezja e shqiptarëve”, e cila ka dërguar shumë ndihma humanitare në të shkuarën. Motra e Geraldinës, nga Marseja, vjen me djalin e saj, Reno, i cili është deputet në Francë me partinë e Presidentit Sarkozi. Vijnë kushërinj nga Amerika, vjen Sermet Agolli (Dushishti), nipi i mbretit Zog. Janë dërguar ftesa te mbretëria e Belgjikës, me të cilën ka pasur marrëdhënie të ngushta. Është ftuar monarku i Jordanisë, Arabisë Saudite dhe i Spanjës”, - shprehet nipi i Ahmet Zogut. Ky i fundit shton se pas përfundimit të ceremonisë së varrimit në ditët në vijim do të kryhet dhe transferimi i kurorës mbretërore te Leka Zogu II. Momentalisht ky i fundit punon pranë Ministrisë së Brendshme dhe shumë shpejt do të shpallet mbret i shqiptarëve.

Mbretëritë e ftuara

Mbretëritë me të cilat familja mbretërore shqiptare ka pasur shumë marrëdhënie janë ftuar të jenë të pranishme në ceremoninë e varrimit. Sipas Skënder Zogut, është ftuar monarku i Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Spanjës. Këto tri mbretëri e kanë mbështetur familjen e Zogut gjatë periudhës prej 58 vitesh, kur familja ka qëndruar në mërgim.

Zogistët të bashkuar

Ashtu si në vdekjen e Ahmet Zogut në Paris, simpatizantët e familjes janë bashkuar, duke i dhënë ngushëllime familjes mbretërore. Pritet që ata të mblidhen nga të katër anët e botës, ku janë vendosur për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit të mbretit të tyre, trashëgimtarit të parë të fronit mbretëror Leka Zogu.

Sot vendoset vendi se ku do prehet mbreti Leka i I

Familja: Ne kemi bërë propozimet tona, komisioni e vendos

Skënder Zogu, nipi i

Ahmet Zogut, e Spahia

presin ngushëllimet

ELTON QYNO

TIRANE- Atmosfera në rezidencën mbretërore ka qenë e heshtur, ku njerëz të familjes, mbështetës të mbretërisë, por dhe përfaqësues të forcave politike, kanë marrë pjesë në ngushëllime. Sulejman Ngjana, zëdhënësi i familjes mbretërore, organizonte çdo gjë dhe drejtonte vizitorët për te salloni i pritjes së ngushëllimeve, ku qëndronin të ulur nipi i mbretit Ahmet Zogu, Skënder Zogu, i ardhur menjëherë nga Parisi, dhe kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahia. Sipas riteve dhe zakoneve popullore, Skënder Zogu dhe Ekrem Spahia nderonin vizitorët që kishin ardhur për ngushëllime në rezidencën mbretërore. Ndërkohë në oborrin e rezidencës qëndronin simpatizantët e mbretit dhe të familjes mbretërore.

Dy orë homazhe

Sulejman Ngjana pohoi për gazetën “Metropol” se trupi i 72-vjeçarit të ndjerë Leka Zogu nuk do të transportohet në rezidencën mbretërore, por do qëndrojë në morgun e spitalit. “Qeveria ka shpallur që ceremonia e varrimit të mbretit Leka I do të kryhet sipas një protokolli shtetëror dhe për këtë është ngritur një komision, që udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Haxhinasto. Ditën e sotme do të vendoset dhe vendi se ku do prehet trupi i pajetë i Lekës, në Varrezat e Dëshmorëve apo diku tjetër. Ne kemi bërë kërkesat tona lidhur me vendin se ku duhet të prehet trupi i pajetë, por gjithsesi sot do njoftoheni lidhur me vendimin e qeverisë se ku do të varroset mbreti Leka I. Ndërsa për sa u përket homazheve zyrtare, ato janë përcaktuar që të kryhen ditën e shtunë në orën 10:00 deri më 12:00 në hollin e kuvendit të Shqipërisë”, -shprehet për gazetën Sulejman Ngjana.

