Gjykata lë në burg kreun e Bandës së Lushnjës
Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar dy kërkesat e kreut të Bandës së Lushnjës për liri dhe përjashtimin nga trupi gjykues i gjyqtares Fatmira Hajdari. Gjatë seancës së djeshme, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e avokatit Vladimir Meçi, për përjashtimin e gjyqtares Hajdari, pasi vendimmarrja e të vesë së ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari, mund të politizonte çështjen. Alfred Shkurti, alias, Aldo Bare, në proces gjykimi për një sërë veprash penale, mes të cilave dhe vrasje, të kryera nga Banda e Lushnjës, kërkoi në datën 9 dhjetor dorëheqjen e kryetares së trupit gjykues. Por, kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Hallunaj, deklaroi se kërkesa ishte e motivuar politikisht, ndërsa i vuri në dukje të pandehurit se gjykata është institucion i depolitizuar. Në seancën e djeshme ishte i pranishëm Aldo Bare dhe avokati i tij, Vladimir Meçi. Gjykata ka rrëzuar gjithashtu kërkesën tjetër të Bares për shuarjen e afateve të paraburgimit. Sipas avokatit Vladimir Meçi, Aldo Bare ka qëndruar rreth 1 vit e 5 muaj në burg pa vendim gjykate. "Nga arrestimi i tij në 27 mars të vitit 2006 dhe deri tani nuk ka pasur ndonjë vendim për të", argumentoi avokati. Por sipas prokurorisë, zbatimi i masës së sigurisë nis nga momenti i ekstradimit të tij. Në fund gjykata rrëzoi si të pabazë pretendimin e avokatit të Bares. Duket se Bares nuk po i prin fati në seancat e para gjyqësore me kërkesat drejtuar trupit gjykues. Tri ditë më parë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka rrëzuar atij kërkesën për rivlerësim të masës. Bare, i cilësuar nga organi i akuzës si kapo i "Bandës së Lushnjës", i kërkoi në datën 5 dhjetor Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e tij nga burgu. Ai akuzohet për mbi 20 vrasje, krijim i organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim. Krimi më i rëndë që rëndon mbi supet e tij është ekzekutimi i Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar, të cilit i preu kokën dhe ia shëtiti përmes qytetit të Lushnjës.