Kontrabanda, pranga doganierit e kontrollorit
KUKES - Një doganier dhe një kontrollor, efektiv i policisë së Hasit, u arrestuan nga policia e Kukësit me akuzën e favorizimit të kontrabandës së miellit. Nga verifikimet e SHKB-së në Qarkun Kukës ka rezultuar se Dashamir Sadikaj, 31 vjeç, me detyrë doganier në doganën e Qafë Prushit si dhe Besnik Jaku, 36 vjeç, kontrollor në këtë pikë, efektiv i policisë së Hasit. Dy të ndaluarit ishin survejuar një ditë më parë, kur policia e Tropojës kishte ndaluar një tregtar me një ngarkesë prej 3 ton miell, i marrë në tregun e Kosovës dhe që kishte kaluar pa u zhdoganuar. Pas marrjes në pyetje, i ndaluari ka thënë se ishte lënë të kalonte, pasi është konsideruar vetëm evazion fiskal kalimi i miellit. Më pas është parë dhe libri i shërbimeve dhe janë ndaluar dy punonjësit e turnit, me akuzën e shkeljes së rregullave dhe favorizim të kontrabandës. Ata janë arrestuar rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur iu është komunikuar dhe akuza. Pika doganore e Qafë-Prushit, në fakt nuk e ka statusin e doganës, pasi nuk është njohur nga pala kosovare, ndërsa në Shqipëri nuk ka personelin e duhur. Por, kjo është pika më e afërt që lidh Hasin me Kosovën. Në bazë të kodit doganor, këtu lejohen kalimet e mallrave që janë vetëm për konsum familjar dhe jo për qëllime tregtare, ndërsa personeli civil doganor vepron më shumë për të parandaluar kalimet e paligjshme të mallrave dhe jo për të zhdoganuar.