Fier, 60 nxënës organizojnë përleshje në ambientet e shkollës
Një ngjarje krejt e pazakontë ka ndodhur mesditën e djeshme në një nga shkollat e qytetit, ku dy grupe të organizuara fëmijësh janë ndeshur për të treguar forcën. Çudia ka qenë se kjo ndeshje ishte planifikuar prej dy grupeve një javë më parë dhe "ndeshja" e zhvilluar dje ka qenë vetëm raundi i parë, pasi një tjetër raund do të ishte disa ditë më vonë. Ka qenë ndërhyrja e policisë ajo që ka ndërprerë planin agresiv të të rinjve. Policia ka shoqëruar në komisariat pesë fëmijë të moshave nga 13 në 15 vjeç dhe pritet që ndaj tyre të ketë masë ndëshkimore. Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit është duke shqyrtuar relacionin e drejtorëve të shkollave dhe më pas do të shihet për masë ndëshkimore ndaj nxënësve dhe mësuesve. Gjithçka ka nisur një javë më parë, kur një grup djemsh nga shkolla 9-vjeçare "Mark Dashi" kishin planifikuar një ndeshje trup me trup me një grup tjetër nga shkolla 9-vjeçare "Andon Xoxa". Këto dy grupe kishin në përbërje rreth 30 veta që ishin kryesisht nga klasat e teta dhe të nënta të këtyre dy shkollave. Data e ndeshjes ishte lënë 11 shkurti dhe ndeshja e parë do të zhvillohej në shkollën "Mark Dashi" rreth orës 12:00. Gjithçka është zhvilluar siç ishte planifikuar. Rreth 30 djem janë grumbulluar në oborrin e pasmë të shkollës ku janë vënë përballë grupit të kësaj shkolle me po kaq të rinj. Ndeshja ishte planifikuar ndeshje trupore, por në realitet disa nxënës mbanin në duar edhe shkopinj bejsbolli. Sapo ka nisur ndeshja mes të rinjve, është njoftuar nëpërmjet një telefonate anonime policia, e cila ka mbërritur aty në pak minuta, duke shmangur ndonjë viktimë apo dëmtim të rëndë. Megjithatë, të paktën 20 nga djemtë kanë marrë plagë të ndryshme dhe disave prej tyre u është dashur ndihma mjekësore. Policia ka shoqëruar për në komisariat pesë nga fëmijët për të zbardhur këtë ngjarje. Shefi i Krimeve në Komisariatin e Fierit, Pandi Gjoni, tha se "ndërhyrja e shpejtë e policisë ka minimizuar pasojat e kësaj përleshjeje të pazakontë. Kemi shoqëruar pesë nxënës, por nuk mund t‘i arrestojmë për shkak të moshës". Asnjë koment nuk është bërë për ngjarjen nga drejtuesit e shkollës "Mark Dashi", të cilët janë justifikuar me faktin që kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në anën e pasme të shkollës. Nga ana tjetër, kreu i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Fier, Tahir Kastrati, tha se "shqyrtimi i relacionit të drejtorëve të shkollave do të pasohet me masa konkrete". Sipas Kastratit, mund të ketë masa ndëshkimore si shkarkime dhe largime për mësuesit, por edhe për psikologun e shkollës.