E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Folklorik, larmi ngjyrash krejt shqiptare

28/09/2009  Performojnë grupi i Kukësit, Tropojës, Shkodrës, Dibrës së Maqedonisë dhe i arbëreshëve

Artistët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës sjellin në skenë vlera të vërteta burimore

Rapsodët kuksianë: “Kurrë

përjetë sna ndan ma guri!”

GJIROKASTËR - Koncerti i grupeve folklorike të Kukësit ka pasur një larmi të gjerë gjeografike. Krahas artistëve të rrethit të Kukësi janë prezantuar në skenën e kalasë shumëshekullore të qytetit të Gjirokastrës, edhe hasjanët, tropojanët dhe prezantues nga Rrafshi i Dukagjinit.

Treshja vokale Voka, Dida dhe Halilaj kanë nisur programin e tyre me këngën folklorike me motive liriko-erotike "Oi e miro". Menjëherë pas kësaj kënge në plan të parë në skenën mbarëkombëtare të folkut kanë dalë djemtë me vallen e tyre të njohur tradicionale "krah me krah" dhe vajzat me vallen e tyre me motive lumjane. Rapsodët në këtë anë kanë nam dhe pa këta nuk imagjinohet dot folklori i kësaj ane si frymëzim nga letërsia popullore. Ndaj dhe rapsodët Dida, Çela dhe Kovaçi kanë kënduar me përkushtim nga zemra, shpirti dhe zëri këngën "Bashkimi është forca e kombit" që në vet këngën bëhej fjalë për unifikimin kombëtar në ide si fuqi primare për të mirën e vet kombit. Para se ti linin skenën hasjanëve, grupi folklorik nga Kukësi është përshëndetur me një valle të kombinuar me motive tradicionale. "Mymleqeti në kam asht çue" e interpretuar nga këngëtarët Hamit Kastrati dhe Përparim Brati që zërin e tyre e dëgjojnë me ëndje edhe në Kosovë i ka dhënë zjarr këngës me motive të shprehjes së revoltës ndaj pushtuesve.

Një pikë të rrallë pati edhe Zog Sheta që me bishtnicë ekzekutoi një melodi baritore. Një treshe hasjane në përbërje të grupit të qarkut të Kukësit ka sjellë një kërcim karakteristik të burrave që me angazhim maksimal krijues popullor e kërcyen Dylber Geca, Ramadan Topaj dhe Luan Sadria. Një tjetër valle karakteristike hasjane "Larja e pëlhurës" të shoqëruara me kavall nga Besnik Osmangecaj kanë prezentuar grupi i vajzave. Tropojanët, si treva më e thellë verilindore e Shqipërisë me një thesar të begatshëm folklori, këngëtarësh dhe valltarësh kanë nisur programin e tyre me "Këngë asjerrçe" që interpretohej nga Rustem Hoxha dhe të shoqëruar nga grupi i këngëtarëve. Duke pasur një pozicion të tillë gjeografik që përkufizohet me Kosovën dhe lidhje të afërta kulturore që ka, të gjakut dhe shpirtit, tropojanët kanë kënduar edhe këngë me motive bashkimi dhe jo ndarjeje, siç ishte deri më 1999, kur Kosova u çlirua. Këngëtarët Ibrahim Muça, Agim Osmani dhe Eduard Muça kënduan këngën "Kurrë për jetë sna ndan ma guri", këngë kjo pikërisht për gurin a piramidën kufitare tashmë inekzistente, si më parë.

Tjetër këngë me motive patriotike "Amanet vllazën shqiptar" është kënduar nga vëllezërit Zela, ndërsa më pas nga këngëtarët Kadri Mani, Mustafa Rama dhe Cen Vishaj nga Rrafshi i Dukagjinit është kënduar kënga me motive dashurie "Boll e mirë e bardhë si pllumi".

Tropojanët apo malësorët e Malësisë së Gjakovës kanë tradita dhe vlera edhe në valle të burrave që nuk mungoi as mbrëmë në lartësinë dhe vjetërsinë e Kalasë së Gjirokastrës ku janë prezantuar burra nga zonat Gash, Bytyq dhe Krasniqe, derisa solist ishte Deli Metalia.

