E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, aksident në autostradë, vdes 35 vjeçarja dhe i biri, ndalohen drejtuesit e mjeteve

2 të vdekur dhe 7 persona të tjerë të plagosur, midis tyre dhe dy fëmijë, është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura mbrëmjen e sotme në Fier dhe në kryeqytet.

Nënë e bir kanë humbur jetën në një aksident rrugor në autostradën Levan – Tepelenë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Kafaraj, kur fuoristrada me targa AA 089 CG, e drejtuar nga Jetnor Muçaj ka goditur nga pas një mjet tip Zetor.

Si pasojë e përplasjes, familja prej 4 personash që udhëtonte në fuoristradë është aksidentuar rëndë. Angelina Muçaj 35 vjeçe dhe djali i saj 18 muajsh Donald Muçaj, kanë humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të shumta në trup.

E plagosur rëndë ka ngelur vajza Megi Muçaj 12-vjeç, ndërsa kryefamiljari që drejtonte edhe automjetin, Jetnor Muça 40-vjeç, është plagosur lehtë.

Shkak i aksidentit mendohet të ketë qënë errësira dhe mungesa e sinjalistikës në rrugë por edhe e zetorit. Polcia rrugore tha se fuoristrada është përplasur me shpejtësi me zetorin dhe nuk ka tentuar të devijojë veçse pak metra përpara përplasjes.

Kjo çon në dyshimin se drejtuesi nuk e ka parë zetorin. Ky i fundit ishte i ngarkuar me bar. Drejtuesi i zetorit, Qazim Banaj udhëtonte sëbashku me dy punëtorë.

Të tre personat që ndodheshin në zetor, Qazim Banaj 27-vjeç, Krenar Troka 21-vjeç dhe Ervin Troka 23-vjeç, kanë marrë plagë të lehta.

Policia ndaloi drejtuesin e zetorit dhe të fuoristradës për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Familja Muçaj kthehej për në vendbanimin e tyre në Tepelenë .

Ndërkohë që në Kryeqytet, në kryqëzimin tek Liqeni i Thatë, një mjet tip Ford me targa amerikane ka goditur një çift këmbësorësh.

Të plagosur në gjendje të rëndë kanë mbetur Qamil dhe Meliha Xhaferri, përkatësisht 64 dhe 58 vjeç.

Ndërkohë drejtuesi i mjetit që ka përplasur dy personat, ka braktisur makinën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ka gjetur automjetin e braktisur dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Të dy personat e plagosur  janë dërguar në spital ku po marrin dhe ndihmën e nevojshme mjekësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›