E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, Berisha: Shumë shpejt shqiptarët do jetojnë në një vend modern dhe të begatë

18-06-2011 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë inauguron përfundimin e punimeve në rrugën që lidh 13 fshatra të komunës Cakran, në Fier


Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Qafë e Koshovicës  – Cakran një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 298 milion leke, gjatësi  15 km dhe gjerësi  6 m.

Rruga fillon në Qafën e Koshovicës dhe përshkon komunat Portez dhe Cakran, përfitues janë mbi 20 mijë banorë. Vepra është me standardet  më të mira me bordurë , trotuare, sinjalistikë  e vepra arti. Në vazhdim, do të ndërtohet rruga nga hyrja e Fierit – Qafë e Koshovicës. Ky  rikonstruksion lehtëson mjaft transportin e banoreve dhe produkteve  bujqësore e blegtorale  si dhe i jep inpakt  zhvillimit të krejt zonës.

Në 5 vite në rrethin e Fierit janë realizuar mbi 400 milion euro investime. Janë ndërtuar  260 km rrugë nga te cilat 180 km rrugë lokale dhe 80 km rrugë nacionale ku përfshihen 47 km autostrade.  Janë ndërtuar  27  ujësjellësa e kanalizime, 38  shkolla dhe 24  qendra  shëndetësore.  Në sistemin e Energjisë Elektrike  dhe Hidrokarbureve janë investuar 250 milion euro . Janë bërë subvencionime në ullinj, vreshtari, sera e bimë are mbi 1200 ha dhe janë mbjell  300 mijë rrënjë ullinj ku kane përfituar mbi 2500 fermerë.  Janë realizuar 4.5 milion euro investime ne kanale kullues,sistemim tokash, kullime, sera etj.
 
Para  banorëve të zonës kryeministri u shpreh:

Të dashur banorë të Cakranit

Zoti  Ministër

Zotërinj Deputetë

Zoti  Kryetar i Komunës

Vëllezër dhe motra

Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time, që inauguruam sot këtë rrugë të merituar plotësisht, për ju banorët e Cakranit, rrugë ndër më të bukurat, rrugë e cila është ndërtuar me parametrat më të mira.

Duke ardhur këtu tek ju, e para gjë që të vjen në mend, është se udhëton në një rrugë drejt një komune njëlloj si në çdo vend tjetër të zhvilluar të Europës. Rruga me gjerësi 6 metra kalon në tërë trajektoren e saj në një zonë ku banojnë rreth 20 mijë banorë , kushtoi rreth 300 milion lekë dhe jam i bindur se me parametrat e saj   do të ketë një ndikim të fuqishëm  në jetën e banorëve të Cakranit dhe Portezit.  Një fjalë e urtë e një kombi të huaj thotë  “ne ndërtojmë rrugën, rruga ndërton ne”, e vërteta është se asgjë nuk ndikon më shumë dhe më pozitivisht  sesa  rruga dhe shkolla në jetën e një komuniteti.

Aty ku ndërtohet rruga, aty rritet vlera e të gjitha pasurive.  Rruga është treg,  rruga është dinjitet, rruga është  qytetërim.  Ndaj dhe ne kemi përzgjedhur si përparësi  të  të gjitha  përparësive, infrastrukturën rrugore, për të ecur me shpejtësi  drejt Shqipërisë vend i zhvilluar. Kemi zgjedhur me përparësi  sistemin arsimor si njërën nga dy shtyllat më kryesore të Shqipërisë vend i zhvilluar.

Bazuar në këtë platformë në 6 vitet e fundit ne kemi ndërtuar dhe po tejkalojmë mbi  8 mijë kilometra rrugë.  Rruga që po inaugurojmë sot është një segment i tyre. Në rrethin e Fierit janë ndërtuar mbi 260 kilometra rrugë, nga të cilat rreth 47 km janë autostradë e standardeve më të mira.  Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë dhe brenda  2 viteve Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri, me të mirë, në Rajon dhe në Europë.