Me interpretimin e këngëtares Bukurie Demiri dhe me kërcim të vajzave tropojane është përmbyllur prezantimi i grupit të fundit në kuadër të grupit të qarkut të Kukësit dhe nga Kalaja e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar janë larguar me përshtypje pozitive për ruajtjen e burimeve popullore. Petrit Palushit, përgjegjës i zyrës së arsim-kulturës në këshillin e qarkut të Kukësit është shprehur se "grupi i punës me ekspertë të kulturës ka bërë përzgjedhjen e më të talentuarve për paraqitje dinjitoze, pasi synojmë përfaqësim sa më të plotë të vlerave të kulturës popullorë të zonës". Grupi nga Kukësi pati rreth 60 persona, prej të cilëve 48 valltarë e instrumentistë, ndërsa të tjerët këngëtarë.

Program nga të gjitha zonat folklorike dhe etnografike

Prurjet e Shkodrës, finesa

qytetare dhe epika malësore

GJIROKASTËR - Artistët e qarkut të Shkodrës prezantuan në natën e tretë të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009, 14 këngë në një afat të përcaktuar kohor prej 30 minutash, ndërsa në këtë repertor spikati elementë artistike shumë të vjetër si kënga "Maje krahu", ku interpretoj dyshja Nush Malaj dhe Turk Ropaj nga Malësia e Madhe. Më pas do të vijonte këngët tradicionale, si "Ninullë" që u interpretua me mjaft mjeshtëri nga këngëtarja Adelina Corraj, "Buzmi bujar", ritual përcjellë nga grupi folklorik i rrethit të Pukës përpunuar si ritual nga Riza Hoxha, kënga "Hajde hajde moj selvie" kënduar nga Bashkim Vushaj dhe shoqëruar nga grupi i burrave Kelmend dhe "Apa jonë ka ra në Pazar" kënduar nga grupi i burrave nga Anamalit

Notat epike të folklorit shkodran u përfaqësuan denjësisht nga "Për vend tem nji kang me këndue" të kënduar nga Bardhok Përbibaj i zonës së Dukagjinit dhe "Moj gryk e hollë, flaka bajrakut", solist Ndue Shytani i shoqëruar nga grupi i burrave Dukagjin. Me finesë dhe ndjeshmëri dhe në ndonjë rast edhe me humor u përcollën në skenën e festivalit edhe tri numrat pasardhës "Gjirokastër faqe bardhë", rapsodi me lahutë në interpretimin e lahutarit të njohur Jonuz Delaj, "Duaje folklorin, mos hup vetveten" një këngë humoristike interpretuar nga vëllezërit Paloka dhe "Jeho bjeshkë", orkestra e veglave popullore të Pukës këngëtar Pjetër Nimani. Këngët popullore të qarkut të Shkodrës, ato qytetare dhe të zonave fshatare kanë qenë në vëmendje edhe të etnologëve. Jo rrallë, në vargjet e tyre janë ndeshur informacione të vlefshme, që pasqyrojnë aspekte të jetës së përditshme dhe ngjarje të ndryshme. Veçanërisht të pasura me dëshmi të këtilla, janë këngët kushtuar ceremonialit të dasmës në qytetin e Shkodrës, e cila edhe këtë edicion u "kurorëzua" në natën e tretë të festivalit nga artistët e virtuoz. Aty gjenden të dhëna për disa mjeshtëri popullore, si atë të rrobaqepësisë, qëndistarëve, argjendarëve, peshkatarit etj, për zakone e rituale të ndryshme, sidomos për modën e veshjes së banorëve të qytetit. "Në vargjet e këngëve popullore shkodrane përmenden më shumë veshjet e grave dhe veçanërisht të nuseve në ditën e dasmës. Ky element herë paraqet bukurinë e nuses e herë tregon forcën ekonomike të familjes së saj", shprehet specialistja e etnografisë prof. dr. Aferdita Onuzi. Ndërkohë veshja popullore shkodrane e burrave është ajo me fustanellë të gjatë, e shoqëruar me këmishën prej faqelli, xhamadani, dollama e jeleku prej cohe të kuqe, të gjithë të zbukuruar me qëndisje, brezi i mëndafshtë, dësllëqet, këpucë të kuqe me llapa etj. Motive dasme të interpretuara nga grupi i vajzave të Vaut të Dejës dhe "Vallja e Logut" kërcyer nga Kol e Tatjana Vushaj krijuan një atmosferë shumëngjyrëshe në skenën e kështjellës së Gjirokastrës. Mirëpo, kulmi i kulmeve të spektaklit të këtij grupi ishte një kolazh këngësh qytetare shkodrane, interpretuar me mjaft dashuri nga këngëtarët e njohur shkodranë Mukadez Çanga, Erketa Kuqani, Leonard Nimani dhe e shoqëruar nga kompleksi.

