E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivalomania

Pothuajse secila komunë e Kosovës e ka një festival ndërkombëtar të filmit, edhepse arti kinematografik është më së paku i zhvilluar. Për t’u bërë një film duhen dy apo tri vjet, e kur ai mbaron del për faqe të zezë.

Për nga prodhimi i filmave vendi ynë nuk mund të krahasohet me asnjë vend të rajonit. Por, për nga numri i festivaleve të filmit Kosova jo vetëm që ua kalon vendeve të Ballkanit por mund të krahasohet me secilin shtet europian. Kjo për shkak se festivalet ndërkombëtare të filmit po mbijnë si kërpudhat pas shiut në secilën komunë të Kosovës. Ato madje edhe po mbështeten financiarisht nga institucionet e Kosovës, megjithëse nuk shfaqin kurrfarë vlera. E në anën tjetër këto institucione hezitojnë të mbështesin aktivitete të fushave të tjera.

Së fundmi edhe Podujeva u bë me festival ndërkombëtar të filmit. Llapi Film Festival iu shtua një numri të madh festivalesh ndërkombëtare që çdo vit mbahen në Kosovë, edhe pse për t’u bërë një film i metrazhit të gjatë kalojnë dy apo tri vjet.

Por sa i duhen Kosovës gjithë këto festivale?

Albert Heta, udhëheqës i Qendrës për Art Bashkëkohor – Stacion, i cili deri më tani ka organizuar një numër të madh aktivitetesh që kanë të bëjnë me artin vizual, thotë se kjo tendencë i shton masë fenomenit të përkrahjes institucionale në ‘festivalizimin’ e kulturës në Kosovë, që si fenomen, sipas tij, është problematik, sepse zhvillimin e gjithëmbarshëm të kulturës dhe artit e sheh të mjaftohet në përkrahjen e ngjarjeve të shkurta spektakulare, që duket se krijohen për të zëvendësuar përkrahjen e vazhdueshme dhe substanciale për zhvillimin e gjithëmbarshëm të artit dhe kulturës.

“Çështje tjetër është që për dallim nga festivalet e krijume nga një nevojë reale e shprehun qartë nga nismëtarët e festivaleve, që sot me të vërtetë mund të quhen me kredibilitet ndërkombëtar, të tjerat duket se vijnë nga nevoja e pushteteve komunale për pjesëmarrje në ndarjen e vëmendjes mediale. Por e rëndësishme është me u theksu që këto komuna me të vërtet kanë nevojë për investim substancial në kulturë, por kjo nuk më duket të jetë mënyra e duhun për me arritë ndonjë rezultat përtej spektaklit momental”, tha Heta.

Ai shtoi se vendi ynë nuk ka nevojë për gjitha këto festivale. Heta është i mendimit se secila komunë nuk duhet të këtë profilin e njëjtë të investimit në një lëmi të artit apo kulturës apo edhe në ekonomi. Sipas tij, secila komunë duhet të ketë apo duhet të investojë të krijojë një identitet autentik të investimit të përqendruar në kulturë dhe në lëmitë e tjera me interes për zhvillimin shoqëror.

“Koha e turbo-ndërtimit të pompave të benzinës pa analizuar nevojat e ‘tregut’ duhet të kalojë”, tha ai.

Duke folur për aktivitetet që i organizon ai dhe për mbështetjen që e merr nga institucionet, Heta theksoi se deri në këtë vit niveli i përkrahjes për programin e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor nuk e tejkalon karakterin e ndihmës humanitare.

“Ne kërkojmë partneritet me këto institucione dhe jo ndihmë, sepse projektet tona i tejkalojnë kornizat e vendosuna që artin dhe kulturën e shohin si pjesë e panevojshme e strukturës shoqnore të kësaj shoqnie të re të krijume. Në këtë kontekst, ne këtë vit kemi pa një ngritje substanciale të përkrahjes për Galerinë e Arteve të Kosovës, një hap i rëndësishëm, por nëse kjo përkrahje nuk manifestohet edhe në ngritjen substanciale të përkrahjes të programit të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë atëherë kjo nuk mund të mos shihet si tregues i dukshëm i tendencës që kjo skenë do të rrëshqet drejt centralizimit të fuqisë në institucionet shtetërore të artit që për ne është tregues i rrezikshëm për secilin shtet demokratik, secilën shoqni apo edhe për secilën skenë të zhvilluar të artit”, tha Heta, duke shtuar se për institucionet është parë e huaj nevoja e mbështetjes së një institucioni të pavarur të kulturës apo edhe artistëve të skenës së pavarur të artit bashkëkohor apo edhe e përkrahjes së punës së kësaj skene në projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Derisa Stacion gjen pak mbështetje te institucionet, Qendra Multimedia nuk financohet fare nga institucionet vendore. Jeton Neziraj, udhëheqës i kësaj qendre, tha se kjo qendër nuk ka mbështetje as nga MKRS e as nga Komuna e Prishtinës.

