E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët akuzojnë PD se po përgatit vjedhjen e votave

Islami- Rusmajli, debat për zgjedhjet
Fushëbeteja elektorale ka filluar të shfaqë prodhimtarinë e saj. Kampi rozë akuzon kundërshtarët blu për se kanë nisur përgatitjet për manipulimin e procesit zgjedhor, çka do të çojë në vjedhjen e votave. Kastriot Islami, duke përmendur falsitetin e kartave, që sipas tij firma prodhuese nuk ka asnjë lloj pajisje për të dalluar kartën e vërtetë, është ndalur në një tjetër pikë të nxehtë të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, që për socialistët është shqetësuese. Sipas tij rezulton se në Shqipëri mund të mbetet rreth 10% e votueseve pa marrë pjesë në votime. Kërkoni të ndryshoni rezultatin e zgjedhjeve duke lënë shqiptarët pa kartë identiteti ose duke prodhuar karta false. Ka karta false që shumë shpejt do ti nxjerrim. Duhet ti them Berishës hiq dorë nga manipulimi i zgjedhjeve. Jemi shumë serioz dhe i kemi marrë të gjitha masat. I kemi vënë në dijeni partnerët ndërkombëtarë se çfarë po ndodh me kartat. Nuk do të ketë zgjedhje nëpërmjet lënies së një pjese të mirë të qytetarëve pa karta, ose me karta false. Rreth 10% në listat e zgjedhësve mund të mos kenë mundësi të votojnë, themi se nuk mund të kenë zgjedhje të lira. Të gjithë që janë në listën e votuesve duhet tu krijohet mundësia për të votuar, qofshin këta edhe emigrantë. Qeveria duhet të jap një zgjidhje, ne dhamë konsensusin për të votuar me pasaportë dhe kartë identiteti. Këta kanë dështuar me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta, nëse nuk gjejnë zgjidhje tjetër ne nuk mund të lejojmë që në Shqipëri të mos zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është skemë e Berishës për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Do të bëjmë analizën dhe mbi bazën e analizës do të japim në fund të këtij muaji mendimin e PS-së, nënvizoi Islami. Në lidhje me kërcënimin e fundit që PS ka bërë për braktisjen e procesit zgjedhor, deputeti Ilir Rusmajli e cilësoi këtë gjë të paimagjinueshme për Shqipërinë e Nato-s, ku sipas tij socialistët nuk janë duke parë hallin për zgjedhjet që vijnë, por janë duke sabotuar procesin e integrimit, sepse janë të sigurt se do të humbasin zgjedhjet. Në këtë drejtim Rusmajli theksoi se kartat e identitetit kanë më tepër elemente sigurie sesa kartëmonedhat shqiptare. Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Rusmajli ka akuzuar kampin rozë për mosrespektim të rregullave të lojës, mes Partisë Socialiste dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Njëri  ngre topin e tjetri përpiqet ta zhysë. Prokuroja nuk ka funksion të vesh kilota e të dal të luaj futboll, por ka një tjetër funksion. Edhe Rama nuk e ka këtë funksion, të vesh kilota e të dal të luajë futboll. Nuk kërkoj që socialistët të mbështesin Berishën në betejën politike, nuk e pranoj dot këtë qëllim. Por, ata nëse nuk kanë besim tek Prokurorja është mirë të kërkojnë largimin e saj. Është momenti që njerëzit të zhveshin kilotat e të veshin kostumin institucional. Unë nuk dal me kilota në fushë, mbaj kostumin institucional, nënvizoi Rusmajli. Deputeti Rusmajli ka akuzuar kryesocialistin Rama se tirada e pseudoakuzave është shenja më e qartë e frikës së tij për humbjen në këto zgjedhje. Sipas tij, PD fiton në zgjedhjet e qershorit sepse ka përballë një forcë politike që ka lënë komandantin në shtëpi dhe është futur në fushën e betejës pa gjeneralin e vet dhe ndër të tjera sipas tij të majtët kanë futur në stolin e rezervave ekipin e tyre të parë. Ekipi i parë është tepër i rëndësishëm, por Rama ka zgjedhur për motive të karrierës së vet politike të dal në fushën e lojës me pionierët, ku gara nuk është e barabartë. Një tjetër arsye është edhe fakti se kampi socialist paraqitet në panik të plotë, veçoi Rusmajli. Sipas tij, investimet në fshatrat e qytetet e Shqipërisë janë meritë e kësaj qeverie dhe jo meritë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke veçuar faktin edhe të unazës së madhe të Tiranës, ku përmendi faktin se qeveria është e gatshme të ndërtojë këtë pjesë të kryeqytetit, por nga ana tjetër është krybashkiaku ai nga frika dhe paniku nuk kërkon të bashkëpunojë, nuk do se do ta mbajë peng të vesit të vet.

Last Updated on Tuesday, 26 May 2009 18:02

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›