E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përkthesh me google

Përkthimet e librave dhe filmave në Kosovë shpeshherë bëhen shkel e shko. Disa përkthyes nuk hezitojnë edhe ta përdorin ‘google translate’, gjë që vërehet qartë në shumë filma që transmetohen nëpër televizione të ndryshme.

Edhe pse në universitetet kosovare brenda vitit diplomojnë qindra studentë të gjuhëve të huaja, prapëseprapë niveli i përkthimeve, qoftë i librave apo i filmave, mbetet për t’u dëshiruar. Kur bëhet fjalë për libra, reagimet për përkthime të dobëta janë paksa më të vogla. Ndërsa, në filmat që transmetohen nëpër televizione të ndryshme vërehen dukshëm gjurmët e ‘google translate’.

Behxhet Bici, botues i ‘Elta BC’, tregoi për Express se deri me tani shtëpia botuese e tij ka bërë botimin e mbi 50 titujve kryesisht që kryesisht janë të përkthyera nga gjuha angleze. Ai tha se vlerësimin më të mirë se a janë të përkthyera mirë apo jo e bëjnë redaktorët, me të cilët tha se bashkëpunon, por edhe vet lexuesit.

“Në fillim të punës ndoshta edhe kemi pasur ndonjë problem me ndonjë përkthim, por me kalimin e kohës tani mund të them se kemi bashkëpunim me përkthyes të nivelit të lartë”, tha Bici, i cili shtoi se një prej kritereve që do të duhej të plotësonte një libër për t’u botuar është që libri të përkthehet nga origjinali.

Ai tregoi se prej themelimit të ‘Elta BS’ se paku tri përkthime ua ka kthyer mbrapshtë përkthyesve për shkak të cilësisë së përkthimit. Madje ka pasur rast kur i është dashur ta ndërrojë përkthyesin.

Për sociologun Artan Muhaxhiri është pothuajse e pamundur të flitet për nivelin e përkthimeve të librave në Kosovë, sepse, sipas tij, kjo mjeshtri ka vite që është shndërruar në diçka margjinale dhe sporadike.

“Nuk ekziston një masë kritike e përkthimeve, e cila do ta mundësonte analizimin profesional të tyre. Fillimisht duhet ta kemi një tërësi përkthimesh bashkëkohore letrare, që pastaj të mund të flasim për kualitetin e tyre”, tha Muhaxhiri.

Sipas tij, përkthimet letrare në Kosovë janë iniciativa krejtësisht individuale. Sa i përket përkthimeve të mira, Muhaxhiri shtoi se në gishta mund të numërohen ata njerëz idealistë dhe artdashës që sakrifikojnë kohën, durimin dhe energjinë mentale për ta përkthyer një vepër letrare, e pastaj të sorollaten nga njëra zyre në tjetrën për të gjetur të holla sa për botim. Ai shtoi se ka edhe përkthyes matrapazë, të cilët e përkthejnë edhe atë që nuk kuptojnë, janë të paskrupullt dhe nuk brengosen për deformimet kuptimore dhe stilistike që ia transmetojnë lexuesit shqiptar.

Muhaxhiri theksoi se në Kosovë nuk ka strategji të botimeve që do ta ndihmonte orientimin në vazhdimësinë e përkthimeve në një fushë të caktuar.

“Mungesa e financimeve publike dhe tirazhet e vogla janë dy arsyet kryesore për këtë. Ka me qindra tituj të rëndësisë fundamentale që mungojnë në shqip, në letërsi apo në shkencë, por përkthyesit e mirëfilltë dhe shtëpitë botuese nuk kanë mundësi financiare për t’i botuar, ndërsa ata që mund t’i financojnë - nuk kanë ide dhe shije”, tha Muhaxhiri.

Gjuhëtari Gazmend Berlajolli u shpreh lidhur me këtë se po përkthehet më fort se kurrë.

