E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, lumi del nga shtrati, përmbyt 220 banesa

Nga Agron Llupi/Mirjeta Ngjela
Përmbyten 220 shtëpi në Fier. Dy lagje te qytetit jane gdhirë nën ujë pas fryrjes së Lumit Gjanica. Disa banore jane nxjerre nga shtepite me gomone te policise 

FIER-Shirat e dy ditëve të fundit kanë sjellë përmbytjen e dy lagjeve të qytetit të Fierit. Rreth 220 shtëpi u gjenden nga mesnata e djeshme dhe dita e sotme nën ujë. Banorë të lagjes “1 Maji” dhe të lagjes “Liri Gero” tek ura me Kavo e quajtur ndryshe Pasarelat, janë ngjitur në tarracat e shtëpive të tyre ose në katet e dyta të fqinjëve në pritje për të marrë ndihmën emergjente. Situata alarmante ka ngritur në këmbë shtabin e emergjencës në Prefekturë dhe policinë e rrethit. Drejt vendit të përmbytjes janë nisur fillimisht fadroma dhe më pas gomone të policisë për të nxjerrë banorët e izoluar. 10 banorë janë mundur të shpëtohen nga përmbytja pas ndërhyrjes së policisë.

Kanë qënë inertet dhe papastëritët e mbledhura në 60 vjet në lumin Gjanica të Fierit që bënë që në ditët e reshjeve të tërbujara të shkaktohej një situatë e tillë alarmante. Gjanica e Fierit në dukje e qetë, i kanë mjaftuar 24 orë rreshje papushim që të shkaktonte përmbytje të tillë e cila nuk ishte parë prej dekadash në Myzeqe. Shtabit të emergjencës përvec faktit se duhet të përballet me shirat e sotëm që vazhdojnë të fryjnë Gjanicën i duhet të mendojë edhe për strehimin e banorëve, shtëpitë e të cilëve janë në ujë. Neglizhenca e viteve, tashmë duket se do të kushtojë më shume se investimi që mund të ishte bërë për një pastrim të thjeshtë të Gjanicës.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›