Festivali i rrudhur i RTSH-së
Edicionin i 47-të i Festivalit të Këngës së Lehtë në RTSH këtë vit redukton numrin e këngëtarëve konkurrues. Vetëm 20 këngëtarë do të këndojnë në tre net. Organizatorët e kanë argumentuar se kështu do ta perceptojnë më mirë këngën fituese, që do të na çojë në Eurovizion. Elsa Lila sërish prezantuese, ndërsa partnerët do të jenë dy djemtë që “braktisën” “Portokallinë”, Julian Deda dhe Gentian Zenelaj
Festivali i rrudhur i RTSH-së
Për herë të parë, historia e 47 viteve të festivalit të Radio Televizionit Shqiptar njeh numrin më të kufizuar të këngëtarëve që do të konkurrojnë. Vetëm 20 këngëtarë do të jenë pjesëmarrës në këtë edicion, të selektuar në mesin e rreth 72 pretenduesve, ndërkohë që në vitet e tjera kanë konkurruar mbi 50 këngëtarë.
“Në edicionin e 47-të të RTSH-së është menduar zbatimi i një formule të re, e cila parashikon një tjetër lloj aplikimi të konkurrentëve. Janë vetëm 20 këngëtarë, ata që do të kalojnë në natën e parë, të dytë dhe të tretë të konkurrimit”, - është shprehur drejtori i RTSH-së, Petrit Beci gjatë një konference për shtyp. Formula e re sipas organizatorëve ka ardhur si pasojë e dy arsyeve. “Formula e re e praktikuar parashikon që veç jurisë, kësaj herë do të jetë edhe teleshikuesi ai që do të vendosë për fatin e këngës fituese, ku sipas traditës do të ketë edhe përgjegjësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong”, - thotë Beci. “Por kjo taktikë, - shton ai, - i jep më tepër kohë dhe mundësi shikuesit për t’i perceptuar sa më mirë këngët. Në tre net më radhë do të jenë të njëjtat këngë ato që do të debutojnë prurjet e tyre”. Sipas drejtorit të RTSH-së, këtë vit vota e publikut do të zërë një vend të rëndësishëm, pasi do të ndikojë rreth 25 për qind në verdiktin të shtatë anëtarëve të jurisë ende të papërcaktuar. Ai tregon më tej se faza përgatitore e këtij aktiviteti gjendet në hapat e fundit të saj, edhe pse vetëm pak ditë na ndajnë nga festivali i traditës. Na bën të ditur gjithashtu, se në mekanizmin e përzgjedhjes së këngëve, ashtu si edhe në vitet e kaluara, për skenën shqiptare janë rezervuar emra të njohur, por një vëmendje më të theksuar u janë kushtuar edhe zërave të rinj. “Ky edicion do të karakterizohet nga një kolor këngësh. Jemi përpjekur që të sjellim një larmi ngjyrash muzikore për të zgjeruar edhe më shumë këtë të fundit. Autorët që janë përzgjedhur për të kënduar në tre net me radhë do të jenë emra të njohur të këngës shqiptare, por nuk janë lënë mënjanë edhe këngëtarët e rinj, ku mes tyre ka nga ata që shkelin për herë të parë skenën e festivalit”, - thotë drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar. Me të njëjtin mendim është bashkuar edhe drejtori artistik i festivalit të 47-të për këtë vit, Pirro Çako, i cili pohon se “prurjet e këtij viti më duken shumë interesante”. Ai tregon po ashtu se “në përzgjedhjen e 20 konkurrentëve në festival dallohet mbizotërimi i kolorit të veçantë të muzikës së lehtë shqiptare”. Çako vijon edhe me përshtypjen e tij lidhur me këngëtarët e rinj, për të cilët mendon se dora selektuese ka bërë zgjedhjen e më të afirmuarve. Muzika “live” do të jetë e pranishme vetëm për dy net, atë të parë dhe të tretë, pikërisht gjatë kohës kur do të prezantohen prodhimet muzikore, apo në natën finale. Sipas drejtorit artistik, Pirro Çako, nata e dytë do të jetë pak më ndryshe sa i përket teknikës së këngëve. “Nata e dytë do të jetë vetëm për qejfin tonë. Këngët gjatë kësaj nate nuk do të jenë të prezantohen “live”, por me playback”, - thekson ai.
