Meta apo Rama? Nis numërimi i votave për kreun e LSI

Mbyllet procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Gjatë ditës së sotme është votuar në 159 qëndra votimi në shkallë vendi, votim ky që ka nisur në orën 8:00 të mëngjesit dhe ka përfunduar në 17:00, madje sic bëjnë të ditur drejtues të kësaj partie në disa qëndra ka filluar edhe numërimi i votave.
Ndërkaq Ylli Manjani, në cilësinë e kreut të Komisionit Qëndror të Zgjedhjve në LSI, deklaroi se pjesëmarrja ka qene e jashtezakonshme dhe gjithçka ka shkuar me se miri, duke shtuar se mund te kete nje rezultat per kryetarin e ri brenda ditës së sotme.
Për kreun e LSI-së, garojnë përballë njëri-tjetrit, kreu i deritanishëm i LSI-së Ilir Meta dhe Sekretari i LSI-së Luan Rama. Më herët dy kandidatët, pasi kanë hedhur votën në kutinë e votimit e vlerësuan pozitivisht dhe transparent procesin zgjedhor.
“Sot eshtë një ditë jo vetëm plot diell, por plot pjesëmarrje në këtë konkurrim për kreun e LSI-së, por edhe për zgjedhjen e delegatëve për konventën e LSI. Dua të përshëndes të gjithë ata që kanë marrë pjesë. Eshtë pjesëmarrje e lartë, i ftoj të gjithë të tjerët të vijojnë të bëhen pjesë e këtij procesi tepër demokratik dhe transparent, të thonë fjalën e tyre dhe të shprehin mendimin e tyre të lirë për të forcuar më tej LSI dhe për ta bërë forcë fituese në emër të sfidave për integrimin”,- vlerësoi Meta.
“Ne realizuam një garë ku pati debat dhe mendime ndryshe, duke sjellë në vëmendje që ballafaqimi i alternativave, konkurrenca dhe gara e e ndershme janë vlera që jetësojnë dhe rrisin demokracinë në një parti dhe të një vendi.”- u shpreh Rama.