E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Femijëve"Futbollisti i vogël" kënga fituese

SHKODER-Kënga "Futbollisti i vogël", kënduar nga Tedi Paçrami dhe Riad Bashi është fituesja e çmimit të parë në festivalin e fëmijëve që u mbajt në Shkodër. Kënga është me tekst, muzikë dhe orkestrim të Jetmir Barbullushit, dhe u vlerësua si më e mira mes 25 interpretimeve.
Nata finale e Festivalit të muzikës për Fëmijë në Shkodër ofroi shumë surpriza dhe zbuloi talente të reja të muzikës. Festivali, tashmë i kthyer në traditë, i ka fillesat e tij që nga viti 1963 dhe në vitet e fundit është kthyer në një event mbarëkombëtar. Në edicionin e 48-të, që u mbajt sërish në teatrin Migjeni, kanë marrë pjesë mbi 200 fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe diaspora. Për tri net me radhë muzika, kërcimet, humori e lojërat kanë sjellë shumë emocion mes fëmijëve dhe të pranishmëve, që kanë ndjekur këtë event të vetëm, që i kushtohet muzikës për fëmijë në Shqipëri. Edicioni i 48-të është mbajtur falë bashkëpunimit të qendrës kulturore të fëmijëve në Shkodër, shoqatës "Shpirti artistik i Shkodrës" me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Kulturës, RTSH, si dhe me mbështetjen e sponsorit "Primo Communications". Nga kjo skenë e festivaleve të këngës për fëmijë kanë dalë mjaft emra të mëdhenj muzikës shqiptare, që kanë bërë mjaft emër edhe në skenat botërore. Mjafton të kujtojmë Inva Mulën, e cila ka dalluar si një talent me zë brilant, në një nga edicionet e këtij festivali. Por, edhe Zeliha Sina, Justina Aliaj, Nikoleta Shoshi, David Tukiqi, Suzana Qatipi, Myfarete Laze, Ardit Gjebrea, Irma Libohova, Frederik Ndoci, Elida Koreshi, Parashqevi Simaku, Shirli Polena, Aurela Gaçe, Josif Gjipali, Ervin Bushati, Mariza Ikonomi, Jonida Maliqi, Rosela Gjylbegu, Dorina Garuci, Kejsi Tola. Edicioni i 48-të i këtij festivali është realizuar nën drejtimin e drejtorit të festivalit, Kujtim Alija, drejtorit artistik Roland Guli, redaktorit përgjegjës Bardhyl Hysa, regjisorit Osman Mula, skenaristes dhe drejtueses Manjola Lloja. Në tri netët e këtij festivali kanë interpretuar 25 këngëtarë të rinj. Në natën e parë janë paraqitur 17 këngë, të cilat janë interpretuar nga fëmijë që vijnë nga qytetet kryesore të vendit. 12 këngët e para ishin tërësisht të reja, ndërsa 5 janë zgjedhur nga krijimet më të mira ndër vite. Po kaq këngë janë interpretuar edhe në natën e dytë të festivalit, ndërkohë që në natën e tretë, atë të datës 21 qershor, që është edhe nata finale, në skenë u interpretuan 22 këngët e përzgjedhura, si dhe u shpallën fituesit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›