Fier, devijuan gabimisht, përfundojnë në kanal 2 makina
Aksi rrugor Fier- Lushnjë kthehet sërish në një "arenë" aksidentesh. Dy shtetas, të cilët udhëtonin në këtë aks rrugor, janë aksidentuar dje në vendin e quajtur ura e Vozit. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniforma të shumta policie, të cilat kanë bërë të ditur se protagonistë të tij kanë qenë shtetasit Arben Mici e Agron Mustafaj.
Burimet zyrtare të policisë pohuan se automjeti tim Benz furgon me traga të qytetit të Durrësit, 3687 D që drejtohej nga shtetasi Arben Mici, 39 vjeç, banues në Durrës ka goditur një automjet tjetër të tipit "Wolsvagen Golf" me targa Dr 2324 B që drejtohej nga shtetasi Agron Mustafaj, 48 vjeç. E gjithë përplasja ka ardhur si pasojë e manovrave të gabuara të drejtuesve, të cilët janë mundur ti shmangen aksidentit. Pas devijimit të gabuar, të dy automjetet kanë përfunduar në kanal. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të policisë rrugore, të cilët kanë hetuar mbi aksidentin në fjalë. Ata kanë shoqëruar për në komisariat drejtuesin e furgonit, shtetasin Arben Mici për të zbardhur plotësisht pasojat e aksidentit, pasi siç mësohet, ka qenë pikërisht Mici ai që ka tentuar për të parakaluar automjetin tip "Golf". Ndërkohë, pas përfshirjes në aksident 48- vjeçari Mustafaj është dërguar menjëherë për në spitalin e Lushnje pasi kishte marrë plagë në të gjithë trupin.