“Po përkthehen lajme, programe, filma, libra, doracakë, raporte, udhëzime, ligje, memorandume, rregullore, terma reference, katalogë, mbledhje, konferenca, seminare, takime, çka vetvetiu nënkupton përfshirje të një ushtrie të tanë përkthyesish për tanë këto kërkesa”, tha ai. Çështja, sipas tij, është se vijnë përkthyes kompetencash gjithfarësoj, me përgatitje të ndryshme arsimore e gjuhësore rrjedhimisht.

E përbashkëta e shumicës së përkthimeve, me gojë e shkrim, sipas tij, është se ndër to ngulmon i njëjti problem.

“Asht kjo prirja për përkthim të fjalëpërfjalëm prej gjuhëve burimore. Tue qenë ndër këto ma e përkthyemja anglishtja, prirjet për përkthime të fjalëpërfjalshme prej saj, në leksik e strukturë qofshin, sa vijnë e bahen pjesë të natyrës së vetë shqipes. Dëshmojmë prandej, sa me i ndërmendë do shembuj, përdorime të tipit ‘do të jem i shkurtër’ (i'll be brief) për ‘nuk do ta zgjas shumë’, ose ‘në baza ditore’ (on daily basis) për ‘përditë’, ‘e gjej interesante’ (I find it interesting) për ‘më duket interesante’ ose edhe shfaqjen e përemnave e të numërorit ‘një’ (‘unë nuk jam një mjek’ për ‘nuk jam mjek’), njisi këto që prej përkthimeve po nguliten madje edhe në shqipen jo ma të përkthyeme”, tha Berlajolli.

Ndërkaq, duke folur për nivelin e përkthimeve të filmave nëpër televizionet tona, Muhaxhiri tha niveli i tyre është i ndryshueshëm.

“RTK, KTV, TV21 dhe Klan Kosova kanë nivel mesatar të përkthimit. Përkthimet e tyre në përgjithësi janë të pranueshme, por ka raste kur vërehet përkthimi i fjalëpërfjalshëm në vend të atij kontekstual, ose mospërputhja e përkthimit me ngjarjen”, tha ai.

Në anën tjetër, sipas tij, përkthimet e filmave në televizionet kabllovike, ato lokale si dhe në DVD’të pirate, janë kriminale. Ai shtoi se ato meritojnë ndëshkim maksimal ligjor për kontaminimin publik të gjuhës shqipe.

“Në një film pirat, që transmetohet në mënyrë pirate, përkthimi është bindshëm elementi më pirat. Mirëpo, pasi në Kosovë nuk funksionon shteti ligjor dhe institucionet përgjegjëse nuk e bëjnë punën e tyre, kjo praktikë është shndërruar në normalitet”, theksoi Muhaxhiri.

Për të rritur nivelin e përkthimeve, Muhaxhiri tha se duhet të rritet respekti për punën e përkthyesit, pasi që, sipas tij, në Kosovë nuk mund të jetosh si përkthyes letrar.

“Ky respekt nënkupton vlerësimin e duhur shoqëror, institucional dhe medial, si dhe kompensimin dinjitoz financiar. Për sa kohë që ata të cilët i paguajnë përkthimet nuk kanë ndjeshmëri për rëndësinë e kualitetit, Google Translate do të jetë më i dashur dhe më i rëndësishëm sesa cilido përkthyes profesional”, tha ai.

Ndërkaq, sipas Berlajollit, duhet të ketë nisma qeveritare që do ta nxitnin përkthimin cilësor nëpërmjet konkurseve, çmimeve, ose edhe aftësimeve. Edhe po të fillohet diçka në mënyrë institucionale, sipas tij, nisma ose do të nëpërkëmbej shpejt ose do të binte pre e nepotizmave, a parapëlqimeve klanore apo partiake, prej vetë faktit se do të hynin në lojë vende pune e shuma parash. Për rrjedhojë, u shpreh ai, mund ta presim një shqipe gjithnjë e më shpesh të modeluar sipas strukturës së anglishtes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›