E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i Cannes: Për herë të 65’të

Me projeksionin e filmit “Moonrise Kingdom”, të regjisorit Wes Anderson, të mërkurën (sot) nis edicioni i 65’të i Festivalit të Cannes. Gjykuar sipas titujve të filmave, ky do të jetë njëri prej më të mirëve deri më tani.

Në fakt, dallimi në kualitet mes Cannes dhe festivaleve më të afërt me të duket se nuk ka qenë kurrë më i madh. Meqë Cannes dominon plotësisht tregun kinematografik duket se ai mund të përfitojë secilin film që e dëshiron, me një kusht: që i njëjti të jetë i përfunduar.

Yjet e art filmit

Në rrethana të tilla, edhe programet periferike jogaruese të festivalit duken shumë më atraktive sesa të gjitha programet që ofrohen në Berlin, Venecie apo në Karlovy Vary. Së këndejmi nuk është çudi që programi i Cannes 2012 lë përshtypjen e parakalimit të “all stars” të filmit artistik botëror.

Tre ish-fituesit

Megjithatë, sivjet në Cannes mungon Kaurismaki apo Almodovar (të cilët kishin nga një film vitin e kaluar), edhe pse në konkurrencë për Palmën e Artë këtë vit garojnë tre ish-fitues të festivalit (Abbas Kiarostami, Michael Haneke dhe Cristian Mungiu), por edhe disa autorë që rregullisht u shpërblyen në Cannes (si Ken Loach, për shembull). Natyrosht, nuk mungojnë as filmat e mirë klasikë, siç është rasti me modernistin e ‘new wave’ Alain Resnais, ose me sinonimin e ‘cinema de look’ të viteve të 80’a, Leos Carax, i cili pas plot 13 viteve vjen me një film në Cannes.

Por, ata që edicionin e sivjetmë e bënë shumë intrigues janë filmat e shumtë të regjisorëve të afirmuar, që në Cannes është njëlloj konstante. Nga ana tjetër, qysh tani dihet se një sërë autorësh të rinj – të cilët paraprakisht kanë tërhequr vëmendjen me filma tejet kualitativë – në Cannes vijnë me realizime të reja, për të vërtetuar apo edhe mposhtur statusin e tyre.

Ata që premtojnë

Kështu, australiani brilant, Andrew Dominik, (“Chopper”, “Assasination of Jesse James”) vjen me trilerin “Killing Them Softly”, me Brad Pitt në rolin kryesor. Autori i filmit të mrekullueshëm “Në Strofull”, Jeff Nichols vjen me filmin “Balta”, kult-autori meksikan, Carlos Reygadas, me realizimin e ri “Post Tenebrae Lux”, ndërsa regjisori më i suksesshëm rumun i ‘valës së re’, Cristian Mungiu (Katër Muaj, Tri Javë, e Dy Ditë), rikthehet në Cannes me filmin “Prapa Brigjeve”.

Sivjet, në konkurrencë do të jenë gjithsejtë 22 filma – në mesin e të cilëve janë edhe pesë filma amerikanë, katër francezë, dhe dy koreanë. Nga Evropa Lindore këtë vit konkurron vetëm një film; drama e Luftës së Dytë Botërore “Në Mjegull”, e ukrainasit, Sergej Loznica, ndërkohë që Evropa Juglindore përfaqësohet vetëm në programet periferike, me dy tituj. Filmi i regjisores sarajevase, Aida Begic, “Fëmijët” do të jepet në programin ‘Certain Regard’ (Njëlloj Vështrimi), që është off-programi më prestigjioz në Cannes. Nga ana tjetër, në programin ‘Java e Kritikës’ këtë vit do të jepet filmi dokumentar bullgar “Autoambulanca e Fundit në Sofje”, i regjisorit Ilijan Metev, që në fakt është një kooproduksion bullgaro-kroat.

Edhe Kosova në Cannes

Risia tjetër, sa i përket Evropës Juglindore, është se Kosova, gjegjësisht Qendra Kinematografike e Kosovës, do të ketë pavijonin e saj në ‘Marche du Film’, duke u radhitur kështu përkrah shteteve dhe organizatave tjera botërore.

Është kjo hera e parë që Qendra Kinematografike e Kosovës përfaqësohet zyrtarisht në Cannes. Krejt kjo falë nikoqirëve francezë, të cilët mundësuan që edhe Kosova të ketë pavijonin e saj përkrah pavijonit francez.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›