Festivali i Orkestrave Frymore starton në Sarandë
Për të katërtin vit me radhë, në Sarandë në periudhën e sezonit turistik për të pasuruar jetën koncertore të qytetit dhe për të mbushur me muzikë kohën e lirë të pushuesve në qytetin e Sarandës dhe Himarës në këtë stinë organizatorët Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore çelën natën e parë të takimit të përvitshëm të bandave muzikore.
Sipas drejtorit të Festivalit, dirigjentit Edmond Doko Festivali i Orkestrave Frymore e ka nisjen e vet në koncertin e 28 nëntorit në vitin 1912 në ditën e krijimit të Qeverisë së Vlorës dhe është pasuar me krijimin e një sërë shoqërish atdhetare e kulturore, që nga Vatra, e deri ditëve tona. Këtu vlen të nderohen dhe përkujtohen figura të shquara si Thoma Nasi e në vijim. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, tradita e kohës së Mbretërisë u pasurua me prurjet e reja të grupeve amatore të formacioneve diletante e amatore të strukturave ushtarake partizane modeste. Pas vitit 1944 u krijua Banda e Ushtrisë me përfshirje në të të një pjese të mbetur të Bandës Mbretërore, prej 25 vjetësh që shënoi fillimin e veprimtarisë në shoqërimin muzikor të paradës së Madhe të Çlirimit më 28 nëntor 1944, kur në Tiranë hyri Qeveri e Përkohshme. Vazhdoi ky formacion muzikor profesionist nën drejtimin e të famshmit Kristaq Pambuku e me radhë si Selman Shtici, Fatmir Foci etj. Gjatë sezonit veror turistik me dhjetëra formacione vokale- instrumentale angazhohen në koncerte në të gjithë vendin, por falë iniciativës së Kryetarëve të Bashkisë së Sarandës dhe Himarës Edmond Gjoka dhe Vasil Bollano, ky festival këtë vit është më i shtrirë dhe me më shumë pjesëmarrës. Kjo vjen edhe nga shtrirja e Shoqatave të Orkestrave Frymore në rrethe e rajone të ndryshme të vendit. Në vitin e parë të organizimit ky takim mes shoqatash u organizua në rang klubi me në pjesëmarrje të ulët grupesh. Sot numri i formacioneve pjesëmarrëse ka arritur në 12 shoqëri pjesëmarrëse, duke mos përfshirë shoqatat simotra nga Athina, Lefkadha , Igumenica, Korfuzi etj. Nata e parë , u celebrua me koncertet e Orkestrës Frymore të Korçës e pasuar me Kuintetin Çesk Zadeja për tu mbyllur nata e parë me Fanfarën e Tiranës. Çelja e festivalit u bë në mbrëmjen joniane të Sarandës nga Presidenti i OFF Edmond Gjoka me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, që ndodhen në Sarandë për pushime. Nga organizatorët është menduar që festivali të vazhdojë deri në mbrëmjen e 11 korrikut, ku do të jepen shfaqje në dy skena në qytete të ndryshme, si në Sarandë e Himarë. Sot festivali do të ndiqet në të njëjtën kohë edhe në Sarandë edhe në Himarë. Pjesëmarrëse në Festivalin e Orkestrave Frymore janë: Orkestrat Frymore të Vlorës, Igumenicës, Ranfara e Tiranës , Orkestra Frymore e Lefkadhës , Greqi, OF e Sarandës, Tirana Kuintet ,OF e Shkodrës, e Fierit, Trio e Fagotave Emerson, Kuarteti i trompave dhe Tirana Neë Band. Juria e Festivalit ë Orkestrave Frymore që ka nisur në Sarandë do të vlerësohet nga një juri profesionistësh e kryesuar nga Artisti i Merituar Thoma Gaqi.