Fier- Hodhi mbeturina në rrugë nga makina, gjobitet rëndë drejtuesi i mjetit

Një drejtuesi mjeti në Fier i ka kushtuar rëndë hedhja e mbeturinave nga dritarja e makinës në rrugë. Policia e Fierit njoftoi se ka gjobitur një 53-vjeçar, i cili është kapur duke hedhur nga dritarja e automjetit të tij mbeturina në aksin rrugor kombëtar.
Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor “Lushnjë-Rrethi i Kolonjës”.
Sipas njoftimit për shtyp, shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë monitorimit të qarkullimit të automjeteve, kanë konstatuar në aksin rrugor “Lushnjë-Rrethi i Kolonjës”, drejtuesin e një automjeti, duke hedhur në rrugë, mbeturina, që, sipas policisë, “përveç se ndotin mjedisin, mund të bëhen shkak për humbjen e vëmendjes nga drejtuesit e tjerë të automjeteve”.
“Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin J. K., 53 vjeç, dhe e kanë ndëshkuar atë me masë administrative 40 000 lekë të rinj, sipas neneve 15/2 dhe 15/1 pika g, të Kodit Rrugor”, vijon njoftimi.
Policia Rrugore e Fierit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të mos hedhin mbeturina në rrugë dhe të mos kryejnë veprimeve të tjera të ndaluara, sepse mund të bëhen burim aksidenti, duke shpërqendruar drejtuesit e tjerë të automjeteve.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, nëpërmjet një postimi në platformat sociale, tha se “Policia s’do bëjë asnjë tolerim për ndotësit e mjedisit”– ndërsa paralajmëroi se “kontrollet do të jenë edhe më intensive”.
/rtsh.al/