E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri mendor zhduket nga spitali psikiatrik i Tiranës

SARANDE - Zhduket një i sëmurë mendor nga Saranda. Familja Qareri nga fshati Nivicë i këtij rrethi bën apel për gjetjen e djalit të tyre 37-vjeçar. Sipas tyre, i sëmuri mendor prej disa ditësh mungon nga gjiri i familjes. Historia e zhdukjes së tij nis në Tiranë, nga spitali “Nënë Tereza”, ku ishte dërguar për trajtim të specializuar nga spitali psikiatrik i Vlorës.

“Në spitalin psikiatrik të Tiranës vëllai im u trajtua me mjekim vetëm 3 ditë dhe pas kësaj, pa e shoqëruar me askënd, i thanë të rikthehet në spitalin psikiatrik të Vlorës. Neve na njoftuan që të shkojmë ta marrin në Vlorë, duke pretenduar se pas mjekimit ishte përmirësuar mjaft shëndeti i tij mendor. Ne shkuam në spitalin psikiatrik të Vlorës, por nuk e gjetëm”, - thotë Vladistef Qareri.

Ky i fundit, i cili ka ardhur enkas nga Greqia, ku është në emigracion, bën apel për gjetjen e të vëllait. Ai pohon se institucionet spitalore duhet të punojnë më me përgjegjësi, sidomos për të sëmurë të shëndetit mendor.

“Im vëlla vuan nga sëmundje psikike, përveç të tjerave, dhe në momente krizash bëhet edhe i dhunshëm. Kohë më parë ai ka goditur edhe babanë”, - shprehet Vladistef Qareri. Ndërkohë, familja Qareri kërkon që shteti të bëjë të pamundurën për gjetjen e djalit të tyre.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›