E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Këngës, 28 artistë në garë

Përgjatë katër netëve të fundit të muajit dhjetor, në skenën e Pallatit të Kongreseve do të ngjiten emra të rinj, por edhe artistë të njohur që i kanë munguar skenës shqiptare. Komisioni i Seleksionimit të Këngëve Pjesëmarrëse të Festivalit të 50-të, pasi dëgjoi këngët e paraqitura për konkurrim vendosi që në garë për çmimin e parë të jenë 28 këngë që do të interpretohen “live”.

Në garë për çmimin e madh do të jenë këngëtarët: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio La Regina, Dr.Flori, Elhaida Dani, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Gerta Mahmutaj, Herciana Matmuja, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Rudina Delia, Saimir Braho, Samanta Karavello, Sindi Berisha, Toni Mehmetaj, Xhensila Myrtezaj.

Drejtor artistik i festivalit do të jetë Shpëtim Saraçi, me bashkëpunëtorë Alfred Kaçinarin dhe Edmond Zhulalin, prej vitesh pjesëmarrës në këtë eveniment muzikor. Veç këngëtarëve që prej vitesh kanë interpretuar në festival, këtë vit marrin pjesë edhe shumë kompozitorë që kanë një aktivitet të gjatë artistik, si Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Luan Zhegu etj.

Adi Krasta dhe këngëtarja Eda Zari do të jenë moderatorët e spektaklit. Krasta rikthehet në skenën e festivalit në RTSH si prezantues, ndërkohë që për Zarin kjo do të jetë eksperienca e parë.

Festivali i këngës në RTSH zhvillohet çdo fundviti që prej vitit 1961 dhe që nga 2003-i kënga fituese ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Fituesja e edicionit të kaluar ishte Aurela Gaçe me  “Kënga ime”, e teta 8-të që shkoi në Festivalin Evropian të Këngës pas Anjeza Shahinit, Ledina Çelos, Luis Ejllit, Frederik Ndocit, Olta Bokës, Kejsi Tolës dhe Juliana Pashës.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-11-04 13:45
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›