E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ nis numërimin, hapen kutitë e para. Lulzim Basha 86 vota para Edi Ramës

18-06-2011 / Gazeta 55

-- KQZ: Procedura që aplikuam rezultoi e efektshme dhe në përputhje me ligjin


-- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur në këto momente numërimin e votave të kontestuara në 368 kuti votimi. Rezultatet paraprake nxjerrin kandidatin demokrat Lulzim Basha 86 vota para atij socialist Edi Rama


Miratimi i projekt/aktit


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar në parim projek-aktin për hapjen e kutive me votat e kontestuara dhe të hedhura në kutitë e gabuara. Në këtë mbledhje, përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti deklaroi se Kolegji e cilësoi të mirë punën e KQZ-së, për votat e hedhura në kutitë gabim. Përfaqësuesi demokrat tha se numërimi i votave të kontestuara duhet të bëhet nga grupet e numërimit të përbëra nga administrata e KQZ si dhe në prani të vëzhguesve të PD dhe PS.


Ndërkaq, jo në të njëjtën linjë qëndroi përfaqësuesi i PS-së Genc Gjoncaj, i cili deklaroi se pret që Kolegji të mos prodhojë procedura të ndryshme, ndërsa shprehu mjaft pikëpyetje se sa grupe numërimi do të ngrihen, dhe kërkoi që ky institucion të mos krijojë grupe numërimi, por të numërohen nga 7 anëtarët e institucionit.


“Ne nuk kemi besim te KQZ, jo më të kemi besim t’i hapë dhe t’i numërojë votat administrata e KQZ”- tha përfaqësuesi socialist. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, vuri në dukje se për çdo kuti, në të cilën do të numërohen materialet zgjedhore, do të ketë vëzhgues partiakë.  


Sipas Ristanit janë rreth 1800 kuti që do hapen, numërimi i të cilave nuk mund të bëhen vetëm nga 7 anëtarët prandaj është parashikuar ngritja e 8 grupeve të numërimit.


“Do të jenë grupet e numërimit që do hapin kutitë do nxjerrin fletët dhe do bëjnë tabulimin në tabelat përkatëse. Sa i përket saktësimit të veprimeve në tabelat përkatëse do të jenë vëzhguesit e partive dhe anëtarët e KQZ që do të bëjnë verifikimin”- u shpreh Ristani. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kundërshtoi ngritjen e grupeve të numërimit.


Sipas saj, hapja e kutive duhet të bëhet në sy të anëtarëve të KQZ. “Në këtë mënyrë i takon që të tjerët të jenë vëzhguesit e fletëve të votimit, ndërsa ne të bëjmë miratimin e atyre që ne nuk kemi parë me sy”- deklaroi Subashi.


Duke shtuar se, “fleta e votimit të mos velerësohen nga administrata, por nga anëtarët e KQZ. Fletët duhet të vijnë në tavolinën tonë të vlerësohen. Jemi në një proces ankimor, dhe jemi ne ata që, do bëjmë vlerësimin e fletëve. Kjo nuk ha kohë aq të gjatë sa thuhet”- theksoi nënkryetarja e KQZ-së, Subash. 


