E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni në nëntor arrin në 2.6 për qind

Çmimet në muajin nëntor duket se nuk kanë ruajtur një ekuilibër të njëjtë me ato të muajit të kaluar, kjo gjë ka krijuar luhatje të mëdha. Madje, disa prej tyre kanë pësuar ulje për produkte të veçanta. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin nëntor 2008, arriti 101.26 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin nëntor është 2.6 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.5 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 3.3 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecëve me mbi 50 për qind, patëllxhanëve me 49.2 për qind, specave me 39.1 për qind etj. Çmimet e disa zarzavateve të tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji si spinaqi 16.8 për qind, sallata jeshile 11.8 për qind, lulelakra 25.8 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje prej 3.8 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të portokalleve me 14.6 për qind, kivit me 11.5 për qind, mandarinave me 9.2 për qind, limonëve me 4.8 për qind, mollëve me 4.3 për qind etj. Gjatë muajit nëntor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “peshk” 1.6 për qind, “mish” 0.3 për qind etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.6 për qind, me një ndikim prej 0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u ul me 0.3 për qind. Indeksi i grupit “transport” shënoi një ulje prej 2.5 për qind, gjatë muajit tetor çmimi i naftës shënoi një ulje prej 9.0 për qind, dhe çmimi i benzinës një ulje prej 9.5 për qind.

Bode: Taksapaguesit duhet të dinë ku përfundojnë paratë e tyre

Ministria e Financave, në bashkëpunim me Delegacionin e Komisionit Evropian, Zyrën Kombëtare të Auditit në Angli dhe Ministrinë e Financave të Polonisë, organizuan dje në hotel “Rogner” ceremoninë dhe seminarin e hapjes së projektit të dytë të binjakëzimit për Zhvillimin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, (PIFC II). Në ceremoni morën pjesë Ambasadori i Delegacionit të KE–së në Tiranë, z. Helmuth Lohan, ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë, z. Genc Ruli, zëvendësministrat e ministrive të linjës, zv.ministri i Financave të Polonisë, z. Dainsz Daniluk dhe zyrtarë të Ministrisë së Financave të Shqipërisë. Zv.ministri Shehu vlerësoi ecurinë e projektit të parë të binjakëzimit dhe theksoi se "në tërësi ky projekt synon krijimin e një kuadri ligjor, rregullues dhe të praktikave menaxheriale që garantojnë përdorimin me eficencë, efiktivitet, ekonomi dhe transparencë të parave të taksapaguesve". Projekti u përshëndet dhe nga ambasadori Lohan dhe ministri Bode. Seminari vijoi me prezantimet e përfaqësuesve të Auditit Kombëtar të Anglisë dhe Ministrisë së Financave të Polonisë që do të udhëheqin zbatimin e projektit të dytë të binjakëzimit PIFC II. “Taksapaguesit kërkojnë përgjegjshmëri më të lartë dhe kanë nevojë të dinë se “si dhe ku” janë shpenzuar paratë e tyre. Këto kërkesa janë të arsyeshme dhe është shumë e rëndësishme për Ministrinë e Financave t’u japë përgjigje atyre”, - tha ministri Bode. Ministri Bode theksoi se Ministria e Financave është totalisht e angazhuar për kryerjen e reformave në fushën e Zhvillimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik dhe me asistencën e Bashkimit Evropian, gjatë periudhës 2005–2008 ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për forcimin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik. Ai tha se produktet më të rëndësishme që janë realizuar në këtë periudhë janë ligji për Auditimin e Brendshëm, manuali për auditimin e brendshëm dhe ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”. Bazuar në këto ligje dhe rregullore është ristrukturuar shërbimi i auditit të brendshëm dhe forcuar pavarësia e tij, si dhe janë krijuar dy qendra të harmonizimit të legjislacionit financiar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit të Brendshëm. Këto dy qendra kanë përgjegjësinë për të siguruar vendosjen e parimeve dhe standardeve kryesore të Menaxhimit Financiar dhe në Kontrollin Publik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›