Sindromin e organizimit të pafund të festivaleve, ai e quan ‘festivalizim të kulturës’ dhe për të ai është produkt i mungesës së politikave kulturore në vend.

“Festivalet këtu mbijnë si kërpudhat pas shiut, pa pasë ndonjë profil të caktuar artistik, pa analizuar tregun dhe kontekstin kompetitiv, thjesht, lindin si rezultat i interesave të grupeve të caktuara të artistëve, të cilat ia dalin të kenë akces në fonde publike, përmes lidhjeve politike e lidhjeve të tjera”, tha ai

Neziraj shtoi se në një vend ku prodhimtaria kulturore është zero, kemi me dhjetëra festivale koti.

“Ky fenomen është evident sidomos për sa u përket festivale të filmit. Kemi dhjetëra festivale filmi, ndërkohë që prodhimtaria e filmit akoma është në nivel primitiv”, tha ai.

Sipas tij, në një shoqëri të trullosur nga varfëria dhe papunësia, shteti përmes festivaleve dëshiron të krijojë përshtypjen e ‘lumturisë’ dhe 'gëzimit të pafund’, që dominon vendin, duke synuar kështu t'i kamuflojë problemet reale. Këto fenomene Neziraj tha se duhet të trajtohen edhe nga aspekti sociologjik.

Lidhur me këtë fenomen, Artan Muhaxhiri, sociolog i kulturës, u shpreh se numri kaq i madh i festivaleve ndërkombëtare të filmit është pretencioz dhe i pabazë. Sipas tij, është bërë modë që secili qytet ta ketë një të tillë, mirëpo kjo praktikë nuk ka logjikë të qëndrueshmërisë.

“Niveli kulturor në Kosovë nuk mund t’i absorbojë të gjitha këto festivale, prandaj ato do ta kenë shumë vështirë të mbijetojnë. Ka shumë më tepër ofertë se kërkesë. Organizatorët e këtyre festivaleve mund të jenë joshur nga suksesi i Dokufestit, mirëpo festivalet e mira ndërkombëtare nuk realizohen nga dy-tre individë, pa ekipe profesionistësh dhe investime të mëdha kreative e financiare”, tha Muhaxhiri, i cili shtoi se Kosova nuk ka industri të veten filmike, por vetëm iniciativa kryekëput individuale, shpesh anakronike dhe kiçerike. Sipas tij, vendi ynë nuk ekziston në hartën e kinematografisë bashkëkohore ballkanase dhe europiane.

Muhaxhiri tha se shumë më mirë do të ishte që në vend të këtyre festivaleve ndërkombëtare të organizoheshin festivale të studentëve të regjisë dhe regjisorëve të rinj kosovarë.

“Filmat e realizuar prej tyre do të ishin më afër botëkuptimeve të publikut në qytetet dhe qytezat kosovare, prandaj ndikimi kulturor do të ishte më i madh. Padyshim, edhe kualiteti do të rritej me kohë”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me faktin se këto festivale me aq lehtësi mbështetën nga institucionet dhe nga Qeveria, përfshirë edhe këtë festivalin e fundit në Podujevë, Muhaxhiri tha se shumë më mirë do të ishte që Qeveria të investonte në zhvillimin strategjik të kulturës filmike në rajonin e Llapit.

“Të ndihmonte në popullarizimin e kinemasë, ose t’i përkrahte autorët filmikë nga ky rajon. Dhënia e shansit një festivali të ri parimisht është gjë e mirë, por vetëm nëse përcillet me mbikëqyrje profesionale dhe veprime të tjera afirmative”, tha ai.

Se a do të fillojë edhe ndonjë festival ndërkombëtar i filmit në ndonjë komunë tjetër të Kosovës kjo mbetet të shihet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›