E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosekzekutimi i vendimeve penale, ndëshkim njerëzve të drejtësisë

28/09/2009  Qarkorja u dërgohet prokurorive dhe gjykatave. Avokati i Popullit gjeti shkelje

TIRANE- Për t’i dhënë fund problemit të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, drejtues të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe ata të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me anën e një qarkore u kanë tërhequr vëmendje prokurorëve dhe gjyqtarëve të rretheve që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të zbardhin e të ekzekutojnë në kohë rekord të gjitha vendimet e gjykatave. Në rastet e kundërta qarkorja parashikon ndëshkimin e njerëzve të drejtësisë shqiptare, që mbajnë në burg pa vendim gjykate persona të ndryshëm. Mësohet se shkak i kësaj nisme është bërë raporti i fundit që ka nxjerrë institucioni i Avokatit të Popullit, në të cilin gjykatat dhe Prokuroria kritikoheshin mjaft ashpër për mënyrën se si ato procedonin në zbardhjen e vendimeve dhe ekzekutimin e tyre. Të ndodhur në këto kushte Prokuroria dhe KLD-ja, nëpërmjet një qarkore u kanë kërkuar drejtuesve të rretheve që të marrin masa administrative për prokurorët dhe gjyqtarët, që mbajnë në qeli në mënyrë të padrejtë persona që u ka mbaruar koha e vuajtjes së dënimit. Qarkorja flet për neglizhencën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët edhe pse janë në dijeni të një rasti joligjor nuk marrin asnjë masë për zgjidhjen e tij. Veprimet antiligjore, që kanë si natyrë mosekzekutimin e vendimeve, kryhen nga të dyja palët, si nga prokurorët, ashtu edhe nga gjyqtarët. Pikënisjen ato e kanë menjëherë sapo gjykata vendos lirimin e një të dënuari, që në disa raste jepet vendimi i shkurtimit dhe në disa të tjetrë pritet zbardhja e plotë e vendimit. Në rastet kur gjykata shpall lirimin e të pandehurit me vendim shkurtimi, ka precedentë që prokurori i çështjes nuk e merr vendimin për ta ekzekutuar atë. Ndërkohë që në rastet e tjera kur me ligj i takon gjyqtarëve të zbardhin vendimin për lirimin e një të burgosuri, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për disa individë, çka ka sjellë që ata të qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në qeli, nga 2 muaj deri në 5 muaj. Për të gjitha këto shkelje, qarkorja që iu është dërguar drejtuesve të prokurorive dhe gjykatave të rretheve, parashikon ndëshkime administrative për prokurorët apo gjyqtarët që nuk marrin masa për ekzekutimin në kohë rekord të vendimeve gjyqësore. Ky fenomen është kritikuar shumë edhe nga shoqatat për të drejtat e njeriut, të cilët kanë kërkuar ndëshkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që abuzojnë me detyrën e tyre.

Rasti i Petrit Deliut

Rasti më flagrant i heqjes së lirisë të individit është ai i 32-vjeçarit Petrit Deliu nga komuna Otllakë e Beratit. Si pasojë e mosbashkëpunimit prokurori-gjykatë, Deliu qëndroi në mënyrë të padrejtë në qelitë e burgut të Kosovës për gati 5 muaj me radhë. Harresa e tij në burg u denoncua nga gazeta “Metropol”, ku pas një seri shkrimesh, babai i dy fëmijëve mundi të kapërcejë i lirë derën e qelisë së tij. Në këtë rast shkak ishte mosbardhja në kohë e vendimit nga ana e Gjykatës së Lartë, çka solli që Petrit Deliu të qëndrojë 5 muaj në qeli pa të drejtë.

Pritet analizimi i tyre nga Prokuroria

34 prokurorët e Tiranës,

oponencë kundër inspektimit

TIRANE- Pritet që së shpejti 34 prokurorët e Tiranës që u kapën me shkelje hetimore nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë të dorëzojnë në Prokurorinë e Përgjithshme pretendimet e tyre lidhur me rastet ku ata mendohet të kenë kryer shkelje ligjore. Oponenca e njerëzve të akuzës, nuk do i kalojë menjëherë për shqyrtim anëtarëve të Këshillit, por mësohet se fillimisht ato do analizohen njëherë nga prokurorët e Drejtorisë së Inspektimit, të cilët për çdo rast do të kryejnë një inspektim të ri. Ndërkohë që mësohet se pretendimet e 34 prokurorëve do i dërgohen edhe Drejtorisë së Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ky inspektim ngjalli shumë debat për objektivitetin e tij, ku zëra të ndryshëm nga prokuroria thanë se është i qëllimshëm dhe aspak realist. Mirëpo specialistë nga Ministria e Drejtësisë thonë se kontrolli i inspektimit është bërë në mënyrë transparente dhe ka treguar realisht punën hetimore që kanë kryer prokurorët e këtij dikasteri. Lënda kryesore ku janë bazuar konkluzionet e këtij kontrolli kanë qenë procedimet penale që çdo prokuror ka hetuar gjatë vitit të kaluar. Specialistët thonë se ai nuk ka pasur asnjë qëllim negativ për të diskredituar Prokurorinë e Tiranës dhe atë të Përgjithshme, por realisht ka treguar të gjitha ato shkelje ligjore që janë kryer nga njerëzit e akuzës.