Mbretëritë e huaja

I pyetur nga gazeta nëse familja mbretërore kishte njoftuar apo nëse ka marrë ngushëllime nga mbretëritë e tjera të Europës, Ngjana shton se janë marrë disa telegrame ngushëllimi, duke mos pranuar të bëjë publikë emrat e mbretërive. Më tej ai shton se Ministria e Jashtme po kujdeset maksimalisht për njoftimin e të gjitha zyrave mbretërore, të cilat ende s’kanë konfirmuar nëse do dërgojnë përfaqësuesit e tyre për homazhe ose jo. Pavarësisht se sot pritet vendimi i komisionit që do përcaktojë vendin se ku do prehet trupi i Leka Zogut, pritet që ai të jetë në varrezat publike të Tufinës. Ende një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht, por zëra pranë familjes e pohojnë një gjë të tillë.

Beqir Ajazi në rezidencë

Mes të pranishmëve që kishin mbërritur në rezidencë për ngushëllime ishte dhe Beqir Ajazi, që konsiderohet nga legalistët si i fundit i kongresit të Legalitetit që u organizua nga Abaz Kupi gjatë viteve të para të luftës. Në një prononcim ai tregon se e ka ndjekur familjen mbretërore në disa vende të Evropës, por më pas ka vendosur të kthehet në Shqipëri, ku pas mbërritjes është arrestuar nga regjimi komunist dhe është dënuar me dhjetëra vjet burg si përkrahës i trashëgimtarit të fronit mbretëror Leka Zogu I.

Historia e një jete në mërgim të pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I

Largohet vetëm dyditësh, për të vdekur pas 72 vjetësh

Leka Zogu I, djali i vetëm i mbretit Ahmet Zogu, lindi më 5 prill 1939 në Tiranë, dy ditë para pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Gjatë qëndrimit të familjes mbretërore në Egjipt në vitin 1946, princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954. Pas transferimit të familjes mbretërore në Francë në vitin 1955, princi Leka, tashmë 16-vjeçar, regjistrohet në kolegjin e famshëm “Vilare Ailange Kolegie” të Olonit, në Zvicër, ku mori edhe diplomën “Matriculation of Oxford” në vitin 1956. Në vitet 1956–958 princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera mori titullin “oficer” me gradën “toger”. Në vijim ai studioi për shkenca politike dhe ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale. Më 5 prill 1957, me rastin e 18-vjetorit të lindjes, në prani të personaliteteve më të njohura të botës shqiptare në emigracion dhe të miqve të huaj nga më të shquarit, mbreti Zog, pasi e dekoroi personalisht me kolanin e Shqipërisë, e shpalli solemnisht princin Leka i Parë trashëgimtar të kurorës mbretërore shqiptare. Ndërsa më 15 prill 1961, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish-deputetëve të parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata, Asambleja Provizore e mbledhur zyrtarisht, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, e shpalli dhe e kurorëzoi unanimisht princin Leka si mbret i shqiptarëve. Pas kësaj, në përputhje me nenin 56 të Statutit, sovrani i ri bëri betimin formal kushtetues si mbret i shqiptarëve.

Leka Zogu u përkushtua për përmbushjen e detyrimeve prej sovrani para bashkatdhetarëve në mbarë Evropën dhe në vendet arabe gjatë 5 vjetve të para pas kurorëzimit (1961–1966). Në vitin 1967 veprimtaria politike e tij në dobi të çështjes kombëtare dhe intensifikimi i kontakteve me bashkatdhetarët njohën kulmin pas vizitës në SHBA në verën dhe vjeshtën e këtij viti. Në vitin 1972 pretendenti i fronit mbretëror bëhet nismëtar i zhvillimit të Kuvendit të Madridit, i cili kishte për qëllim bashkimin e të gjitha forcave politike të emigracionit politik dhe jopolitik shqiptar nën moton e famshme “Atdheu mbi të gjitha”. Viti 1975 shënoi ngjarjen më të rëndësishme në gjirin e familjes mbretërore dhe garantoi trashëgiminë e kurorës së dinastisë mbretërore shqiptare nëpërmjet martesës së Leka Zogut të Parë me mbretëreshën Susanë. Pretendenti i fronit bëri një përpjekje të parë për të ringjallur dhe ushqyer idenë e monarkisë në fillim të viteve ’90. Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm dy ditë jetë, në prill të 1939, ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor 1993, me një vizitë të papritur, kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat, vizitë e cila nuk u lejua nga autoritetet e asaj kohe. Në vitin 1997 drejtoi një protestë përpara KQZ-së, ku monarkistët pretendonin manipulim në lidhjen votimin për sistemin që u bë atë vit së bashku me zgjedhjet e parakohshme. Leka Zogu I u rikthye përfundimisht së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri në qershor të vitit 2002. Prej kohësh, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, Leka Zogu i Parë ishte tërhequr thuajse plotësisht nga jeta aktive politike dhe shoqërore. Në vend të tij funksionet publike kryhen nga i biri, princi Leka II, dhe drejtuesit e Partisë së Legalitetit, të cilët janë pro monarkisë.

