Fier- Pastronte milionat që i dërgonte djali nga Londra, pranga pensionistes
Fier- Prokuroria e Fierit ka zbuluar aktivitetin e pastrimit të parave nga një 62-vjeçare.
Pensionistja nga Fieri Teferi Hamzaraj, ka rezultuar milionere në prona dhe me disa depozita bankare, falë aktivitetit kriminal të djalit të saj Fatos Hamzaraj.
Fakë arrestimit të këtij të fundit në Londër, prokuroria e Fierit ka arritur të zbulojë aktivitetin kriminal ndërmjet të arrestuarit dhe familjarëve të tij në Fier, nënës dhe vëllezërve.
Dërgesat e parave nga Londra tërhiqeshin nga e ëma e djalit, pensionistja që në mënyrë të pajustifikuar, rezulton pronare e një pike karburanti, lokali, palestre, apartamenti dhe një lavazh në fshatin Cakran të Fierit që janë në përdorim nga djemtë e tjerë të saj, Pëllumb dhe Arsen Hamzaraj.
Vlera e investimit të tyre në kohën e ndërtimit, referuar aktit të ekspertimit është 23 635 314 lekë (njezet e tre milionë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë e treqind e katërmbëdhjetë lekë.
62-vjeçarja kishte gjithshtu disa llogari bankare në tre banka të ndryshme nëpërmjet të cilave janë qarkulluar shuma në disa qindra mijëra euro të depozituara nga bashkëpunëtorët e djalit të saj.
Nga hetimi në lidhje me këtë procedim, rezulton se transfertat bankare me dërgues Fatos dhe Arsen Hamzaraj kanë si përfitues të pandehurën Teferi Hamzaraj dhe kjo e fundit ka kryer riciklimin e tyre në mënyra të ndryshme, si krijim të depozitave bankare, tërheqje të lekëve për blerje makine, mobilim shtëpie, dërgime të lekëve që dihet se rrjedhin nga nje krim nga Shqiperia në Itali.
Nga Agjensia e Krimeve të Rënda (SOCA) në Angli bëhet e ditur se shtetasi Fatos Hamzaraj është arrestuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe i janë sekuestruar sasi të mëdha heroine.
Fatos Hamzaraj, gjatë qëndrimit të tij në Angli vazhdimisht ka kryer vepra penale prej të cilave kanë rrjedhur produkte dhe janë dërguar apo sjellë prej tij në Shqiperi me qëllim investimin e tyre dhe futjen në qarkullimin legal prej familjarëve, nënës së tij dhe vëllezërve Arsen e Tani Hamzaraj.
Prokuroria e Fierit ka kërkuar të gjykohen për pastrimin e parave nga aktiviteti kriminal, 62 vjeçarja Teferi Hamzaraj dhe dy djemtë e saj, Arsen Hamzaraj, 37 vjeç dhe Tani (Pullumb) Hamzaraj, 33 vjeç.