Obama kërkon nga Kongresi të miratojë projekt-ligjet për ekonominë

Në këtë vit zgjedhjesh, kur ekonomia është bërë çështje madhore, presidenti Obama po i bën thirrje ligjvënësve ta ndihmojnë atë në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
“Gjatë muajve të fundit ne kemi krijuar qindra mijëra vende pune çdo muaj. Pra, ne jemi duke bërë përparim, por të gjithë e dinë se ne duhet të bëjmë më shumë. Prandaj, ne kemi nevojë që Kongresi të veprojë. Demokratët dhe republikanët duhet të punojnë së bashku”, tha Obama.
Presidenti vizitoi qytetin Albany në New York, për të shtuar trysninë mbi Kongresin për miratimin e projektligjeve, për të cilat ai thotë se do të nxisin rritjen ekonomike. Shumica e projektligjeve janë përmendur edhe në fjalimin e presidentit drejtuar dy dhomave të kongresit në muajin janar.
“Unë e di që ky është një vit zgjedhjesh, por kjo nuk duhet të jetë një justifikim për mosveprim. Gjashtë muaj janë kohë e mjaftueshme që demokratët dhe republikanët të punojnë së bashku dhe të bëjnë atë që duhet”, tha Obama.