E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoku i moçëm me lahutë

Dje në skenën e Festivalit të Gjirokastrës, lahutari nga Lezha. Ndërpritet për pak programi, humbet jetën muzikologu Xhihan Xhihani


Skena e kalasë së Gjirokastrës mbante dje mbi sup një monument të gjallë të folklorit shqiptar.


Eposi i Kreshnikëve erdhi në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar nga artisti më i vjetër i këtij edicioni, lahutari nga Lezha, Gjok Nonaj, i cili mban gati 1 shekull mbi supe.


Gjatë 80 viteve (të fundit) nuk është ndarë nga lahuta dhe këngët e kreshnikëve, prej të cilave nuk di pak dhe deklaron se do t'i këndojë deri sa të ketë frymë. "Kam filluar të këndoj qysh kur kam qenë 20 vjeç dhe nuk kam ndaluar asnjëherë. Kjo është hera e dytë që vij në Festivalin Folklorik.


Kam qenë në shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit, po më mirë se shtëpia jote nuk të bëhet askund, thotë një fjalë dhe më mirë se këtu nuk ndihem në asnjë vend.


Këngët e Kreshnikëve janë më të dashurat dhe i këndoj të gjitha, këngët e Mujit, Halilit, Gjergj Elez Alisë", - shprehet lahutari i moçëm. Janë gjithsej 7 anëtarë në familjen Nonaj që aktualisht këndojnë me lahutë dhe Gjoku vjen në këtë festival së bashku me mbesën e vet, edhe ajo lahutare.


Ai rrëfen se të gjithë paraardhësit e tij kanë kënduar me lahutë Këngët e Kreshnikëve dhe kjo traditë e çmuar është përcjellë brez pas brezi gjatë shekujve.


Lahuta me të cilën këndon është 200-vjeçare dhe thotë se nuk e ndërron me asgjë. "Janë 200 vjet që kjo lahutë jeton, e kishin të parët e mi, tash e kam unë e më pas kur të mos jem më, do ta marrin pasardhësit e mi.


Ka qenë në shumë festa, gëzime, ka marrë pjesë edhe në shumë festivale kjo lahutë, të cilën nuk e jap as për arin e gjithë botës. Ky është folklori, kjo është tradita", - shprehet më tej Nonaj.


Si një kreshnik në bedenat e kalasë, 100-vjeçari nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e dhjetëra turistëve, të cilët kanë mundësi të shijojnë një pjesëz eposi nga një njeri njëshekullor.

Arbëreshët


Po dje, Balada e Kostandinit dhe Doruntinës dhe Kuvendi i Skënderbeut kanë zbritur në skenë nga grupi i arbëreshëve "Arbëria". Kanë udhëtuar prej Kalabrisë për të përshëndetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar, madje kanë krijuar edhe një këngë të posaçme falënderimi për nderin e madh që u është bërë.


"Zemrat tona gëzuar janë / se atdheun sot e pamë". Janë të gjithë të rinj dhe shprehen se e dashurojnë traditën e të parëve të tyre.


"Arbëria" quhet grupi i formuar prej artistëve nga fshatrat Fratisnë dhe Shën Kostandini dhe që në dy pjesë, për 20 minuta sollën atmosferën e Pashkëve, balada, valle të kënduara dhe dy këngët më të njohura "Moj e bukura More" dhe "Lule lule maca maca". "Këto janë rite muzikore që ruhen prej shekujsh, vallet e kënduara veçanërisht.


Në pjesën e parë do jenë të rinj e të reja që do të sjellin festën e Pashkëve, të veshur me kostumet tradicionale këndojnë nëpër rrugë... po kemi edhe gajdet karakteristike. Janë të gjithë djem e vajza të reja, që e duan shumë traditën dhe gjuhën arbëreshe", - shprehet profesor Nikola Paezano.


Shuhet Xhihan Xhihani


Aktivitet e planifikuara gjatë paradites së të dielës në kuadër të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, u ndërprenë sepse artistë, studiues, qytetarë i dhanë lamtumirën muzikologut Xhihan Xhihani.


Njëri prej organizatorëve të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, përgjegjësi i sektorit të muzikës, përfaqësues i Qarkut të Tiranës, 67-vjeçari Xhihani, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, në mjediset e spitalit civil rajonal "Omer Nishani" të Gjirokastrës, për shkak të problemeve shëndetësore.


Prej një viti ishte zgjedhur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si komisioner në përgatitjen e Festivalit. Gjatë kësaj periudhe, ai, së bashku me 20 specialistë të tjerë të fushave të ndryshme kanë përzgjedhur në çdo qark repertorin folklorik. Ishte një nga anëtarët e jurisë.


Lajmi për vdekjen e tij ka bërë që gjatë paradites të mos zhvillohet asnjë veprimtari, ndërsa në një ceremoni të veçantë në sheshin "Çerçiz Topulli" janë kryer homazhe pranë trupit pa jetë të muzikologut.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›