E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, gjendet i vrarë djali i një tregtari, nisin hetimet

FIER - Djali i një  tregtari në qytetin e Fierit është gjetur i ekzekutuar me plumb mbrëmjen e së dielës. Policia e Fierit është njoftuar nga kalimtarë të rastit për praninë e kufomës në afërsi të komunës, Topojë të rrethit të Fierit, në vendin e quajtur “Kulla e Ujit”.

Në vendin ku banorët e zonës mbushin ujë të pijshëm policia gjeti kufomën e 21-vjeçarit, Andi Prifti.

I riu banonte në “Sheq të Vogël”, një lagje periferike e qytetit të Fierit. Mësohet se viktima është djali i një tregtari shumice, që tregton artikuj ndërtimi. Familja Prifti sipas banorëve të lagjes njihen si familje e respektuar dhe që nuk kanë probleme apo konflikte.

Burime të policisë kanë bërë të ditur për A1 Report se vrasja dyshohet të jetë kryer me pistoletë dhe se i riu mund të jetë vrarë në një tjetër vend e më pas për të humbur gjurmët është hedhur pranë vendit të njohur si “Kulla e Ujit”. Policia ka marrë në pyetje disa familjarë të viktimës dhe persona që gjetën trupin për të hedhur dritë mbi motivet e kësaj ngjarje të rëndë.

Redaksia Online
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›