E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, Meta: Integrimi në BE, detyrim i politikës ndaj të rinjve

FIER - Lëvizja Rinore për Integrim në Fier, organizoi të premten në ambientet e teatrit "Bylis" konferencën zgjedhore, me qëllim prezantimin e platformës drejtuese të dy kandidatëve për kryetar të LRI-së, që do të përballen në votimin e 8 prillit, sipas parimit 'një anëtar një votë'.

Në takim kryetari i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se integrimi në BE është detyrim i politikës ndaj të rinjve. 

Meta e vlerësoi LRI-në si një faktor të rëndësishëm në vendimmarrje dhe një forcë e gjallë aktive, së cilës LSI i ka besuar gati 30% të përfaqësimit në pushtet dhe drejtim.

"Idetë dhe vlerat tuaja vërini në shërbim të familjeve dhe zhvillimit të shoqërisë. Ju jeni e ardhmja, jeni forca kryesore lëvizëse e shoqërisë, ndaj LSI do t'ju japë të gjitha mundësitë, që ju të shpalosni vlerat dhe potencialin tuaj", - tha Meta.

Duke inkurajuar të rinjtë Meta shprehu besim se ata janë plotësisht të aftë për të marrë përsipër detyra e përgjegjësi, për të përballuar sfidat e zhvillimit politiko-shoqëror në vend.

"LSI është forca politike më shpresëdhënëse për LRI-në dhe gjithë rininë shqiptare, partia që vlerëson dhe çmon më lart vlerat dhe energjitë e rinisë”,.- u shpreh Meta.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›