KQZ: Procedura që aplikuam rezultoi e efektshme dhe në përputhje me ligjin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në fillim të procesit të vlerësimit dhe numërimit të votave të hedhura aksidentalisht në kuti të gabuar, në të gjitha kutitë e votimit e njësisë zgjedhore, Bashkia Tiranë, sipas vendimit nr. 67, të Kolegjit Zgjedhor, dt. 13.06.2011, gjen me vend të nënvizojë se që në fillim të kësaj veprimtarie, KQZ-ja u udhëhoq nga parimi i vlerësimit dhe numërimit të çdo vote të zgjedhësve dhe nga parimi kushtetues i barazisë së votës. “Në funksion të këtij qëllimi, KQZ zhvilloi një procedure, sipas së cilës u hapën të gjitha kutitë e votimit, tek të cilat e çuan shënimet në materialin zgjedhor dhe vlerësoi e numëroi çdo votë të pavlerësuar e numëruar më parë. Gjatë kësaj procedure KQZ u ndesh me një kundërshtim të madh dhe të paprecedent, nga një pjesë e subjekteve zgjedhore, pasi ata mendonin se KQZ po zhvillonte një procedurë të pabazuar në ligj, se KQZ nuk ishte kompetente për këtë procedurë. Gjithashtu, u pretendua prej tyre se KQZ po punonte mbi një akt që duhet të ishte i karakterit normativ dhe jo individual, se po tregohej selektive dhe jo gjithëpërfshirëse në procedurën në fjalë, se KQZ po ndryshonte rregullat e lojës dhe se votat në kutinë e gabuar ishin automatikisht të pavlefshme”, theksohet në deklaratën e KQZ. Institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve thotë se, gjatë zhvillimit të gjithë procedurës, nga ana e kryetarit Ristani, u është kërkuar, në mënyrë permanente, subjekteve zgjedhore për të paraqitur përpara KQZ çdo të dhënë që ata kishin për vota të hedhura jo në kutitë përkatëse, për të mundësuar kështu vlerësimin dhe numërimin e çdo votë të pavlerësuar e numëruar më parë. “Ky vullnet dhe parim i ndjekur nga KQZ iu bë me dije partnerëve ndërkombëtarë, si  përfaqësuesve të OSBE/ODIHR, ashtu edhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të atashuar në Tiranë. Sot, kuadri ligjor, shteti ligjor ka dhënë efektet e tij. Subjektet elektorale ndoqën rrugën institucionale, ligjore. Vendimet e KQZ-së u filtruan në këtë rrugë institucionale e ligjore. Tashmë është vërtetuar katërcipërisht se KQZ ka qenë plotësisht kompetente në veprimtarinë në fjalë, ka zhvilluar një veprimtari të bazuar në ligj, ka prodhuar akte të vlefshme për zgjidhjen e situatës, se nuk i ka ndryshuar rregullat gjatë procesit dhe nuk ka normuar rregulla të reja, por ka zgjidhur një situatë të re të pa trajtuar më parë”, vijon deklarata. KQZ insiston se nuk ka më asnjë dyshim se, vota në kuti të gabuar nuk mund të jetë e pavlefshme vetëm për këtë shkak. Përkundrazi, thotë KQZ, ajo duhet vlerësuar dhe numëruar si të gjithë votat e tjera. Vendimi i dytë i Kolegjit zgjedhor, sqaron deklarata e KQZ, që urdhëron këtë institucion ta nisë këtë procedure që po nis sot, i jep fund debatit dhe pretendimeve rreth selektivitetit, përkundrejt gjithpërfshirjes në hetimin administrativ të të gjitha kutive të votimit në Tiranë, duke konfirmuar vendimmarjen e drejtë dhe procedurën ligjore të filluar nga Komisioni. “Ka qenë pikërisht  ky qëllimi i KQZ-së: hetimi i plotë dhe vlerësimi e numërimi i çdo vote kudo që ajo ndodhej, në të gjitha kutitë e votimit. Por, në atë fazë të procesit administrative, KQZ mund të vepronte vetëm mbi bazën e të dhënave të materialit zgjedhor. Sot, në bazë dhe për zbatim të vendimit gjyqësor, KQZ ka mundësinë të çojë në fund punën e nisur. KQZ shpreh edhe njëherë kënaqësinë e veçantë për konfirmimin në rrugë institucionale dhe ligjore të vendimeve të saj. Komisioni vlerëson maksimalisht vendimet profesionale, ligjore të Kolegjit Zgjedhor dhe shpreh bindjen se këto zgjedhje janë një arritje tjetër e madhe në rrugën e plotësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›