E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, 1 muaj nga aplikimi, qytetarët presin kartat e identitetit

Edhe pse u deklarua se fill pas 15 ditësh të aplikimit për kartat e identitetit do të niste shpërndarja e kartave për qytetarët fierakë, tashmë kanë kaluar më shumë se 4 javë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Të zhgënjyerit mbeten padyshim qytetarët, të cilët përveçse duhej të përballeshin me radhët për aplikim, u janë rikthyer sporteleve pasi përditë u duhet të pyesin nëse mbërritën kartat apo jo. Operatori i zyrës, Ermir Dashi ka deklaruar se ende nuk kanë marrë një informacion të qartë lidhur me startimin e shpërndarje së kartave. "Nuk kemi marrë asnjë sinjalizim dhe nuk kemi se si të njoftojmë qytetarët për t'u paraqitur për kartat. Neve në fakt kemi deklaruar qysh në fillim që të vinin këtu pas dy javësh, por kjo nuk është bërë e mundur këto kohë prandaj ne kërkojmë që edhe qytetarët të na mirëkuptojnë. Përsa ata kanë në dorë dokumentin që u japim ne pas aplikimit, do të thotë që nuk do të pengohen për veprime në asnjë institucion, qofshin këto edhe veprime ekonomike. Do ti njoftojmë vetë sapo të marrim një përgjigje dh të qartësohemi edhe ne", ka deklaruar Dashi. Ndërkohë duhet thënë se prej katër ditësh është ndërprerë fare procesi i aplikimeve për kartat e identitetit. Shkak për këtë ndërprerje është bërë mungesa e internetit, problem nga i cili duket se do të qëndroj varur për disa ditë të tjera një proces kaq i rëndësishëm. Këto zyra kanë qenë pothuajse të paralizuara këto ditë, ndërsa qytetarët që presin të aplikojnë, vazhdojnë të enden nëpër dyert e zyrave përkatëse. "Kemi ardhur edhe të premten edhe të shtunën ndërkohë në ditë të tjera ka qenë e hapur zyra, këto ditë zyrat na janë justifikuar me pushimin e festës së Ditës së Verës. Ne presim gjithmonë në radhë dhe kjo nuk ka asnjë shpjegim, ndërkohë nuk na sqarojnë kur të kthehemi përsëri. Që të jem realist nuk dua të aplikoj por kam frikë se nuk më japin pensionin" ka deklaruar Marin Plaku, i cili duket se është i detyruar të presë në sportele për të përfunduar këtë "mision". Ky është justifikimi për qytetarët, ndërsa operatorët shprehen për mediat se mungon interneti dhe nuk dinë si të veprojnë. Ndërkohë, një problem që duket se e cënon procesin mbetet ai i të rinjve, të cilët kanë pasur probleme me moshën. Për shumë prej tyre ende nuk ka qenë e qartë, nëse duhet të aplikojnë në moshën 18 vjeç apo në moshën 16 vjeç, gjë që ka sjell edhe konfuzion dhe shpeshherë përplasje në këto sportele. Për hir të së vërtetës procesi i aplikimit të kartave ka qenë i vështirë për Fierin, duke u shoqëruar nga një sërë pengesash të natyrave të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›