E Diel, 1 Nëntor 2026

Fevziu: Arkivi në dorë të Nexhmijes, mund ta djegë

TIRANE- Ditarët e Enver Hoxhës janë ruajtur nga Nexhmije Hoxha e ka shumë gjasë që duke qenë se ato komprometojnë veprimet e bashkëshortit të saj, ajo ti djegë". Kështu është shprehur Blendi Fevziu autori i emisionit "Opinion" dhe i librit "Enver Hoxha" për vendndodhjen e arkivit personal të Enver Hoxhës. Vetëm një ditë më parë Iliri djali i madh i familjes Hoxha, në një intervistë për Gazetën Shqiptare zbardhi detaje nga padia e bërë në prokurori më 27 shkurt 2012 për zhdukjen e arkivit personal të Enver Hoxhës nga Arkivi Qendror i Shtetit, materiale të cilat sipas tyre janë publikuar edhe në librin e Fevziut.
Familja Hoxha ka bërë një padi në prokurori për zhdukjen e arkivit të Enver Hoxhës, ndërsa janë shprehur se një pjesë e tyre janë përdorur nga ju në kundërshtim me ligjin si në librin Enver Hoxha dhe në materialet filmike të Opinionit. Ju keni lidhje me zhdukjen e arkivit personal të familjes Hoxha?
Nuk e di nëse ka apo s'ka ndonjë "arkiv personal" të Enver Hoxhës diku. Këtë duhet ta sqarojë familja e tij dhe kryesisht e shoqja që është marrë gjithë jetën me letrat e bashkëshortit, madje duke ndërhyrë edhe në dokumente shtetërore që s'janë dhe s'mund të jenë personale. Që janë pronë e Shtetit Shqiptar dhe si të tilla i takojnë institucioneve të tij. Janë dokumente që vlejnë më pas për të shkruar historinë apo, për ta zbardhur atë. Ajo që unë kam ndeshur, është vetëm fondi i Enver Hoxhës në Arkivin Qendror të Shtetit, i cili ka brenda tij mjaft dokumente të pa publikuara ndonjëherë këto 20 vite. Ose dokumente që janë botuar pa arritur të vihen realisht në vëmendje të opinionit. Bëhet fjalë për dokumente politike që kryesisht hedhin dritë mbi aksionin politik të njërit prej drejtuesve më të rëndësishëm të historisë së Shtetit Shqiptar. Me sa kam mësuar dhe, me sa kam biseduar me njerëz që kanë punuar pranë Hoxhës në vitet e sundimit të tij, bëhet fjalë për një fond të caktuar arkivor, që ka qenë brenda Arkivit të KQ të PPSH - së dhe që ka qenë i pamundur të shihej nga të gjithë. Për ta parë atë, duhej një autorizim i posaçëm nga Nexhmije Hoxha. Nuk e di nëse dikush tjetër konsultohej me këtë fond apo jo, por di që në vitin 1991, ky fond është transferuar në AQSH dhe që nga ajo kohë gjendet atje. Një pjesë e këtyre dokumenteve janë publikuar në libra të veçantë, si ai i Ndreçi Plasarit dhe Luan Malltezit për Plenumin e Beratit, një pjesë janë gjendur nga studiues, si letra e lamtumirës e Mehmet Shehut që është gjendur dhe publikuar nga Paskal Milo. Ka plot gjëra të tjera që s'janë botuar, ose janë botuar dhe unë s'kam qenë i vëmendshëm ndaj tyre. Kush do mund t'i konsultojë në AQSH dhe janë të hapura për të gjithë ata që kanë dëshirë që prej vitit 1991.