Organizuesit e këtij festivali kanë prezantuar dhe pjesën e spektaklit që do të ketë festivali. Të ftuarit do të ruhen si qershia mbi tortë në momentet e fundit, për të cilët organizatorët nuk kanë thënë asnjë fjalë se kush do të jenë ata. Janë mjaftuar vetëm të pohojnë se do të jenë njerëz të rëndësishëm të artit, të cilët do të përcjellin këngë përshëndetëse. U theksua se drejtuesit e tre netëve konkurruese kësaj herë do t’i shtojnë edhe pak nota humoristike, me qëllim që të çlirohen nga motivet e përvitshme klasike. Për të dytin vit sërish i besohet prezantimit të këngëtares Elsa Lila, e cila si partner do të ketë pjesëtarët e grupit SHBLSH, Julian Deda dhe Gentjan Zeneli. Ndërkohë që stafi realizues i edicionit të 47-të i është besuar regjisorit Pali Kuke, me drejtor artistik Pirro Çako, Zamira Kolecit si drejtoreshë etj., ku kanë shfrytëzuar një buxhet prej 227 milionë lekësh të vjetra në organizmin e tij. Sipas drejtorit të RTSH-së, Beci, fondit mbështetës krahasimisht me vitin e kaluar i është shtuar vetëm shuma prej katër milionë lekësh, si shkak i zgjerimit të skenografisë së Pallatit të Kongreseve, pikërisht aty ku do të organizohet edhe finalizimi i aktivitetit. Pothuajse gjithçka ka marrë formë dhe pritet që hapja e edicionit do të jetë më datë 19 deri më 21 dhjetor.
Elsa Lila lë Pali Kuken për djemtë e “Portokallisë”
Edhe Elsa Lila ka braktisur, por dhe dy djemtë Julian Deda dhe Gentian Zenelaj kanë braktisur “Portokallinë”. Që të tre do të bashkohen në prezantimin e Festivalit të 47-të të Këngës në RTSH. Elsa Lila ka dhënë dorëheqjen nga një spektakël që po projektonte Pali Kuke, por që kanë mbetur mister arsyet e lënies së kësaj ideje në mes të rrugës, që prej kohësh mblidheshin kokë më kokë në mjediset e RTSH-së.
“Vitin e kaluar jam përshtatur me karakterin e Pirros, ndërkohë që kësaj here më duhet të përshtatem me dy partnerë, të cilët kanë një tjetër temperament. Besoj se me këtë rast do të dalë edhe ana ime komike dhe aktoreske në skenë. Kam përgatitur shumë materiale artistike me djemtë e SHBLSH-ave dhe besoj se do të zbavitemi shumë”, - ka thënë Elsa, ndërsa kërkon të zbulojë territore të reja të temperamentit të saj.
Ndërsa dy djemtë e “Portokallisë”, për motive që tashmë dihen, se ata po ngrenë një spektakël të ngjashëm në TV Klan¸ prezantimi i festivalit të RTSH është eksperienca e parë. “Kjo është ide e mirë dhe më duket shumë interesante që unë, bashkë me Gentin të jemi partnerët e Elsës si prezantuesit e festivalit për këtë vit. Është një eksperiencë e re për mua. Më vjen mirë që në një edicion të tillë serioz, do të ketë një frymë të re, e cila do të shoqërohet me doza të shumta humori, për të dalë pak nga barriera klasike”, - thotë Juliani.
Këngëtarët që do të konkurrojnë
Adelina Thaçi
Agim Poshka
Besa Kokëdhima
Bledi Polena
“Burn”
Dorina Garuci
Endri & Stefi Prifti
Era Rusi
Erga Halilaj
Evis Mula
Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli
Julian Lekocaj
Kejsi Tola
Kujtim Prodani
Marjeta Billo
Rovena Dilo dhe Eugent Bushpepa
Shpat Kasapi
Soni Malaj
Vedat Ademi
“West Side Family”