Grupi përfaqësues i Shkodrës përveç spektaklit të përkryer solli në Gjirokastër një përfaqësim serioz të të gjitha trevave, zhanreve, kostumeve popullore dhe riteve të kësaj treve.

Udhëheqësi artistik i grupit të Shkodrës, Bardhyl Hysa, tha se grupi prej 60 vetësh, të përzgjedhur nga tre rrethet e qarkut Shkodër, Malësi e Madhe dhe Pukë, kanë ardhur në këtë festival për të "rrëmbyer" një çmim në këtë manifestim kombëtarë, që zhvillohet një herë në pesë vjet.

"Ti moj Dibra e Kastriotit", vjen

nga shqiptarët e Maqedonisë

GJIROKASTËR - Shqiptarët e Maqedonisë në grupin e tyre të vetëm të mbledhur nga "Drita e Dervenit", e Sarajës së Shkupit, "Strajani" nga Gostivari dhe "Haki Stërmilli" nga Dibra, sollën ndikimin oriental në disa prej këngëve të shqiptarëve të kësaj ane.

Këngët dhe vallet me karakteristikat e tyre, jo vetëm me tone burrërore, por edhe me specifika si trevë e gjerë me shqiptarë dëshmuan etnitetin dhe zanafillën apo burimin e tyre origjinal prej kombi që i përkasin, pa elemente ndërhyrëse sllave në këndim apo valle që treguan se ndonëse të kërcënuar nga prania e afërt e kombit tjetër të ketë edhe huazime eventuale sllave, pasi gjendet një dozë orientale, për të mirën e folkut shqiptar është bërthama e të paktën më shumë se një shekulli. "Valle e nizamit", si një valle burrash ishte hapja nga ky grupim shqiptar në Maqedoni luajtur nga burrat e "Drita e Servenit" për ti lënë radhën këngëve tipike dervenase mjaft të popullarizuara që kalojnë edhe kufijtë e kësaj ane dhe të vet territorit të Maqedonisë, sidomos në Kosovë, si "Gjylistane" pastaj "Këndojnë dy guguqe rreth Vardari" që u interpretuan nga Nimet Demiri, Ramadan Rexhepi dhe Emin Rexhepi.

Prezantuesit nga Saraji në kuadër të grupit të shqiptarëve të Maqedonisë janë përshëndetur me vallen e emërtuar "Valle e bilbilit" si ndër më të preferuarat në Shkup dhe rrethinën e saj që është kërcyer nga Grupi i Burrave.

Ruhet kënga shekullore

E veçantë: “Majekrahu”, kanga që don za burri

GJIROKASTËR - “Majekrahu” është një nga këngët më të vjetra të mbërritura në ditët tona me një origjinalitet mahnitës si dëshmi e periudhës pagane dhe një perlë e traditës së lashtë shqiptare. Kjo mënyrë e lashtë të të kënduarit fillimisht ka qenë një element i zakonshëm komunikimi jo vetëm artistik i shqiptarëve të Veriut. Ky mjet komunikimi artistik me fillimin e shekullit XX duket sikur nisi të zhdukej disi... së paku si funksion informativ dhe nisi të përdorej, këndohej më rrallë, aq rrallë sa tashmë është shumë e vështirë të gjesh një interpretues të zotin që të dijë të përcjellë jo vetëm emocionet, por edhe vetitë artistike të saj. Të fundit që e kanë përcjellë si trashëgim “Majekrahun” kanë qenë Malësia e Madhe, me jehonën e rrethimeve të Shkodrës së shekullit XV, Malësia e Gjakovës me epokën heroike të Rilindjes, etj.

Në këtë të fundit, kryesisht në rrethin e Tropojës, ekipe të ndryshëm ekspertësh të kulturës në ekspeditat e tyre në gjysmën e shekullit XX kanë fiksuar gjendjen reale të “Majekrahut”, kënga e cila në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI ndodhet pothuajse në venitje.

“Rreth 40 vjet e kam kënduar Majekrahun nëpër dasma të Malësisë së Gjakovës, nëpër miq”, thotë Isufi, duke shtuar se e ka nisur që kur ishte 20 vjeç në odat e atëhershme. “Që fëmijë më ka tërhequr majekrahu, por kjo lloj kange don za burri, nuk është e lehtë. Duke dëgjuar gjyshin që herët në fëmijëri dhe më pas babën, mendova se mund tia dilja dhe këndova, aty njerëzit më thanë se kisha dalë mirë, madje dy-tre vetë i pashë që ishin përlotur”, tregon me emocione Isufi.

