E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinastia e Qyprillinjve, diskutohet në konferencë shkencore

Në ambientet e galerisë Eduart Lear në Berat është zhvilluar konferenca kulturore -shkencore në lidhje me dinastinë e Qyprillinjve gjatë drejtimit të shtetit Osman. Në këtë takim, i cili u zhvillua para disa ditësh ishin të pranishëm Drejtor i Institutit të Diasporës Flamur Gashi, kryetari i shoqatës Mehmet Qyprilli Dervish Hoxha, profesor dok. Shaban Sinani, kryebashkiaku Fadil Nasufi, drejtori i agjencisë së administratës ndërkombëtare turke dok. Ali Ozgun Ozturk, si dhe pjesëmarrës pinjoll të fisit Qyprillinj nga zona e Roshnikut, nga ku dhe janë paraardhësit e fisit të Qyprillinjve. Organizimi i kësaj konference nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me shoqatën Mehmet Qyprilli nuk ka pasur qëllimin përkujtimin e kësaj dinastie, por shpërhapjen në publik për kontributin e drejtuesve shqiptar në drejtim të perandorisë Osmane. Në fjalën e tij kryetari i bashkisë së Beratit Fadil Nasufi ka thënë se është me rëndësi, që vlerat dhe lavdia e paraardhësve tanë që drejtuan perandorinë osmane të mos fshihet nga pluhuri i harresës. Duhet të jemi krenar se nga 152 vezir, që drejtuar perandorinë, 18 prej tyre ishin me origjinë shqiptare dhe vetëm 5 i përkisnin dinastisë së Qyprillinjve, ka theksuar ai. Më tej Nasufi ka cituar se perandoria Osmane ka pasur figurat me tipike shqiptare që kanë drejtuar me vlerat e  tyre morale dhe shpirtërore, që i karakterizonte si besnikëria, suksesi etj. Më pas kryetari i shoqatës Mehmet Qyprilli Dervish Hoxha, ka thënë gjatë fjalës së tij se si shoqatë në aspektin historik, jemi nisur nga interesi i një grupi nismëtar nga qyteti i Beratit që kontribuuan për të mbledhur këto histori me vlera të papërsëritshme të mos harrohen, por të kujtohen sa nuk është vonë. Nuk duhet që historia e Qyprillinjve të jetë vetëm në origjinën e  saj në Roshnik, por atë duhet ta njoh gjithë vendi dhe shqiptarët kudo të ndodhur, është shprehur ai. Hoxha ka kërkuar që në nder të dinastisë së Qyprillinjve, që kanë drejtuar perandorinë Osmane ku sundonte në tre kontinente, një rrugë në qytetin e Beratit të ketë emrin e kësaj dinastie të madhe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›