E Martë, 3 Nëntor 2026

Kler Çaku, krenaria e shahut shqiptar

Një kampione Europe bën me krahë të gjithë shahun shqiptar. Kler Çaku, vetëm 13 vjeç, i ka dhënë kënaqësinë e vendit të parë, jo vetëm vetes, por dhe të gjithë sportit të katrorëve bardhezi në Shqipëri. Edhe pse ka vetëm disa orë që ka mbërritur në Durrës nga Sllovenia, Çaku ka marrë të gjithë vëmendjen e medieve në Shqipëri. Dhe në këtë rast nuk kishte se si të mungonte dhe kamera e Radio Televizionit Shqiptar. E Kler Çaku, sikur të ishte një e rritur e jo fëmijë, është e qartë në atë që thotë dhe që pohon në intervistën e saj, ndërsa menjëherë ka treguar se çfarë do të thotë të jesh Kampione Europe.

“Patjetër që është një sukses shumë i madh për mua, sepse kam marrë pjesë edhe më parë në dy europiane, kam marrë medalje, por asnjëherë nuk kam dalë kampione Europe. Është një gëzim shumë i madh për mua sepse është një rezultat fantastik”.

“Puna e madhe që kam bërë gjatë gjithë këtyre muajve, para se të vija këtu, që të përmirësohesha dhe të fitoja eksperiencë për këtë kampionat. Gjithashtu, ishte dhe përqëndrimi. Sigurisht që kisha stres gjatë ndeshjeve, sepse isha afër kupës në çdo ndeshje. Ndeshjen më të fortë e kisha me një vajza nga Sllovenia, ishte shumë e vështirë për tu fituar, po të bëja një gabim mund ta humbja”.

“Ishte shumë e lodhshme, sepse ndeshjet ishin ditë pas dite dhe në blic u bënë 18 ndeshje brenda një dite, por dhe aty dola shumë mirë, e dyta me pikë të barabarta me vendin e parë. Është një nder i madh për mua vetëm që të jem në ekip me Antoneta Stefanovën dhe patjetër dhe me emrat e tjerë që kam në ekip. Isha shumë e lumtur kur mora vesh që mund të luaja këtu. Më ka ikur komplet lodhja e Kampionatit Europian, pasi jam shumë e lumtur që do luaj këtu”.

“Shahun e kam filluar që kur isha 8 vjeçe, pra para 5 vitesh, dhe patjetër që ishte një dëshirë e imja, sepse më ka tërhequr që në fillim kur shikoja gjyshin që luante shah. Shkolla? Po, jam shumë mirë në të gjitha lëndët, me nota maksimale. Idhulli im është një femër, që quhet Judit Polgar. Është më e mira e të gjitha kohrave në shah dhe synimet e mia janë që të arrij në nivelin e saj”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›