E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja pret vetem OK-in e Sulajt per te veshur tutat e trajnerit

Dinamo Argjentinasi Blanko, sot negociatat e fundit për të marrë paratë e prapambetura dhe lamtumirë

Luis Manuel Blanko i qëndron Dinamos ende “nëpër këmbë”. Tekniku argjentinas tashmë konsiderohet si i divorcuar me kampionët e Shqipërisë, me motivacionin për rezultate të dobëta në gjysmën e parë të sezonit 2010-2011. Por e vetmja çështja që e mban ende të lidhur më blutë është vonesa e likuidimit të parave të prapambetura. Negociatat e shumta të ditëve të fundit nuk kanë mundësuar asnjë zgjidhje për teknikun, i cili e mori me shumë bujë vendin e lënë bosh nga Shkëlqim Muça, por dështoi si në Champions League ashtu edhe kampionat. Kjo është e vetmja gjë qe e mban nga e premtja e kaluar e deri më tani në Tiranë, edhe pse ai do të kishte dashur që Krishtlindjet t’i kalonte pranë familjes së tij në Argjentinë. Megjithatë, të gjithë pohojnë se dita e sotme do të jetë vendimtare për sa u përket tratativave për të zgjidhur problemin financiar, i cili po pengon trajnerin thuajse të shkarkuar zyrtarisht të marrë biletën pa kthim të avionit. Nëse mbyllet gjithçka sot, Blanko, do të prenontojë për nesër fluturimin në drejtim të vendlindjes. Ndërsa është ende e “pazgjidhur” çështja “Blanko”, drejtuesit e klubit dinamovit nuk preferojnë të flasin fare për kandidatët për stolin. Zëvendëspresidenti Avni Braçe, thekson se “vetëm sot do të sqarohet e gjithë situata, ku edhe do të mësohet se cilat do të jenë lëvizjet e klubit në lidhje me të ardhmen”. Megjithatë, nga burime pranë klubit kampion në fuqi të Shqipërisë theksojnë se “çështja e trajnerit tashmë është zgjidhur përfundimisht. Ai do të jetë Ilir Daja”. Daja aktualisht në postin e drejtorit teknik dhe të Akademisë së Dinamos nuk preferon të bëjë asgjë publike. I njohur si një tip korrekt, ai nuk flet asnjëherë para kohe. “Nuk di asgjë, është shprehur së fundmi Daja, i cili ka fituar dy tituj kampion si trajner, një me Elbasanin dhe një me Dinamon. Mua nuk më ka thënë askush asgjë”. Ndërsa burime pranë tij pranojnë sinjalet nga drejtuesit e klubit, të cilët e kanë urdhëruar të bëjë një plan stërvitor për ekipin për fazën përgatitore në Antalia, ndërsa tani është vetëm në pritje të “OK”-it nga Presidenca për të veshur tutat e trajnerit dinamovit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›