E Martë, 3 Nëntor 2026

Fier/ Zjarri në Pishporo dhe Darëzezë, Greqia i vjen në ndihmë Shqipërisë

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bëri të ditur se Greqia i është përgjigjur kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, me një avion Canadair, për ndërhyrje nga ajri në vatrat e zjarrit në Fier.

“Falenderojmë fqinjët tanë, për ndihmën në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata me zjarret  

Shqipëria kërkoi të dielën ndihmën e vendeve evropiane për të ndërhyrë për shuarjen e një zjarri masiv të riaktivizuar në Darëzezë të Fierit. Beteja për shuarjen e vatrave te zjarrit vijon edhe në ditën e 6-të, në masivin pyjor të Pishporos dhe Darëzezës.

Forcat operacionale kanë qenë në terren deri në mesnatë, pasi të favorizuara nga era e fortë detare, të gjitha vatrat e zjarrit në pyll janë riaktivizuar, duke u përhapur deri në masivin pyjor të Darëzezës, ku flakët u afruan deri në 300 metra pranë zonës së banuar.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, zbriti në terren për të ndjekur nga afër situatën.

“Kemi kërkuar të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për shuarjen e zjarrit të madh. Në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve në mënyrë që në raste zjarri, situata të menaxhohet lehtë. Ky është një masiv pyjor me vlerë të veçantë, e fatmirësisht pylli me pisha është i rigjenerueshëm,” u shpreh ministri Balla nga Darëzeza.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›