Fier, digjet banesa në periferi të qytetit, rrezikohen dhe 12 të tjera

Digjet plotësisht shtëpia, rrezikohen 12 të tjera. Zjarri është sinjalizuar se ka rënë në banesën e shtetasit Rexhep Ferko, në lagjen Mbrostar fare pranë qytetit Fier. Ai ka rënë rrethe orës 13:00 të pasdites së djeshme. Sipas burimeve nga vend i ngjarjes, flakët e zjarrit janë parë në korridorin e shtëpisë dhe më pas janë përhapur me shpejtësi të madhe në të gjithë godinën.
Janë dashur vetëm pak minuta që gjuhët e flakëve të pushtonin gjithçka duke bërë kësisoj që e gjithë shtëpia të shkrumbohet. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë gjithashtu se tymin e kanë pikasur të parat disa gra që banonin pranë shtëpisë. Këto kishin lajmëruar menjëherë fqinjët e tjerë dhe këta të fundit policinë. Gjatë kësaj kohe, në pritje të zjarrfikësve dhe policisë, vetë banorët janë përpjekur të vënë nën kontroll flakët, por ato kishin përparuar aq shumë saqë gjithçka doli jashtë kontrollit. U përpoqëm me mjete rrethanore, por asgjë nuk ishte e mundur. Flakët kishin mbërthyer gjithçka dhe kishte arritur tek gardhi që ndahej shtëpia me fqinjin. U detyruam pastaj të vinim nën kontroll vetëm flakët jashtë me qëllim që ato të mos kalonin tek fqinjët e tjerë. Në këtë kohë mbërriti edhe zjarrfikësja por ishte e kotë sepse çdo gjë u dogj totalisht, ka thënë Hajri Ferko, një prej kushërinjve të të zotit të shtëpisë. Zjarrfikësit ndërkohë menjëherë pas marrjes së njoftimit për zjarrin kanë vënë në dispozicion tre automjete zjarrfikëse. Vështirësia e zjarrfikëseve ka ardhur si shkak i mungesës së rrugëve gjë që ka rrezikuar seriozisht edhe gjithë banesat në lagjen Mbrostar. Sipas kreut të Repartit të Mbrojtjes nga Zjarri, Xhevat Mërnica, mësohet se rrugicat ishin aq të ngushta sa mjetet nuk hynin, duke u krijuar shumë pengesa gjatë punës së tyre. Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se banesa e djegur, pronë e shtetasit Rexhep Ferko, është djegur totalisht, por fatmirësisht nuk ka patur asnjë të lënduar. Po sipas policisë, gjatë kohës që ka rënë zjarri, në banesë nuk ndodhej asnjë person. Pronari i saj Rexhep Ferko kishte disa muaj që ishte zhvendosur në një godinë tjetër dhe e kishte nxjerrë në shitje banesën. Ferko tregon se banesën e kishte ndërtuar në vitin 1998 dhe aktualisht jetonte në të njëjtën lagje, por jo tek kjo banesë.