Performanca nën duartrokitjet e publikut

Arbëreshët: “Zemrat tona të gëzuara

janë, se atdheun erdhëm e pamë”

GJIROKASTËR - Megjithëse mjaft të rinj në moshë ata do ti këndonin dheut të të parëve me të njëjtën ndjesi dhe emocion, ashtu si baballarët apo stërgjyshërit e tyre. Artistët popullore pjesë e grupit të Arbëreshëve të Italisë do të sillnin në skenën e gurtë të Kalasë, në natën e tretën, mallin dhe nostalgjinë për tokën e tyre, për Morenë e largët. “Moj e bukura More / si të lashë e më stë pashë” do të ishte refreni himn i këngëve të shqiptarëve të Kalabrisë, e cila ashtu si edhe festivalet e kaluara të Gjirokastrës edhe në Festfolk 2009 do të çelte siparin e koncertit artistik të përgatitur prej tyre. “Gjithmonë kam ëndërruar të ngjitem në këtë skenë, të vallëzoj dhe të këndoj shqip ashtu siç kanë bërë brezat e ndryshëm të arbëreshëve të Kalabrisë këtu në Kalanë e festivaleve”, thotë Antonio Gatabajo, njeri prej artistëve popullorë. Kënga për Morenë e bukur, por të largët e kënduar prej tij dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit mëmërin ngadalë mbi muret dhe bedenat e gurta si një përshëndetje për tokën e të parëve të tyre që ndodhet atje, matanë brigjeve të Adriatikut. Spektatorët do të shoqëronin vazhdimisht me duartrokitje ekzekutimin në skenë të 30 artistëve popullorë të grupit të Arbëreshëve të Italisë. Programi i tyre artistik përfshinte 8 numra të veçantë si këngë, valle, rite etj. “Petku dhe të mirat tona”, “Valle tradicionale”. “Lule, lule maca, maca” etj do të ishin disa prej interpretimeve artistike të grupit të Arbëreshëve të Italisë në skenën e festivaleve të cilat do të korrnin duartrokitjet e spektatorëve. “Zemrat tona të gëzuara janë se Atdheun erdhëm pamë” do të këndonin artistët e rinj të grupeve shqiptare të Kalabrisë mes të tjerash në këngën “Përshëndetje Gjirokastër”.

Ndërkohë programi artistik i këtij grupi do të rrisillte me mjaft talent në kujtesën e spektatorëve motivet e motrës së martuar larg, besën e Kostandinit që nuk e treti as dheu, largimin e arbërve nga Atdheu mes tisit të natës dhe detit të trazuar etj. Një prej elementëve më të spikatur të grupit do të ishin edhe veshjet e tyre popullore tradicionale plot ngjyra dhe hijeshi. “Në zonën e Bazilikatës dhe Kalabrisë ku është i përqendruar komuniteti arbëresh nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore ne përpiqemi të mbajmë gjallë gjuhën, këngën, vallet, ritet dhe traditat e të parëve”, thotë Antonia Gatabajo. Aktualisht në komunitetin arbëresh ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë shoqatash kulturore, të cilat kanë një program të dendur organizimesh për ruajtjen dhe promovimin e traditave të të parëve. Ndërsa pas përfundimit të koncertit zbresin shkallët e gurta të skenës, të rinjtë arbëresh përshëndesin turmën dhe urojnë njëzëri që të kthen sërish në Kalanë e festivaleve për të vallëzuar dhe kënduar shqip ashtu si të parët e tyre në Morenë e largët matanë Adriatikut.

PORTRET- FFK 2009

Lefter Çipa, labi që nuk pranon

kurrë të martojë polifoninë

GJIROKASTËR - Poeti dhe rapsodi Lefter Çipa, pjesëmarrës në të nëntë festivalet folklorike të Gjirokastrës, e gjen në të gjitha pikat e qytetit të gurtë ku ka artistë të veshur të folklorit me kostumet popullore. Pas shfaqjes së grupit përfaqësues të qarkut të Vlorës, Lefteri duket disi më i çliruar dhe më i përqendruar në ndjekje të zinxhirit të gjatë të koncerteve në skenën e festivalit.

