Tafaj: Dixhitalizimi i Arkivit, i rëndësishëm
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori pjesë dje në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Dixhitalizimi i Arkivit Zanor të Institutit të Antropologjisë Kulturore”, të zhvilluar në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA).
Ministri Tafaj, duke falënderuar qeverinë e Austrisë për mbështetjen e këtij projekti, e vlerësoi si të shkëlqyer kontributin e ambasadës austriake dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për financimin e 180 mijë eurove të këtij projekti.
“Projekti është shumë interesant dhe i rëndësishëm, - vlerësoi Tafaj. - Të sigurosh arkivin e një kombi në formë dixhitale do të thotë t’i japësh rëndësinë e duhur trashëgimisë kulturore të një vendi.
Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA) ka njohur ndryshim rrënjësor. Sot këtu janë hapur kurse në 6 drejtime të ndryshme dhe zhvillohen mastera dhe doktoratura”, - vijoi Tafaj. “QSA tashmë ka standardet e një universiteti dhe është përcaktuese në akademinë shqiptare”, - përfundoi Tafaj.
Duke siguruar mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në këto projekte kreu i arsimit shqiptar theksoi se çdo dokument i arkivit do të dixhitalizohet, duke dhënë mundësinë jo vetëm të shfrytëzimit të gjerë e të plotë, por edhe për ta bërë të përjetshme arkivin shqiptar.
Bursa të UNESCO-s për 2010-2011
UNESCO dhe qeveria japoneze financojnë 20 bursa studimi për vitin e ardhshëm akademik, bën të ditur në një njoftim për shtyp Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. “Në kuadrin e fondit japonez për zhvillimin e burimeve njerëzore dhe të Programit të Bursave të bashkadministruara nga UNESCO, qeveria japoneze do të financojë 20 bursa studimi për vitin 2010-2011, në kujtim të ish-Kryeministrit japonez, z. Keizo Obuchi”, - bëri të ditur Ministria e Arsimit. Programi i bursave të kërkimit UNESCO / KEIZO OBUCHI, i cili parashikon akordimin e bursave individuale për kërkime të thelluara pasuniversitare në fushën e kërkimit, shpall fushatën e aplikimeve në katër fusha: mjedisi në shkencat e ujit; dialogu ndërkulturor; teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit; zgjidhja paqësore e konflikteve. “Bursat e lartpërmendura jepen për personat e diplomuar në programin e studimit master, me synim zhvillimin e kërkimeve pasuniversitare ose të specializimeve në fushat e studimit që përputhen me objektivat strategjikë të Programit të Bursave të Kërkimit UNESCO / KEIZO OBUCHI. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me bursat që ofrohen, mënyrën e plotësimit të formularit të aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, referojuni adresave të mëposhtme në web-site: http://portal.unesco.org/en/files/14635/12478230171(Multi-Language_-_Eng-Fre-Spa-Arab)_Letter_of_Announcement_Obuchi_2010.pdf/(Multi-Language%2B-%2BEng-Fre-Spa-Arab)%2BLetter%2Bof%2BAnnouncement%2BObuchi%2B2010.pdf “ – bën të ditur ministria
Dokumentacioni, pasi të jetë plotësuar nga aplikantët, të dorëzohet në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH, deri në datën 28 dhjetor 2009.