Fevziu pohon prishjen për fare të marrëdhënieve me Berishën dhe afrimin me Ramën
Në një intervistë për Anila Bashën e Shqiptares.com, në përgjigje të pyetjes se si “u rivendosën lidhjet e humbura mes Klanit, më saktë Opinionit të Klanit, dhe Edi Ramës”, Fevziu thotë se njeriu që e ka bërë të mundur këtë gjë është gazetari kosovar Baton Haxhiu. Nuk i jep një rol ekskluziv, por thotë se “ka luajtur një rol edhe Baton Haxhiu”. Dhe në këtë pikë shton diçka, që nuk e kishim dëgjuar më parë. “Sipas të dhënave të mija, [Baton Haxhiu] ka ndikuar në moderimin e përgjithshëm të Ramës”, thotë ai, por pa saktësuar nëse me moderim të Ramës ka parasysh “ulje të toneve dhe latim të mesazheve politike të kreut të socialistëve në komunikimin me publikun”, apo ka parasysh “që Haxhiu ka moderuar Ramën siç Fevziu e Co. moderojnë programet e tyre ‘talk show’”.
Gjatë intervistës lihet të kuptohet se ai i ka rekuperuar plotësisht marrëdhëniet me Ramën, dhe thuhet qartë se e ka humbur për fare raportin me Berishën; për këtë të fundit mendon, megjithatë, se “është politikani më i talentuar i këtyre 23 viteve”, dhe se “miqësia e të dyve ka qenë një privilegj për Fevziun”.