E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i 51-të në RTSH , i gjithi 'live'

Edicioni i 51-të të Festivalit të Këngës në RTSH do të mbahet në datat 20, 21 dhe 22 dhjetor. Këtë vit në të konkurrojnë 26 këngëtarë të përzgjedhur pas disa fazave konkurrimi nga një komision profesional.

Në konferencën për mediat, që u mbajt dje në Tiranë, drejtori i RTSH, Petrit Beci, u shpreh se do të jenë 13 këngëtarë natën e parë, 13 natën e dytë dhe 16 më të mirët mes tyre do të kalojnë në natën finale, raporton Gazeta Shqiptare. "Ashtu sikurse vitin që shkoi, festivali i 51-të në RTSH do të jetë i gjithi 'live', që nga orkestra e banda (60 vetë) deri tek këngëtarët që prej 10 vjetësh debutojnë 'live' në këtë festival", deklaroi Beci. Ky festival do të ketë shumë risi dhe një prej tyre është lotaria e publikut.

Natën e parë dhe natën e dytë, spektatorët që do ndjekin 'live' në Pallatin e Kongreseve festivalin tradicional të fundvitit, do të jenë pjesë e shorteut. Kontrabiletat e tyre do vendosen në një kuti dhe prezantuesit do të zgjedhin dy prej tyre përkatësisht një natën e parë dhe një të dytën. Poseduesit e biletave do të kenë mundësi që në çift të shkojnë për të ndjekur 'Eurosong', me të gjitha shpenzimet e paguara. Juria e festivalit do të ketë 7 anëtarë prej të cilëve 4 shqiptarë dhe tre të huaj.

"Ky festival përkon dhe me 40-vjetorin e festivalit të 11 në TVSH ndaj kemi menduar që t'i krijojmë një hapësirë të caktuar eventit që do të mbahet mend gjithnjë për atë që ndodhi më pas", tha Engjëll Ndocaj, bashkëskenarist i festivalit. Shpëtim Saraçi drejtori Artistik i tij, vërejti se rrymat që do të konkurrojnë në festival janë nga më të ndryshmet, duke e nisur nga baladat, rroku, etj… "Jam i kënaqur me këngëtarët e përzgjedhur. Këtë vit ne ishim të pestët në Evropë me Rona Nishliun, e cila u shpall fituese e festivalit të 50 në RTSH dhe mot ne synojmë sërish të jemi të parët në "Eurosong", me fituesin e sivjetshëm", thotë Shpëtim Saraçi. Për Floriana Garon, prezantimi i këtij festivali është një nder, sepse ky për të është eventi kulturor më i rëndësishëm në jetën artistike në vend.

Festivali i Këngës në RTSH do të mbajë firmat e drejtorit Petrit Beci, re-gjisorëve Agron Vulaj e Astrit Idrizi; skenaristëve Edi Oga e Engjëll Ndocaj; drejtorit artistik Shpëtim Saraçi, ske-nografit Adnand Kastrati, drejtorëve të fotografisë Franko Ferrari e Leonard Qendro. Ndërkaq, drejtor Zëri të tij janë Emanuele Donini e Mauro Laficara. Joni Peçi është përzgjedhur si drejtor imazhi. Festivali do të prezantohet nga gazetari Enkel Demi dhe "Miss World Albania 2011" Floriana Garo.

Këngëtarët të vendosur sipas radhës që do këndojnë në dy netë janë: Nata e parë: Selami Kolonja, Rosela Gjylbegu, Kejsi Tola, Vesa Luma, Elis Nova, Kozma Dushi, Bon bon Band, DR.Flori&Fabi, Merland Kademi, Rezarta Smaja, Ardian Bujupi, Xheni&Enxhi Kumrija, Arjela Krasniqi. Në natën e dytë interpretojnë: Arjan Dredhasi, Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko, Hersi Matmuja, LNYX, Entela Zhula, Anjeza Shahini, Kelly, Bojken Lako, Marsela Çibukaj, Valon shehu, Ani Çuedari, Grupi "Na" dhe Flaka Krelani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›