Përkthime, pa kriter e pa kontroll

Situata në tregun e librit të Shqipërisë sa i përket përkthimit lë shumë për të dëshiruar, andaj apelet e emrave të njohur të përkthimeve për një dëmtim të gjuhës shqipe sa vijnë e shtohen, pohon portali shqiptar Sot.
Natyrisht, janë lexuesit ata që vuajnë më së shumti, sepse përkthimet e dobëta sigurisht që i zhvlerësojnë titujt e huaj të botuar në gjuhën shqipe. Edhe pse autorë të njohur në botë, librat e shumë prej tyre janë larg standardit që do ta dëshironte lexuesi shqiptar. Për emrat më të vlerësuar në fushën e përkthimeve në Shqipëri, nëse libri vjen kthjellët, qartë dhe bukur, atëherë njeriu ndihet më i plotësuar. Sipas tyre, të përkthesh do të thotë t’i bësh autorët e huaj që të flasin në gjuhën tënde. Kjo gjë sot ndodhë rrallëherë.
Për portalin Sot folën disa botues të njohur, sipas të cilëve shumëçka varet nga niveli kulturor i drejtuesit të shtëpisë botuese, por edhe nga pagesa që u bëhet përkthyesve nga ana e tyre.
“Niveli i përkthimeve ka rënë, sepse një përkthyes i mirë do një pagesë të mirë. Por, me sa duket, disa shtëpi botuese tek ne kursejnë. E vërteta është se kemi përkthyes të mirë në Shqipëri, por po shikohet pagesa që duhet dhënë për përkthimet”, pohon Beqir Haluli, nga shtëpia botuese Belina H.
“Ka raste të shumta kur niveli i përkthimeve lë shumë për të dëshiruar. Për shkak të përkthimeve të dobëta përkthimet e librave të autorëve të njohur zhvlerësohen nga lexuesi, pikërisht për këtë gjë. Dhe, ç’është më e keqja, ky dëm është pothuajse i pariparueshëm, pasi është vështirë të bëhet një botim i dytë”, thekson kolegu i tij nga shtëpia botuese OMSCA 1, Luan Pengili.
Që një përkthim të jetë i mirë, duhet që përkthyesi t’i njohë mirë të dy gjuhët, sidomos atë në të cilën do të botohet vepra origjinale. Ai duhet të njohë mirë sintaksën dhe të ketë një fjalor të pasur të gjuhës në të cilën përkthen.
Një përkthyes nuk duhet të përkthejë fjalë për fjalë, por kuptimin e fjalisë, duke e dhënë atë në mënyrë sa më tërheqëse dhe duke ruajtur ritmin dhe shkallën intelektuale të mendimit të autorit. Gjithashtu, përkthyesi duhet të njohë mirë zhanrin dhe fushën e materialit që përkthen.
“Përkthyesi duhet të njohë mirë sintaksën dhe të ketë një fjalor të pasur të gjuhës në të cilën përkthen, ndonëse ndikon edhe afati i shkurtër i përkthimit që caktohet nga botuesi... Ka edhe raste kur përkthyesit e ndryshëm të rinj përpiqen ta manipulojnë botuesin, duke sjellë libra të përkthyer në mënyrë elektronike nga Google - një material të cilin e ripunojnë shpejt e shpejt, duke sjellë vepra shumë të dobëta, ose duke i bërë një masakër kuptimit dhe nivelit artistik të autorit origjinal”, sqaroi Alfred Cako me shtëpinë e tij botuese Helga’s Secrets.
Nga ana tjetër, ka edhe përkthyes që edhe kur përkthejnë korrekt nga ana kuptimore, japin fjali pa emocione dhe pa kolorit artistik nga ana e formës, duke humbur kështu ritmin e paragrafit dhe kapitujve të tekstit origjinal. E, Gëzim Tafa, nga shtëpia botuese OMBRA GVG, për këtë situatë i fajëson vetë botuesit.
“Botuesit janë përgjegjësit e parë për nivelin e ulët të përkthimeve, sepse e tëra varet edhe nga formimi kulturor i botuesit, profilizimi i shtëpive botuese, por edhe nga fakti që në Shqipëri s’mund të ketë shtëpi botuese që të mund të përballojë rreth 100 libra bestseller të përkthyer në vit. E gjithë kjo pastaj sigurisht që sjellë edhe probleme në përkthimin e autorëve të huaj, të cilët shpesh i gjejmë me përkthime të dobëta”, thekson Tafa.