E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, 5 në pranga për mashtrim financiar

Lajmi është bërë i ditur sot nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila konfirmon se Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, bënë të mundur arrestimin e shtetasve Besnik Murataj, Dylejman Qerimi, Ervis Sinanaj, Vangjel Profka dhe Sotiraq Sollaku.

Organi qendror i akuzës bën me dije se ndaj të ndaluarve rëndojnë një sërë akuzash: “Pastrim i produkteve të veprës”, “Mashtrim në bashkëpunim”, “Falsifikim dokumentesh”, “Moskallëzimit të krimit”, “Falsifikim i formularëve, vulave dhe stampave”, si dhe “Deklarim i rremë përpara prokurorit”.

Sipas Prokurorisë, në muajin prill të vitit 2010, shtetasi Murataj, në bashkëpunim me Ervis Sinanajn dhe Dylejman Qerimin, kanë krijuar një shoqëri tregtare “Guaskë”, inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman Doçin, dhe emrin e shoqërisë “Mobil Albania, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import-eksporte të prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshëm industrialë etj.

Nga hetimet rezulton se kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës prej 50 milionë lekësh të reja. Gjithçka është bërë e mundur të realizohet prej tyre, vetëm pasi kanë siguruar një person të papunë dhe në gjendje tepër të vështirë ekonomike, shtetasin Selman Doçi, të cilit i kanë premtuar një rrogë mujore prej 100 mijë lekësh.

Shoqëria “Mobil Albania” rezulton të ketë kryer blerje te naftës bruto te shoqëria “Stream Oil Gas, l.td”, e më pas shitjen e saj. Ndërkohë, nga hetimet rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitjen e sasisë prej 1266.562 tonësh.

Shoqëria “Mobil Albania” ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, ndërsa nuk ka paguar as TVSH-në, tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore që kapin shumën e 15 986 415 lekëve.

I gjithë dokumentacioni është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore, i cili ka kryer edhe të gjitha transaksionet bankare, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi.

Shtetasi Ervis Sinanaj, veprimet bankare i ka kryer në BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj. Prokuroria e Përgjithshme bën të ditur se po hetohet edhe për të tjerë persona të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari te paligjshme.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-09-18 14:57
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›