E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për qymyr të pastër dhe për kapjen e karbonit

Orhan ZARSHATI
Një ditë para se të hapej samiti i  ministrave të energjisë të G-8  në Romë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia nënshkruan marrëveshjen për qymyr të pastër dhe për teknologjinë e kapjes së karbonit. Tashmë shtete të ndryshme të botës që përdorin qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike me anë të TEC-eve me qymyr guri, janë shumë të interesuara për zbatimin e teknologjive të reja që bëjnë të mundur flakjen në atmosferë të minimumit të mbetjeve tepër të dëmshme nga djegja e qymyrit si lëndë energjetike. Ky është një problem madhor i mbrojtjes së mjedisit nga ndotja e rrezikshme,që shkakton djegja e qymyrit të gurit; një prej axhentëve kryesorë që sjellin efektin serë. Marrëveshja për qymyr të pastër dhe teknologjinë e kapjes së karbonit, është e para marrëveshje e këtij lloji e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuar me një vend tjetër. Sekretari i Shtetit për Energjinë i SHBA, Stiven Çu, vuri në dukje se problemi i kapjes së karbonit, nuk është zgjidhur deri më sot. Me këtë rast e vlen tu tërhiqet vëmendja partizanëve të ndërtimit të TEC-eve me qymyr guri në vendin tonë, siç është projekti në Porto Romano të Durrësit; përderisa edhe ministri i energjisë të shtetit më të zhvilluar të botës ven në dukje faktin se ende sot nuk është zgjidhur problemi i ndotjes që shkaktojnë TEC-et me qymyr guri! Kundërparti italian, Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Italisë, Klaudio Skajola tha se qëllimi  i marrëveshjes është shkëmbimi i njohurive teknologjike (nau-hau) , koordinimi i projekteve të përbashkëta,zhvillimi i teknologjive të reja dhe identifikimi i vendeve ku të grumbullohet dioksidi i karbonit. Mbledhja dypalëshe për energjinë, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, u bë një ditë më parë se të hapej samiti i ministrave të energjisë të G-8 në Romë. Ministri italian Klaudio Skajola tha se ky është eventi më i madh për energjinë në vitin 2009, i cili merr në konsideratë 80 për qind të konsumit dhe prodhimit të energjisë në botë. Tema e mbledhjes së ministrave të energjisë ishte : Përtej krizës drejt një lidershipi të ri botëror për energjinë. Skajola tha se Italia është duke zhvilluar një politikë të re për energjinë dhe ka si objektiv të reduktojë varësinë nga lëndët djegëse fosile (qymyr, naftë, gaz), të rrisë  prodhimin e energjisë të rinovueshme dhe rinisë prodhimin e energjisë  me anë të impianteve nukleare. Sekretari amerikan i Shtetit për Energjinë, Stiven Çu, tha se Shtetet e Bashkuara  gjenerojnë 20 për qind të energjisë elektrike me anë të energjisë nukleare, por centrali më i fundit bërthamor,që është vënë në funksionim në SHBA ka qenë ai i ndërtuar  në vitin 1970, dhe që atëherë mund të themi se ka qenë një periudhë e gjatë e thatë, në të cilën SHBA nuk kanë ndërtuar centrale bërthamore. Ne synojmë të fillojmë rinisjen e punës së kësaj industrie duke zhvilluar reaktorë të sigurtë, reaktorë shumë ekonomikë dhe përsëri ne parashikojmë  të bashkëpunojmë fort me Italinë dhe me vende të tjera për të rinisur këtë industri, tha Stiven Çu. Ky deklarim i ministrit amerikan,duhet të mos i inkurajojë ithtarët e ndërtimit të centraleve bërthamorë në Shqipëri, por ti bëjë ata të mendohen mirë për mundësitë reale që ka Shqipëria në këtë drejtim.Euforia është e papranueshme! Në mbledhjen dyditore janë të pranishëm vendet anëtare të G-8, si: Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithsej 23 vende, përfshirë dhe vendet me ekonomi në zhvillim, si Brazili, Kina, Egjipti, India, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut. Në këtë samit marrin pjesë si të ftuar dhe edhe 8 organizata ndërkombëtare dhe 20 nga kompanitë më të mëdha të botës në fushën e energjisë. Vende si Shqipëria, që aspirojnë të bëhen superfuqi energjetike rajonale, duhet të mbajnë mirë parasysh konkluzionet e tubimeve ndërkombëtare të këtij lloji në fushë të energjisë dhe të hartojnë plane reale për ndërtimin e objekteve energjetike, duke nisur nga shfrytëzimi maksimal i burimeve hidrike që ka vendi, ato eolike (me erë) dhe burime të tjera të energjisë së rinovueshme, pastaj të mendojnë për centralet bërthamorë.

Last Updated on Tuesday, 26 May 2009 16:37

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›