E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i RTSH-se si zgjatim i studiove muzikore

Opinion Sukses, sigurisht jo. Dështim?

Përcjellja e festivalit të fundvitit në RTSH është një “zakon” për mua e shumë të tjerë. Si artist më intereson të shohë tendencat muzikore, çfarë të reja në krijimtari apo interpretim sjell ky festival, por edhe si një dëgjues e shikues në të njëjtën kohë të argëtohem, të përjetoj kënaqësinë e veçantë që vetëm kënga dhuron. Kjo për shkak të aftësive që kjo gjini artistike ka: perceptohet e përjetohet lehtë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Festivali në RTSH konsiderohet pjesë e rëndësishme e traditës së këngës së lehtë shqiptare, kështu që nga festivali publiku pret gjithmonë me shumë. Në këtë kuptim “sipërmarrja” e festivalit është e vështirë. Është një sfidë në shumë aspekte dhe dështimi është shumë pranë me suksesin. Nuk është fjala të themi se janë pritur gjëra të mëdha nga festivali, por e thënë kuptueshëm, publiku pret thjesht këngë përfaqësuese në identitet e krijimtari, të interpretuara me nivel të lartë artistik, të përcjella në imazhe estetike bashkëkohore. Por, për fat të keq, këto pretendime të publikut, ndër vite dhe në këtë festival nuk janë plotësuar. Kënga dhe vetë festivali është kthyer në një shfaqje “butaforike” të një shou imazhi (figure) dhe pastaj në një skenë vlerash, dhe ato të diskutueshme muzikore, poetike apo interpretative. Me gjithë përpjekjet, në rastet e suksesshme, arritjet e viteve të fundit, ashtu dhe në këtë festival, mbeten të pamjaftueshme për të kënaqur nivelin në rritje të kërkesës së publikut për performancë cilësore. Problematika e analizës së festivalit të fundvitit është e gjerë, e madhe, e rëndësishme për “fatet” e këngës dhe që duhet të shqetësojë seriozisht të gjithë, krijues apo interpretë, producentë, këshilla drejtues, apo drejtori që administrativisht menaxhojnë festivalet.

Larg poezisë së jetës

Festivali i Këngës në RTSH nuk ka më monopolin e përfaqësimit të këngës së lehtë shqiptare dhe kjo duhet pranuar së fundmi dhe nga organizatorët e tij. Këto vite kënga e lehtë, tendencat e saj më të mira i ka pasur jashtë skenës së njohur të festivalit të RTSH-së. Po mjaftohem me kaq në këtë konstatim se nuk dua të bëhem palë konkurrence, megjithëse besoj se kënga nuk ka keq nga konkurrenca. Meqenëse Festivali i RTSH-së ka dhe peshën e historisë, pretendimi ndaj tij natyrshëm është i madh. Duhet pranuar, që kënga shqiptare është akoma në kërkim të identitetit të saj. Po të analizojmë pjesën e krijimtarisë, do të thosha se veç krijimtarisë së ndonjë autori të njohur, pjesa tjetër lë për të dëshiruar. Kënga e lehtë vuan “largësinë” e saj me poezinë e vërtetë, poezinë e traditës, problematikën e jetës dhe rëndom ka tekste që janë të nivelit ordiner. Kanë një lloj “orientimi” apo “auto-orientimi” në lidhje me tematikën. Kjo dukuri vihet re  sidomos në festivalet e RTSH-së, si dikur para  viteve ’90. Kjo ndodh, si për shkak të kritereve përzgjedhëse që mjaftohen vetëm të kërkojnë e zgjedhin të ndryshmen nga pikëpamja tematike, dhe jo të veçantën në cilësinë poetike, pavarësisht nga tematika, kriter aspak profesional, ashtu dhe për shkak frymëzimesh të pamjaftueshme autorësh, qofshin këta kompozitorë apo poetë, që shpesh e fillojnë këngën për “dashurinë” dhe e përfundojnë për “demokracinë” e anasjelltas.

Orkestër apo dekor?!

Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë këngëtarë të mirë në festivale, kjo për meritë të zërit të tyre në radhë të parë. Problemi qëndron te niveli i interpretimit live i tyre, në tërë kuptimin që ka ky interpretim i vërtetë. Suksesi i një kënge, varet nga ndërthurja e krijimtarisë së mirë, me një orkestrim po kaq të mirë, me shoqërim e drejtim orkestral mjeshtëror e të vërtetë (jo më sikur) si dhe sigurisht një interpretim profesional nga këngëtarë që këndojnë me ndjenjë e emocion të vërtetë e jo të shtirur. Në mungesë të këtij raporti vlerash, asnjë lloj drite apo imazhi, skene apo truku skenik, nuk mund të ndihmojë e sigurojë suksesin. Nga ana tjetër dhe gjykimet do të jenë me rezerva e kritike. Prej vitesh festivali është bërë një zgjatim i studiove muzikore. Shoqërimi orkestral (zbehet fjalë për interpretim) është një butafori, ka humbur vërtetësia dhe emocioni i tingëllimit orkestral. Mbas viteve ‘90, orkestra e festivalit u kthye në dekor të tij. Kjo formë “u përqafua” nga drejtuesit e atëhershëm artistik e administrativ dhe u publikua edhe si arritje, një arritje si fitorja e Pirros. Dëmet e kësaj arritjeje të trumbetuar si e tillë po paguhen edhe sot. Playback praktikohet në botë, por jo në evenimente serioze muzikore e për më tepër konkurruese, siç është festivali i fundvitit në RTSH. Në festival ndoqëm gjysmën e orkestrës që i vjen pas “avazit” bazës orkestrale të këngës së punuar enkas nga studiot X, që në fakt, ato konkurrojnë me “tingëllim teknologjik” njëra-tjetrën në festival. Gjysma tjetër e orkestrës ishte vendosur si figurante në të djathtë të skenës, 15m larg pjesës së majtë të orkestrës. Me siguri “të djathtët” do të paguhen më pak nga “të majtët”, të cilët u lodhën më shumë se “tërhoqën” harqet mbi tela pa pushim. Dhëntë Zoti nuk janë ndarë dhe kolegët e mi të nderuar në “të majtë” e në “të djathtë”, por janë ndarë thjesht në funksion të një dekori pa sens. E gjitha kjo tregon që investimi i drejtuesve të festivalit, si gjithmonë këto vite, është një investim në radhë të parë në imazh dhe jo në krijimtari dhe interpretim. Për sa kohë që organizatorët do t’i harxhojnë paratë më shumë, (sipas gojëve të liga... shumë... zhurmë...) jo për krijimtarinë e stimulimin e saj, interpretimin live në të tërë komponentët e tij, për të drejtën e autorit, por për imazh e butafori, skenë e foni, festivali apo festivalet do të zbehin rolin e tyre në dobi të këngës shqiptare e në dobi të publikut. Kur të shpërblehet si duhet krijimtaria artistike, interpretimi,  orkestracionet dhe interpretimet e vërteta, drejtimi mjeshtëror, e drejta e autorit, vetëm atëherë publiku do të presë novacione, konkurrencë e nivel të lartë artistik. Dhe atëherë mjeshtri dhe miku im, Gjipali, nuk do të ngurrojë të shpalosë mjeshtërinë e vërtetë e të njohur të tij në skenën e festivalit, pa u tunduar nga playback, ai s’ka nevojë për të, por nga kontrata dinjitoze, që ai dhe shumë artistë të njohur të vokalit shqiptar meritojnë. Festivali është një institucion publik dhe ka peshë të madhe historike në rrugëtimin e këngës shqiptare. Kur thelbi i festivalit, që është krijimtaria muziko-letrare apo interpretimi me nivel,  për drejtuesit e RTSH do të mbetet thjesht një aspekt i tij, Festivali i Këngës në RTSH nuk do të ketë atë rol domethënës, që ka pasur në rrugëtimin e këngës së lehtë shqiptare.

Eurovizioni “monopol”

Sa i takon përfaqësimit në “Eurovizion” tashmë ai është një formalitet, duke qenë se kënga fituese e festivalit të RTSH-së është e paracaktuar që të shkojë në Festivalin Europian. Për mua është në thelb e padrejtë. Tashmë Festivali në RTSH nuk është më i vetmi aktivitet i këngës shqiptare. Për mua do të ishte më e udhës, që të zgjidhej një këngë shqiptare, që do të dilte nga një përzgjedhje dhe seleksionim më i gjerë sesa festivali i RTSH-së. Një përzgjedhje e tillë do të ishte më përfaqësuesja nga e gjithë krijimtaria e vitit. Por kjo përzgjedhje është e “monopolizuar” prej vitesh nga RTSH. Nga ana tjetër, praktikat e përzgjedhjeve në shtete të ndryshme nuk janë të njëjta. Sigurisht, çka më sipër shkruaj, në asnjë rast nuk nënkupton se kënga fituese nuk është e bukur. Përkundrazi, por a mjafton një lule për të thënë se erdhi pranvera?

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›