Sot, ky vend fton çdo shqiptarë pavarësisht nga bindjet e tij, të japë ndihmesën e vet në shndërrimin ne realitet të ëndrrës më të bukur më fisnike më të merituar të shqiptarëve, Shqipëria vend i zhvilluar.  Të varfër ne, të pazhvilluar, na lanë kohërat dhe regjimet, por Zoti i ka dhënë Mallakastrës, Cakranit, i ka dhënë kësaj toke pasuritë më përrallore, më të mëdha për ti shndërruar  në vlera për qytetarët e saj.

Ndaj dhe le të punojmë ne çdo vit, me mund dhe djersë, të ndërtojmë Shqipërinë vend i zhvilluar, si trashëgimia me e shkëlqyer, që ne që përmbysëm  diktaturën, ne që po ndërtojmë sistemin demokratit, mund të lëmë për shqiptarët e të gjitha kohërave.

Vëllezër dhe motra

Ndërtimi i infrastrukturës është kushti  bazë që ju të jetoni dhe të begatoni njëlloj si fermerët Europiane, ne jemi përqendruar totalisht në rrugë, por ju garantoj se katër vitet e tjera projekti  ynë numër një do të jetë vaditja.  Ne që po ndërtojmë infrastrukturë të njëjte më lagjet e qyteteve, në çdo komunë  dhe kudo në vend, ne do të bëjmë që ju të vadisni të mbjellat, drurët tuaj frutorë, me sistemet më modernë të vaditjes dhe të merrni prodhimet më të larta, prodhimet më të mira.

Ndaj dhe thirrja ime vëllazërore është, mbillni sa më shumë ullinj, mbillni sa më shumë dru frutorë.  Imagjinoni ju paraardhësit  tanë, në çfarë kushtesh ishin, dhjetë herë më të vështira se tonat dhe lanë një trashëgimi prej 5 milion rrënjësh ulliri.  Ne brenda  dy viteve që vijnë duhet të kemi të kemi të mbjellura 20 milion të tjera dhe të vështrojmë të shohim për 20 milion rrënjë të tjera më shumë për katër vitet e tjera.  Ne këtë tokë shumë cilësore këtë tokë të  begatë, këtë tokë shumë pjellore, duhet ta shndërrojmë në kopshtin më të bukur më të madh të Europës dhe do ta realizojmë këtë.

Ndaj dhe qeveria do të ndërtojë rrugët ujësjellësat , kanalizimet, vaditjen kurse ju me mundin djersën mundin tuaj duhet ta qëndisni tokën më bukur se çdo vend tjetër. Ne jemi burrat dhe gratë, banorët e këtij vendi që kemi shndërruar në realitet  ëndrrat  më të bukura me shekullore të kombi. Ne u bëmë të lirë, ne jemi anëtarë të NATO-s, ne kaluam nga njëri prej tre vendeve më të varfra të planetit në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Ne sot lëvizim të lirë në mbarë Europën, secili prej nesh , çdo njëri prej nesh është sot shumë e shumë herë më i fuqishëm më me mundësi sesa paraardhësit tanë, sepse sot  ne jemi të lirë , sot ne kemi tregun e lirë, sot në ecim të sigurtë drejt Europës, sot ne po ndërtojmë në Shqipëri çdo ditë një vend modern, ndaj dhe ftoj të vazhdojmë përpjekjen tonë për shndërrimin ne realitet të ëndrrës më të bukur ,Shqipërisë vend i zhvilluar. Shqipëria vend i zhvilluar, do të jetë Shqipëria  ku, qytetarët e saj të jetojnë në begati do të jetë Shqipëria në të cilën shqiptarët do të ndihen më krenar se kurrë, me të lirë se kurrë, me të begatë se kurrë ne historinë e tyre.

Edhe njëherë gëzuar dhe ju garantoj ju zoti Kryetar i Komunës  dhe të gjithë Kryetarët e Komunave të Fierit, Mallakastrës dhe mbarë Shqipërisë, se këto katër  vite do të investojmë në infrastrukturat e fshatrave dhe komunave tuaja së paku 4 herë më shumë se katër vitet që shkuan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›