E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fevziu:Anëtarësimi në NATO, rruga drejt BE-së

Analisti dhe drejtuesi i emisionit "Opinion" në televizionin Klan,Blendi Fevziu i ftuar në Ora News tha se fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s përbën hapin e parë për integrimin real të vendit tonë. "Hyrja në NATO Është përmbyllja e një etape tranzicioni. Është certifikimi i standardizimit të Shqipërisë", tha analisti. Sipas Fevziut anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një hap përpara drejt integrimit të BE-së."Hyrja në NATO është një hyrje politike dhe jo ushtarake, pra është një certifikim i plotësimit të disa standardeve. Pas anëtarësimit në NATO mund të themi se është hedhur hapi i parë dhe më i rëndësishëm për hyrjen në Bashkimin Evropian",theksoi ai.Sipas analistit, një nga testet e Shqipërisë pas NATO-s janë zgjedhjet e qershorit që duhet të jenë brilante, të plotësojnë të gjitha standardet. Fevziu vlerësoi se anëtarësimi në NATO e ka ridimensionuar peshën e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Por sipas tij tashmë mbetet vetëm për t'u parë çdo bëhet me statusin e vendit kandidat dhe me heqjen e vizave. Blendi Fevziu theksoi se Shqipëria është e vonuar me aplikimin e marrjes së statusit të vendit kandidat, dhe kjo vjen nga pozicionimi i Gjermanisë e cila momentalisht nuk kërkon zgjerim të BE-së. "BE-ja është treguar e padrejtë me Shqipërinë sepse na ka lënë të presim pa fund", theksoi ai. Analisti vleresoi se pa u zgjidhur konflikti i pronave Shqipëria do frenojë investimet e huaja, pavarësisht anëtarësimit në NATO. Duke folur për prezencën e tij në samtin e NATO-s,Blendi Fevzius tha se i bëri përshtypje që Shqipëria vlerësohej nga të huajt. "Më bëri përshtypje ideja e të barabartëve me të cilën nuk jemi mësuar", tha Fevziu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›