E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bie zbulueshmëria e krimeve për vitin 2009

Treguesit e punës vjetore të publikuar në analizën vjetore të Drejtorisë së Policisë Qarku Fier dëshmojnë ulje të ndjeshme të zbulueshmërisë së krimeve, ndërkohë që numri i veprave penale në krahasim me vitin e shkuar është pothuajse i njëjtë.
Nga trajtimi i veprave penale të regjistruara në tre komisariatet e qarkut, atë të Fierit, Lushnjës e Mallakastrës del se zbulueshmërinë më të ulët e ka regjistruar komisariati i Lushnjës dhe pas tij vjen ai i Fierit për të lënë në një zbulueshmëri në shifra më të larta Komisariatin e Ballshit. Komisariati i Lushnjës zbulueshmërinë e këtij viti e ka 77%, ndërsa një vit më parë e ka pasur 87%. Kurse Komisariati i Fierit zbulushmërinë e një viti më parë e ka pasur 89%, ndërkohë që gjatë këtij viti ka arritur në kuotat e 85%. Më mirë në zbulueshmërinë e krimeve paraqitet Komisariati i Ballshit, pasi edhe veprat penale të regjistruara në zonën e Mallakastrës kanë qenë më të ulëta. Nga 15 vepra penale të regjistruara gjatë vitit 2009 në Mallakastrës, 13 janë zbardhur , ndërsa ende 2 ngjarje rëndojnë për policinë e këtij rrethi. Natyra e ngjarjeve të ndodhura në Mallakastër është më ndryshe se në dy rrethet e tjera, pasi konfliktet për pronën në këtë rreth kanë çuar edhe në ngjarje të rënda si vrasje dhe plagosje. Pjesa më e madhe e veprave të regjistruara gjatë këtij viti për këtë rreth ka motiv kryesor konfliktin për pronën. Duke iu referuar analizës vjetore të policisë së qarkut për vitin 2009 del se zbulueshmëria e veprave penale për të gjithë qarkun është 79%. Në krahasim me një vit më parë, zbulueshmëria është ulur me afro 9%, pasi në vitin 2008 ajo është paraqitur në kuotat e 88%. Dy sektorët me treguesit më të ulët për nga zbulueshmëria e krimeve janë sektori i luftës kundër krimeve të rënda, si dhe sektori i luftës kundër krimeve ndaj pasurisë. Për sektorin e luftës kundër krimeve të rënda viti 2009 ka shënuar 169 ngjarje, nga të cilat janë zbuluar 103 ose përkthyer në përqindje 66%. Kurse për sektorin e luftës kundër krimeve ndaj pasurisë gjatë viti 2009 janë shënuar 139 ngjarje nga të cilat janë zbuluar 72 prej tyre, ose 52%. Sektorët që paraqesin tregues të mirë për punën e policisë së Qarkut Fier gjatë këtij viti janë sektori i luftës kundër krimit ekonomik e financiar, si dhe zyra e antitrafiqeve. Aksionet e antidrogës në krahasim me vitin e kaluar paraqiten në numër më të ulët, ndërsa duhet pranuar se Fieri është hequr nga vatra e kultivimit në masë të bimëve narkotike. Këta tregues të ulët të policisë për vitin 2009 mendohet se vijnë nga vështirësia në implementimin e patrullës së përgjithshme që ende nuk është kuptuar nga efektivat e policisë së Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›