E Martë, 3 Nëntor 2026

Festivali teatror për të rinj – Vijojnë audicionet në shkollat e mesme të Shkodrës

Për të gjashtin edicion, teatri “Migjeni” do të vazhdojë të organizojë Festivalin Teatror për të Rinj “Youth Theatre” me pjesëmarrjen e shkollave të mesme publike dhe jopublike të qytetit dhe njësive administrative të tij.

Këtë vit do të jenë pjesëmarrëse 9 shkolla të mesme ndërsa audicionet kanë nisur prej ditësh.

“Është një moment i bukur, por dhe i brishtë pasi mundohemi të përzgjedhim talente. Është dhe një punë pedagogjike, duhet të kemi kujdes se është një kohë e shkurtër”, tha aktori Vladimir Doda.

Zhvillimi i këtij festivali është një mundësi e mirë për të afruar të rinjtë me teatrit ndërsa për këtë të fundit për të zbuluar elementë të spikatur.

“Do të kemi aktor të rinj, të rinj të talentuar që do merren me teatër”, u shpreh aktorja Merita Smaja.

Shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” është njëra nga pjesëmarrëset e këtij edicioni. Ajo rikthehet pas dy vitesh si e tillë.

“Nuk është hera e parë që marrim pjesë në këtë aktivitet që zhvillohet nga teatri “Migjeni”. Jemi përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, shpresoj që edhe këtë vit të përfaqësohemi mirë”, u shpreh drejtoresha Merita Zeneli.

Vitin e kaluar gjimnazi “Jordan Misja” rrëmbeu çmimin e parë me dramën premierë që trajton fenomenin e dhunës në shoqëri “Riedukimi i Apolonit” i regjisorit Vladimir Doda.

RTSH

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›