Shpirti i tij krijuar brenda shtatit të tij të imët ushqehet minutë pas minute nga "mjalti" i hojeve që pikon… në hapësirat plot tinguj dhe ngjyra që kanë pushtuar hapësirën e qytetit të Gjirokastrës. Ai ndjek me përqendrim maksimal çdo këngë, çdo tinguj, çdo zë që përhapet nga skena. Por, natyrisht zemra e tij ka rrahur, rreh dhe do të rrahë për polifoninë labe.

Ky ideator dhe themelues i një grupi polifonik me famë ndërkombëtare, siç është Grupi i Pilurit nga Himara, ky "përrua" i pashtershëm i vargut dhe këngës, që ka mbajtur gjallë e ka ushqyer me mjaltin e fjalës grupin polifonik që e nisi fluturimin e tij me këngën lirike "Bejk e bardhë, e borë e malit, ti je ilaçi i çobanit", ky poet dhe rapsod që ka rënë në dashuri me polifoninë qysh në vogëli dhe që kjo sevda nuk i ndahet as tani që mosha e tij sillet rreth të 70-ve.

"Polifonia është një virgjëreshë që kurrë nuk pranon burrë. Kanë dalë ca tani që duan ta martojnë, por nuk e martojnë dot qerateshën. Polifonia mbetet e lartë si Sahati i Gjirokastrës, që qëndron hije rëndë atje përmbi kala dhe nga qesëndisë të tërëve", thotë Lefteri.

Festivalet folklorike janë për Lefterin stacione në rrugëtimin e tij të gjatë, ku ai ndalet dhe mediton gjatë. “Kënga, thotë ky burrë i sertë, nuk duhet të sforcohet. Ajo duhej të rrjedhë e qetë, natyrshëm si ujë të burimit. Këngës mos i shko mbrapa, këngën mos e picko, kënga dhe sidomos polifonia ka peshë, ajo e ngre kalanë e Gjirokastrës mbi supe”. Në gjykimin e këtij "princi" të folklorit, festivalin e sivjetmë është i plotë dhe plotëson kërkesat e tij. "Ku u nisa për në Gjirokastër, ndihesha i trishtuar. Kisha një ngërç. Më dukej sikur po e humbnin këto stacione të folklorit, ku artistët qëndrojnë për të provuar veten. Por jo! Festivali i sivjetëm dëshmoi se shpirti i popullit ka një veti dhe një fuqi të vërtetë që të bind se kurrë nuk do ta braktisë kulturën e vet shpirtërore", arsyeton Lefteri.

Sipas tij, sa më të vuajtur të jenë njerëzit, aq më të bukur e duan jetën e tyre. Sa më të stresuar, aq më shpërthyer janë në këngët dhe ligjërimet e tyre. "Erdha pak i trishtuar, por do iki entuziast nga Gjirokastra, sepse këtu i gjeta të tri brezat e popullit tim, në këngë dhe në valle. Nëse ne arrijmë të përcjellim vlerat që na falën brezat e mëparshëm dhe vlerat që krijuam vet,nga ne tek brezi pasardhës, atëherë ne kemi bërë shumë. Gëzohem ku nga festivali marr mesazhe dhe dëshmi të kalimit të stafetës nga një brez në tjetrin", shprehet Lefter Çipa.

Në orët e para të mëngjesit, ishte komisioner në festival

Ndërron jetë, muzikologu Xhihan Xhihani

GJIROKASTËR - Përgjegjësi i sektorit të muzikës, përfaqësues i qarkut të Tiranës, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, në mjediset e spitalin civil rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës. Drejtuesit e Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009, u shprehët se “Xhihan Xhihani, 67 vjeç, banues në qytetin e Tiranës, është shtruar urgjentisht në spitalin e qytetit të Gjirokastrës, rreth orës 03.00 të ditës së sotme, për shkak të problemeve shëndetësore, pasi ai vuante prej vitesh nga diabeti. Përgjegjësi i muzikës ishte përfaqësuesi organizativ i qarkut të Tiranës, për festivalin, por fatkeqësisht ai u nda nga jeta në mënyrë të papritur.

Burime zyrtare nga spitali civil rajonal “Omer Nishani”, pohuan se “67- vjeçari është paraqitur në urgjencën e qytetit, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pas analizave ai ka rezultuar më përqindje të lartë të sheqerit, sëmundje kjo që fatkeqësisht i mori jetën”. Muzikologu Xhihan Xhahani, një vit më parë ishte përzgjedhur me vendim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si komisioner në përgatitjen e Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009.

Gjatë kësaj periudhe ai së bashku me 20 specialistë të tjerë të fushave të ndryshme kanë përzgjedhur në çdo qark repertorin më të pasur folklorik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›