Intervistë e mbretit Ahmet Zogu dhënë gazetës “Daily Herald” në vitin 1934

Shqipëria nuk mund të jetë protektorat i askujt

Durrës, Shqipëri, 15 tetor 1934

Shqipëria, më i vogli shtet i Evropës dhe e kërcënuar prej dy anëve nga fqinj të fuqishëm, do të japë një shembull të përbotshëm në çarmatim. Gjysma e ushtrisë së saj do të kthehet në forca bujqësore punëtorësh, duke punuar arat, kurse gjysma tjetër do të rezervohet për të ruajtur qetësinë e brendshme, duke pasur po të njëjtën komandë si xhandarmëria. Plani drastik i tij (Zogut) në kryerjen e kësaj reforme dhe arsyet e saj m’u shpjeguan prej mbretit Zog në një audiencë që më dha në vilën e tij verore në plazhin e Durrësit.

* * *

Vila është një godinë e thjeshtë njëkatëshe, e ndërtuar mbi binarë të shtyrë në det dhe njeriu nuk do të mund ta dallonte prej godinash të njëjta që ndërtohen kudo, veçse prej dy rojash. Burra të fortë mali, veshur me uniforma ngjyrë jeshile, të cilët qëndronin në fund të shkallëve të vilës. Prej vilës mbretërore brenda në det shtrihet një pir e vogël, që mbreti e përdor për t’u zhytur, kurse e vetmja anije e Marinës Shqiptare, një anije ruajtëse e vogël, gjithmonë endet 100 jard, kur mbreti Zog dëshiron të bëj banjë. Me pranimin tim, mbreti Zog thyen zakonin e caktuar për të mos ftuar kurrë vizitorë të huaj gjatë pushimeve të tij verore në plazh. Por ai tha se ishte tepër i gëzuar t’u tregonte lexuesve të një fletoreje të madhe Britanike se çfarë ishte duke bërë për shtetin e tij të vogël, por kryelartë. Ai më foli më se një orë në dhomën e tij të studimit, me muret e bojatisura, në të cilat vareshin piktura të kostumeve kombëtare dhe të pamjeve të vendit. Mobilet e kësaj dhome përbëheshin nga një tavolinë e thjeshtë ahu, një etazher, dy tavolinave më të vogla dhe disa karrigeve ngjyrë kafeje. “Shqipëria, - tha mbreti i veshur me një rrobë stofi ngjyrëkafe të hapur, këmishë mëndafshi dhe kravatë, - nuk do të jetë protektorat i askujt. Ajo ka vendosur të ruajë vetëqeverimin e saj, që nuk është vetëm interes personal, por esencial për paqen evropiane.” Fjalë demonstrative pas presionit të anijeve italiane në Durrës në muajin korrik, që qe gati duke hapur një konflikt italo-jugosllav.

* * *

“Megjithatë, ne jemi një vend i varfër. Nuk kemi aeroplanë ushtarakë, tanke ose artileri të rëndë, ashtu siç kanë fqinjët tanë, edhe nuk mundemi me i pasë.