Nëse ka ndonjë Arkiv tjetër të Enver Hoxhës ne duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur për ta gjetur. Ai mund të hedhë dritë mbi atë periudhë të errët të historisë së shqiptarëve dhe të gjithë duhet të përpiqemi për këtë. Unë mendoj se ka ende dokumente që nuk i njohim. Në ditarin e tij në datat 11, 12 dhe 14 Shtator 1981, Enver Hoxha shkruan se ai ka biseduar me Mehmet Shehun për fejesën e djalit me Silva Turdiun dhe prishjen e saj. Hoxha shënon se biseda e regjistruar dhe në dorëshkrim ndodhet në kasafortën e tij. Bëhet fjalë për një bisedë që ka shënjuar eliminimin e Kryeministrit të Shqipërisë për 27 vjet, një mister që dominon ende historinë e asaj periudhe. Nëse transkripti i kësaj bisede gjendet ajo zbardh shumë mistere dhe hedh dritë mbi shumë detaje. Në këtë drejtim, nëse këto 3 biseda ose edhe të tjera gjenden diku, kjo duhet kërkuar. Mendimi im, po kjo është thjeshtë hamendje, është se këto dokumente ruhen nga bashkëshortja e diktatorit Hoxha. Pak kohë më parë, ajo u shpreh se unë s'kisha mundësi dhe asnjë shans që të shfletoja ditarët e Hoxhës. E bëri këtë deklaratë me idenë që këto ditarë me gjasë janë në ruajtje të zonjës Hoxha. Por ajo nuk e dinte që në Arkivin e Shtetit është një kopje e ditarëve dhe kur e mësoi këtë, akuzoi për nxjerrje të sekretit familjar! Për këtë Prokuroria duhet të përfshihet dhe të pyesë zonjën Hoxha ose persona të tjerë që kanë dijeni. Druaj se nga frika se komprometon bashkëshortin e saj, zonja Hoxha mund t'i djegë këto dokumente dhe kjo do jetë një humbje për ata që duan të njohin realisht historinë e Shqipërisë.
Ilir Hoxha një ditë më parë në intervistën dhënë për Gazetën Shqiptare u shpreh se ju keni thënë se; Prokuroria i ka thënë shtypit se nuk do të hapë çështje penale.. dhe se ju po komprometoni Prokurorinë me këtë thënie. Cila është përgjigjja juaj?
Unë kam thënë atë që lexova në shtyp se Prokuroria ka thënë se nuk është e sigurt nëse mund të hapë procedim për këtë çështje. Sepse nga shqyrtimi i parë nuk gjen ndonjë element që shkel ligjin. Unë thashë ë kundërtën. I kërkova prokurorisë që këtë çështje ta regjistrojë dhe ta hetojë me shumë kujdes, me përgjegjësi, dhe nëse hedh dritë mbi dokumente të Hoxhës ende të fshehura ose të asgjësuara, të ndërhyjë për t'ia kthyer ato poseduesit të tyre të vetëm, Shtetit Shqiptar. Pra unë po them që të hapet dhe të hetohet. Jam i gatshëm të deponoj në Prokurori gjithçka di dhe nëse Prokuroria do ishte dakord, meqenëse familja Hoxha nuk është e gatshme të përballet, jam gati ta bëj këtë edhe përpara kamerave. Kjo histori nuk mund të mbyllet me kaq, duhet të vijojë.
Në punën tuaj si gazetar dhe autor i Opinionit, mendoni se e keni tjetërsuar figurën e Enver Hoxhës, duke shfaqur filmime të manipuluara sikurse pretendon familja si mbledhja e byrosë e shkurtit 1985?
Filmimi i mbledhjes së Byrosë së Shkurtit 1985, nuk është shfaqur nga unë, por nga një televizion ndër më të njohurit në botë, "History Chanel". Është një dokumentar i realizuar nga francezët që ka publikuar i pari atë filmim. Në fund të fundit ai është filmim dhe ndryshe nga deklarimet në shtyp, shqiptarët mund të shohin vetë filmimin. Tani po ju sqaroj ju diçka meqenëse këtë do ta bëja kur të shfaqet filmi mbi Enver Hoxhën. Zonja Hoxha junior, thotë se procesverbali që ndodhet në AQSH mbi këtë mbledhje, nuk i ka sekuencat që Hoxha përhumbet dhe ngjan jo normal. Unë e disponoj këtë material të plotë, të gjithë mbledhjen e Byrosë, pa asnjë montazh dhe do ta transmetoj shumë shpejt. Pas dokumentarit. Aty shihet gjithçka. Procesverbalet me shkrim të mbledhjeve "pastroheshin" dhe "rregulloheshin". P.sh. të gjithë e kemi dëgjuar më shumë se një herë kur Enver Hoxha ju thotë anëtarëve të plenumit për Kadri Hazbiun: "q... motrën", apo kur thotë për Beqir Ballukun: "ai ishte një mut muti". A gjenden këto fraza në procesverbal? jo. Mund ta verifikoni dhe ta shihni. Po shkoj më tej. Për herë të parë në Tetor 2010 unë transmetova në emisionin Opinion regjistrimin zanor të mbledhjes së Byrosë Politike të 17 Dhjetorit 1981. Ky regjistrim zanor nuk përputhej me procesverbalin. Procesverbali qe zhveshur nga shumë fraza dhe aty këtu qe "zbukuruar". Por unë do ta transmetoj të plotë këtë, por pak më vonë. Pas shfaqjes së filmit mbi Enver Hoxhën!
