E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fidel Kastro zbeh shpresat për marrëveshje me ShBA-të

Havana - Ish-lideri kubanes, Fidel Kastro, zbeh shpresat për një bashkëpunim mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se deklaratat e vëllait të tij, Raul Kastro, për pajtim janë keqinterpretuar.

Ai la të nënkuptohej se Kuba nuk kishte arsye për të bërë lëshime, pasi ajo nuk është përgjegjëse për mosmarrëveshjet 50-vjeçare me ShBA-të.

Fidel Kastro kritikoi presidentin amerikan, Barak Obama për mbështetjen e embargos tregtare 47-vjeçare kundër Kubës, duke u shprehur se tani kjo embargo është e tij.

"Nuk ka dyshime për faktin se presidenti Obama e ka keqinterpretuar deklaratën e bërë nga Rauli", deklaroi Fidel Kastro.

Ish-lideri kubanes iu referua një deklarate të lëshuar nga vëllai i tij Raul Kastro, i cili deklaroi se Kuba është e gatshme për të diskutuar mbi të gjitha çështjet me ShBA-të, duke përfshirë edhe ato me të burgosurit politikë dhe të drejtat e njeriut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›