Studimi në shkollat e Gjirokastrës, nxënësit e bardhë urrejnë ata me ngjyrë
Fëmijët romë dhe egjiptianë, urrehen nga bashkëmoshatarët e tyre të bardhë në Gjirokastër. Ky konstatim është nxjerrë nga një studim i kryer nga organizata për mbrojtjen e fëmijëve Save the Children. Sipas përfaqësuesve të këtij organizmi, fëmijët romë dhe ata egjiptianë (evgjitët) janë të diskriminuar dhe implementimi i një projekti për të njohur shkallën e kësaj urrejtje do të bënte njohjen e rezultateve të barazimit dhe pranimit të bashkëmoshatarëve dhe prindërve të bardhë për këtë kategori.
Sipas koordinatores së Save the Children në Tiranë, Arbëresha Mushani, në bazë të studimeve të kryera nga kjo organizatë apo dhe UNICEF, situata e edukimit në shkollat e rrethit të Gjirokastrës në respektimin e fëmijëve të bardhë për evgjitët dhe romët, është katastrofale. Mbi 80% e fëmijëve të bardhë në shkollat e rrethit të Gjirokastrës, nuk do të donin kurrsesi që të kishin në klasë fëmijë me ngjyrë. Kjo dukuri është sidomos e theksuar në dy shkollat 9- vjeçare të qytetit të Gjirokastrës Koto Hoxhi dhe Çajupi, aty ku dhe është implementuar studimi. Në këto dy shkolla, ku prania e fëmijëve me ngjyrë është më e lartë në raport me shkollat e tjera të qytetit, nxënësit e bardhë në mjaft raste veçojnë nga shoqërimi evgjitët dhe romët madje kjo është suportuar në disa raste edhe nga vetë mësueset, por këto të fundit të pyetura nga gazeta SOT nuk e pranojnë një fakt të tillë. Ato shprehen se fëmijët e bardhë refuzojnë në mënyrë të vazhdueshme të qëndrojnë në bangë apo të shoqërohen me fëmijët me ngjyrë, megjithë insistimin e vazhdueshëm të tyre. Ndërkaq, fëmijë të pyetur nga SOT shprehen se qëndrimi me fëmijët me ngjyrë është i pamundur për shkallën e ulët të higjienës që ata kanë apo dhe mungesës së seriozitetit në mësime. Sipas përfaqësuesve të Save the Children përqendrimi i diskriminimit për fëmijët me ngjyrë është i trashëguar edhe nga prindërit apo grupet e tjera shoqërore që i mëshojnë këtij diskriminimi. Qëllimi i Save the Children është integrimi në një shkallë të lartë i këtyre fëmijëve në jetën e përditshme dhe afrimi i fëmijëve të bardhë me ata evgjitë apo dhe romë për të luajtur apo qëndruar së bashku pa paragjykime. Drejtoria e Arsimit Rajonal në Gjirokastër, ka mbështetur iniciativën e Save the Children për të minimizuar këtë diskriminim të kësaj kategorie dhe për këtë qëllim ka organizuar dje një takim me prindër dhe fëmijë romë, evgjitë dhe të bardhë. Në këtë takim është vënë theksi i organizimeve të përbashkëta të trajnimeve, mësimeve dhe aktiviteteve social-kulturore si dhe mënyrat për të zhdukur këto raport-marrëdhëniesh mes dy racave.