Ndjeshmërinë e familjes karshi këtyre filmimeve e dokumenteve ku pretendohet njëanshmëria si e konsideroni?
Unë s'kam shkruar as për familjarë dhe as për kushërinj. Unë kam shkruar për kreun e shtetit dhe ndjeshmëritë familjare këtu s'kanë lidhje fare. S'e kuptoj përse ngatërrohen me këtë gjë. Ju shkruani për ditë kundër apo pro Berishës dhe Ramës. Keni dëgjuar ndonjë familjar të dalë dhe të ndihet i indinjuar përse preken të afërmit e tyre. Këta njerëz thjeshtë s'e kuptojnë që jetojnë në një kohë tjetër. Pastaj, kur familjarët e Hoxhës kanë këtë ndjeshmëri, ç'ndjeshmëri duhet të kenë të afërmit e atyre 7000 të pushkatuarve, 30 mijë ë burgosurve dhe afro 70 mijë të pushkatuarve që ju shkatërrua jeta. Dhe që shumica nuk e dinë ende se ku i kanë eshtrat e të afërmve dhe s'kanë një vend ku t'ju vendosin një tufë me lule.
Pretendimet e familjes Hoxha për arkivin personal të Enverit i cili rezulton i zhdukur ju duken të drejta?
S'e kam idenë për këtë gjë. Sepse nuk e di kë quajnë ata arkiv dhe cilës gjë i referohen. Unë mendoj se zonja Hoxha duhet të ketë ruajtur shumë gjera që lidhen me Hoxhën. Nga ana tjetër, nëse ata mendojnë se diçka është zhdukur, përse nuk e ngritën zërin 5, 10, 15 apo 20 vjet më parë, por vetëm tani?! Përse nuk i kërkuan këto dokumente gjatë kësaj kohe? Por kjo është punë e tyre.
Përkrahës të Enver Hoxhës në Kosovë e Shqipëri kanë djegur librin tuaj, si jeni ndjerë kur keni parë ato skena?
Sinqerisht i privilegjuar. Madje një privilegj që nuk besoj se e meritoj. Së paku jo në këtë shkallë. Që një libër i yti të provokojë një reagim të tillë, do të thotë që ai ka qenë një libër me vlerë. Janë shkruar mbi 80 libra për Enver Hoxhën këto 21 vjet. Shumë prej tyre mjaft të egër, madje jo etikë. Asnjë s'ka ngjallur këtë reagim. Kjo rrëfen se përballja me dokumentet dhe me të vërtetën e faktuar i ka bërë këta njerëz që të veprojnë me të vetmen mënyrë që vepronin dikur dhe që ka vepruar edhe inkuizicioni në mesjetë edhe Hitleti, duke djegur librin. Kjo tregon se argumentet e përballjes ju mungojnë. Është privilegj të hysh në klubin e autorëve vepra e të cilëve digjet dhe kur e pashë këtë që ndodhi, realisht u ndjeva krenar.
Libri juaj ka arritur rekord shitjesh, si e shpjegoni etjen për të ditur mbi Enver Hoxhën?
Historiografia komuniste ka përcaktuar një të vërtetë për Hoxhën. Është e vërteta e ndërtuar prej tij vetë në më shumë se 13 libra me kujtime dhe afro 70 vepra. Publiku e ndjeu se kjo e vërtetë zyrtare e komunizmit ishte e manipuluar. Tani është i etur të njohë anën e kundër të medaljes. Them se ky është sekreti. Pa harruar se ky libër, falë mbështetjes mediatike që unë personalisht pata, nuk mund të kalonte në heshtje dhe i "harruar" si shumë libra interesantë më parë...

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ilir Hoxha: Padia për arkivin, Fevziu po komprometon prokurorinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›