E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali folklorik ndërkombëtar, Mitrovicamerr cmimin e parë

VLORE-  Ansambli i Qytetit i Këngëve dhe Valleve "Rexhep Mitrovica", i Mitrovicës(Kosovë), u shpall mbrëmjen e të hënës më i miri mes grupeve pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival", që u zhvillua gjatë tre netëve në qytetin e Vlorës.

Në natën e tretë të këtij festivali u dha një koncert me pjesët më të zgjedhura nga 8 grupet pjesëmarrëse. Në përfundim, juria e Festivalit vendosi që t’i japë vlerësimin maksimal grupit nga Mitrovica(Kosovë), që vjen për herë të parë në Vlorë.

Sipas udhëheqësit artistik të këtij grupi, Haki Shkreli, "Ansambli kultivon këngën, vallen, zakonet e mirëfillta të kombit shqiptar. Ato janë tradicionale shqiptare të rrethit të Mitrovicës". Ai thotë se veshjet janë shumë llojesh, me një larmi të jashtëzakonshme të ngjyrave të ndryshme dhe ajo që është për t’u dalluar, është se ato janë origjinale dhe janë ruajtur për qindra vite.

Në përfundim të këtij aktiviteti, u zhvillua një ceremoni e veçantë ku u shpërndanë diploma vlerësimi për pjesëmarrësit, si dhe u shkëmbyen dhurata.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, që shënon edhe edicionin e tretë të tij, morën pjesë 8 grupe folklorike nga Turqia, Polonia, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Kosova, Italia, Bullgaria e Shqipëria.

Ky Festival, sipas organizatorëve, synon të sjellë në skenë folklorin burimor të vendeve të ndryshme.
(atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›