E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau dy policë, burg përjetë për Hasanin

Burg për jetë për vrasësin e dy inspektorëve të qarkullimit rrugor të Kukësit. Gjykata e Krimeve të Rënda deklaroi Afrim Hasanin, fajtor për vrasjen me paramendim të dy punonjësve të policisë. Vetë i riu nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme kur është dhënë vendimi. Ndërsa avokati mbrojtës në konkluzionet përfundimtare kërkoi një masë më të lehtë dënimi, pasi klienti i tij e kishte kryer vrasjen në kushte të rënda të tronditjes psikike. Një javë më parë, prokurori Ardian Nezha kërkoi dënimin maksimal të parashikuar në Kodin Penal për Hasanin. Ai akuzohet për vrasjen e Shkëlzen Dobrushit e Ramadan Hilës, që mbetën të vrarë më 24 mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Dy inspektorët e Qarkullimit Rrugor, kanë qenë duke qëndruar në një prej lokaleve të fshatit, në pritje për të marrë detyrën. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 24 marsit autori i krimit Afrim Hasani është afruar, dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve të policisë me breshëri automatiku. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Vetëm 12 orë pas ngjarjes policia vuri në pranga autorin e këtij krimi të rëndë. Afrim Hasani u gjet i fshehur në një pyll pak kilometra larg qytetit të Kukësit, afër fshatit të tij. Në operacion morën pjesë dhjetëra forca policie të qytetit të Kukësit, Hasit, Pukës, dhe forca speciale të RENEA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›