Shqipëria ka nevojë kryesore të shpenzojë para në përparimin e saj bujqësor. Kam përgatitur një projektligj, që do t’i parashtrohet parlamentit, me anë të të cilit gjysma e rekrutëve të ushtrisë së tanishme do të caktohet për të punuar fushën e begatshme të Myzeqesë (në Shqipërinë e Mesme). Gjithashtu ata do të marrin instruksione mbi metodat e reja bujqësore, kështu që këto do të përhapen gradualisht në të gjithë vendin. Gjysma tjetër e ushtrisë do të përdoret për të mbajtur sigurinë e brendshme nën po atë komandë si xhandarmëria.” Mbreti Zog është një realist, një njeri që sheh qartë se Shqipëria nuk mund të mbrojë veten e saj nga invazionet e mundshme vetëm me luftime këmbësorie. Dhe se i vetmi sigurim i saj qëndron në sigurinë kolektive të Lidhjes së Kombeve. Vetëm konservatorët kërkojnë mbajtjen e një ushtrie të vërtetë. Mbreti është më tepër radikal e përparimtarë se cilido prej ministrave të tij. E pyeta mbretin se asnjë xhandarë nuk mundet të emërohet dhe asnjë polic nuk mundet të shkarkohet pa dijeninë e tij, se çka mendonte se ishin sipas mendimit të tij detyrat e një mbreti në kohët e sotme. “Një mbret, - u përgjigj, - duhet të jetë një udhëheqës dhe një mësues i popullit të tij. Njeriu nuk mund të mësojë një fëmijë prej 5 vjeçësh po në atë mënyrë si mund të mësojë dhe sillet kundrejt një djaloshi të rritur. Jemi duke luftuar me analfabetizmin. Disa vjet përpara shkollat tona numëronin deri në 2000 nxënës, kurse sot ato kanë 60 000 dhe në përparimin e kësaj gjendjeje fuqitë dhe përgjegjësitë e të zgjedhurve nga populli do të shtohen. Unë nuk besoj në të drejtat e shenjta të mbretërve, fuqia nuk vjen prej qielli, por prej së poshtmi, nga populli. Gjithashtu nuk besoj se demokracia është në gjendje dekadence. Edhe në ato shtete ku ajo është zhdukur, besoj se dëshirojnë të rikthehet, se ato e dinë se fuqia vjen nga poshtë. Do ta ndiej misionin më të madh të jetës sime të mbaruar, - tha mbreti, - kur gjendja dhe kultura e grave në Shqipëri të mbërrijë si në nivelin e grave të shteteve ballkanike e pastaj si të atyre të oksidentit. Kjo do të thotë një evolucion i ngadalshëm, mbasi kemi mjaft paragjykime për të kaluar, e pasi të realizohet kjo natyrisht do të zbatohet dhe e drejta për të votuar nga gratë. Gjendja e lartë e grave është besoj një nga faktorët më të mëdhenj në fuqinë e një shteti. Kam dhënë urdhra, madje, që gratë të vendosen dhe në poste zyrtare kudo që të jetë e mundur. Dhe kjo në një vend ku këtu e disa vjet përpara gratë konsideroheshin si një pronë e luajtshme.” Pastaj mbreti vazhdoj të shpjegojë se si në një të ardhme të afërme, në një plan tjetër të tij, do të rregullonte klube bisedimesh nëpër qytete dhe katunde, ku do të kenë buletine e fletore lajmesh. Në këtë mënyrë do të ngrihej niveli i inteligjencës së masës së re. Kur ai fliste disa dallgë rrihnin rrëzën e dritares së tij të çelur që shihte nga deti. Vetëm rrallë një buzëqeshje e vogël ndriçonte sytë e tij të kaltër. Mbreti Zog, kur u ngrit për të më shtrënguar dorën, mu duk se ishte sundimtari më i vetmuar i Evropës. Tashti është 40 vjeç dhe që prej kohës së luftës, si ministër, kryeministër, kryetar republike e pastaj si mbret, ka luajtur pjesën kryesore të formimit të Shqipërisë si komb. Sot ai mban barrën kryesore të qeverisë mbi supe. Vendi i tij është shumë i vogël, i varfër dhe fqinjët e tij hedhin vazhdimisht sy lakmues mbi të.¹

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›