Shkeljet e kryera:

Caktimi i masave të sigurisë

Ekzekutimin e vendimeve të paraburgimit

Përcaktimin e veprave penale

Pushimin e procedimeve penale

Shkelje në aspektin procedural

Lehtësimin e të pandehurve

Aksidentet në rrugët e Tiranës

Nga përplasja e makinave,

mbeten 3 të plagosur

TIRANE- Tre të plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në autostradën Tiranë-Fushë Krujë. Ngjarja rrugore ndodhi kur dy automjete tip-Benz, të cilat po udhëtonin në drejtime të kundërta janë përplasur me njëra-tjetrën. Në këtë përplasje është përfshirë edhe një furgon, drejtuesi i të cilit nuk ishte përgatitur për të bërë manovër në momentin që Benzi që udhëtonte para tij i zuri rrugën pasi u përplas. Kështu ka qenë e pamundur edhe për drejtuesin e fugonit të shmangte përplasjen. Nga përplasja e tre makinave mbetën të plagosur rëndë tre persona, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Në vendin e ngjarjes mbërritën hetuesit e aksidenteve për të zbardhur rrethanat e përplasjes. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonin automjetet. Sipas ekspertëve të policisë, automjetet ishin shumë afër njëri-tjetrit, gjë e cila nuk i ka dhënë mundësi drejtuesve të kryenin shmangien nga përplasja. Ndërkohë që një aksident tjetër ka ndodhur në mesditën e djeshme, në kryqëzimin e Unazës së Re pranë shkollës teknologjike. Një automjet Range Rover me targa të Tiranës është përplasur me një shtyllë semaforësh, por fatmirësisht nuk është dëmtuar asnjë njeri.

Letërporosia në Gjermani

40 kg heroinë, 3 gjermanët

kërkohen dhe në shtetin e tyre

TIRANË – Ndërsa janë duke u gjykuar nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda për veprën penale të trafikut të drogës në bashkëpunim, tre shtetas gjerman kanë precedent penal edhe në shtetin e tyre. Pak kohë më parë drejtësia gjermane nëpërmjet një letërporosie ka kërkuar dëshmitë e tre gjermanëve dhënë para Krimeve të Rënda. Ndërkohë që gjyqtarja Etleva Deda, e cila ka çështjen në gjykim ka dëgjuar dëshmitë e të pandehurve në prani të një përkthyesi dhe të avokatëve mbrojtës. Letërporosia ka mbërritur nëpërmjet Ministrisë së Jashtme në Ministrinë e Drejtësisë e më pas në gjykatë. Të gjitha dëshmitë do të nisen në Gjykatën Noel në Gjermani për t’u ballafaquar edhe me prova të tjera. Bëhet e ditur se shtetasit gjerman që u kapën me 40 kg drogë kanë procedim penal edhe në shtetin e tyre. Tre shtetasit gjerman u kapën si bashkëpunëtor me Zaim Tafa dhe Alban Pëllumbi në kuadër të operacionit “ Kështjella” Daniel Neglert 45 vjeç, Franz Kiacsek, 66 vjeç dhe Regina Kiacsek 63 vjeçe, janë tre shtetasit gjerman të kapur në Kakavijë. 40 kg heroinë u kapën në pikën kufitare Kakavijë në makinën që drejtohej nga dy shtetas gjerman. Kjo sasi heroine kishte si destinacion Italinë, duke kaluar nëpërmjet shtetit helen. Pas kapjes së dy shtetasve gjerman, të cilët ishin edhe personat që po e transportonin, doli edhe origjina e vërtetë e marrjes së sasisë së heroinës. A. Çuka

Humbi dy beteja në gjykatë

Ilir Kumbaro kërkon

lirinë në Gjykatën e Lartë

TIRANË – Një nga personazhet e përfolura në çështjen më të bujshme të viteve të fundit, atë të zhdukjes së Remzi Hoxhës, Ilir Kumbaro, përfundon në Gjykatën e Lartë. Pasi nuk ka mundur të jetë i lirë në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda dhe në atë të apelit, Ilir Kumbaro, pretendon ta fitojë një gjë të tillë në Gjykatën e Lartë. Në datë 17 shtator, Kumbaro nëpërmjet avokatit të tij të caktuar nga familja ka depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshimin e masës së arrestit. Dy shkallët e para nuk e pranuan kërkesën për të hequr masën e sigurimit edhe pse nga mbrojtja u tha se ajo ka humbur së bashku me vitet. Ilir Kumbaro akuzohet se së bashku me ish- drejtues të SHIK në vitin 1995 kanë organizuar rrëmbimin, torturimin e më pas zhdukjen e shtetasit shqiptaro – maqedonas, Remzi Hoxha. Pas fazës së parë të hetimeve dhe lirimit më pas nga gjykata, Ilir kumbaro largohet jashtë vendit. Vetëm disa muaj më parë ai ra në prangat e policisë së Britanisë së Madhe për llogari të shtetit tonë. Ndërkohë që figuronte me një emër kosovar, të cilin më pas e pranoi se kishte vënë për t’u fshehur drejtësisë. Kumbaro vazhdon të gjykohet në mungesë, ndërkohë që është në pritje të ekstradimit të tij nga Britania e Madhe. Apeli në dy fjali argumentoi se avokatët e Kumbaros nuk janë të legjitimuar për të kërkuar lirimin e tij nga arresti duke e përfaqësuar në gjykatë. A. Çuka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›